“3 vjet nëpër gjykata” – zhgënjimi i babait të Agonis Tetajt me drejtësinë - NACIONALE

“3 vjet nëpër gjykata” – zhgënjimi i babait të Agonis Tetajt me drejtësinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

23 shtatori i vitit 2018 ishte i kobshëm për familjen Tetaj nga Deçani. Djali i kësaj familje, Agonisi, u qëllua me armë zjarri përderisa ishte në vendin e punës, nga djali i pronarit të kompanisë Gogaj-Ag. Që nga atëherë, plaga e hapur e familjes po thellohet, pasi drejtësia për këtë rast, ende ka mbetur në udhëkryq.

Bash këtu ka qenë vendi ku kemi qenë kur ka ndodhur pajtimi i gjaqeve”. Kështu e nis rrëfimin e tij Isuf Tetaj, me kujtimet për pajtimin që kishte ndodhur dekada më parë në vendin që njihet si “Te verrat e Llukës” në Deçan. Por, 32 vjet më pas, ajo me të cilën Isuf Tetaj nuk po mund të pajtohet, është fakti që drejtësia për vrasjen e djalit të tij po mungon.

Agonis Tetaj në shtatorin e vitit 2018 u vra me plumb në kokë përderisa ishte në vendin e tij të punës. Që nga atëherë, blini në afërsi të shtëpisë, është vendi që Isufi e shfrytëzon për ta kaluar kohën e për ta shuar mërzinë për djalin e tij.

“Mi ka këput dy këmbët ai djal. Sen ma vështirë nuk kish se me tu vra djali pa hile e pa hak. Bile kanë kalu 3 vjet e hala tu u sjell nëpër gjykata, këndej thojnë ta kanë vra djalin pahiri”, e nis rrëfimin e tij për gazetën Nacionale, Isuf Tetaj.

Për më shumë se tetë muaj, pothuajse asnjë seancë gjyqësore nuk është mbajtur. Arsye për këtë, është fakti që pas vendimit nga Oda e Avokatëve, askush nuk kishte pranuar ta mbronte të akuzuarin Shaban Gogaj sipas detyrës zyrtare. Kjo pasi, avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga trupi gjykues.

Isufi bashkë me anëtarët e tjerë të familjes më shtatë mars morën rrugë drejt gjykatës. Por, në gjykatë shkuan për ta shfaqur revoltën e tyre për shkak të zvarritjes së gjithë procesit. Si rezultat, e lëshuan sallën.

“Vrasja ka qenë me qëllim sepse kanë pas xhelozi për djalin tim. Nuk ka qenë djal i lazdruar por i vendosur, nuk ka leju kërkush me luajt me të”, me këto fjalë e përshkruan djalin e tij Isufi.

“Unë nuk ka me ua falë kurrë, sepse ma kanë vra djalin në shpi të vet, duke punu për ta, me e siguru bukën e gojës për dy fëmijët e tij e për gruan e tij, gjithashtu për nënën e babain. Agonisin e kam pas shtyllë të shtëpisë për gjithçka, pres veç drejtësi e me u dënu ai që e ka kry këtë krim”, shprehet Isuf Tetaj.

Lotët nuk arrin t’i mbajë kur flet për arsyet e vrasjes. Fillimisht akuza për Shaban Gogajn ishte për vrasje të rëndë, e më pas ajo u kthye në vrasje aksidentale.

I revoltuar me këtë, Isufi kishte vendosur t’i publikonte xhirimet nga kamerat e sigurisë, të cilat tronditën opinionin në Kosovë. Pas kësaj, u ndërrua edhe prokurori i rastit e krejt lënda u rikthye sërish si vepër penale “vrasje e rëndë”.

Edhe qysh mundet me thanë pahiri kur e merr armën me qëllim edhe e drejton armën kah djali jam me plot vetëdije. E për çfarë qëllimi e ka vra, ai e dinë vet. Bile para se me ndodhë vrasja 1 javë përpara, Agonisi i kish pas thanë nanës së vet, valla bre nanë e ka një djal shumë të lazdrum pronari, për Shabanin”, tregon Isufi.

Humbja e djalit ia ka vështirësuar edhe më shumë gjendjen ekonomike, pasi djali i vetëm që i ka mbetur Isufit jeton jashtë vendit, për të siguruar një jetë më të mirë për familjen e tij.

Bllokimi i drejtësisë

Rikthimi i veprës penale “vrasje e rëndë” në këtë rast, kishte bërë që avokati Besnik Berisha, mbrojtës i dorasit Shaban Gogaj, të kishte reagime të ashpra në gjykatë. Si pasojë, ai u gjobit e më pas u përjashtua nga trupi gjykues. Oda e Avokatëve kishte marrë vendim që t’ua ndalojë përfaqësimin të gjithë avokatëve në këtë rast, sipas detyrës zyrtare.

Të gjitha seancat tash e 8 muaj kanë dështuar. Kjo solli më pas edhe një vendim nga Qeveria e cila shfuqizoi vendimin e Odës së Avokatëve. Por, vendim i cili duket se ende nuk po përfillet nga kjo e fundit.

Behar Ejupi kryetar i Odës së Avokatëve, ka thënë për gazetën Nacionale se Qeveria nuk ka bazë ligjore ta ndërhyjë në punën e odës. Sipas Ejupit, pas hetimeve nga komisioni i Odës ishtë vërtetuar se Besnik Berisha, nuk ka bërë shkelje.

“Ministria e Drejtësisë në bazë të ligjit për Avokatinë në nenin 44, ka të drejtë të bëjë mbikëqyrjen e akteve të përgjithshme nëse ka ndonjë procedurë gjyqësore nga palët. Në rastin konkret, as Ministria e as Qeveria nuk ka të drejtë të kontrollojë ose të cenojë autonominë e OAK-së. Për më tepër, këta kanë anuluar një vendim që nuk ka qenë në fuqi. Derisa ne e kemi vendimin e muajit shtator 2021, ndërsa të njejtit kanë anuluar vendimin e muajit korrik. Këto janë disa nga elementet e kundërshtimit, dhe ne nuk jemi për prolongim të procesit, por jemi për një bashkëpunim për një zgjidhe më të mirë të mundshme“, ka thënë Ejupi.

„Lufta“ ndërmjet Odës dhe Qeverisë

Për këtë vendim, kishte pasur një përplasje në distancë ndërmjet ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu me Odën e Avokatëve.

Moszbatimi i vendimeve të plotëfuqishme është vepër penale prandaj meqë edhe përkundër vendimit të Gjykatës, vendimit të Qeverisë, Oda nuk lejon caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin e vrasjes së A.T, është koha të aktivizohet prokuroria dhe ta ndalë këtë paligjshmëri dhe dëm të shumëfishtë!“, kishte shkruar Haxhiu në facebook.

Reagimi i Odës nuk vonoi. Sipas tyre, ministrja Haxhiu ka tendencë të ndërhyjë në punën e Odës së Avokatëve të Kosovës.

“Shkrime të tilla të një anshme, paraqesin ndërhyrje të plotë në drejtësi dhe bazuar në ndarjen e pushteteve dihet se pushteti ekzekutiv duhet të mbaj largë duart nga sistemi i drejtësisë, e që Oda e Avokatëve të Kosovës, është shtylla e tretë e këtij sistemi dhe kërkojmë nga Ministrja që të veproj konform autorizimeve të saja ligjore dhe kushtetuese ashtu që të jetë e barabartë dhe e pa anshme për të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë“, thuhej në reagimin e Odës.

Greva pengon procesin

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti, në një prononcim për gazetën Nacionale theksoi se ende nuk është caktuar data për seancën e radhës në lidhje me vrasjen e Agonis Tetaj. Edhe nëse një gjë e tillë ndodhë, atëherë do të duhej fillimisht ndërprerja e grevës, të cilën po e mbajnë punëtorët e administratës. Për shkak se, po ofrohen shërbime vetëm për raste emergjente.

Tri herë ishte dënuar avokati Gëzim Kollqaku i cili nuk kishte pranuar të shkonte në mbrojtjëse të dorasit, Shaban Gogaj. Kjo duke respektuar vendimin e Odës. Gjykata u obligua ta caktojë një tjetër avokat, dhe ai ishte Gani Kelmendi sipas detyrës zyrtare. Por, as ky në seancën e fundit nuk mori pjesë, pasi ishte i angazhuar në një proces tjetër.

Për këtë rast kishin reaguar deri te Kryeprokurori i Shtetit. Pas publikimit të pamjeve nga prindi i Agonis Tetajt, ky kishte kërkuar që të merren të gjitha masat ndaj prokurorit që kishte kërkuar ndryshimin e veprës penale nga vrasja e rendë në vrasje nga pakujdesia.

Deri kur çështjet juridike të zgjidhen, familja Tetaj do të jetë në pritje të drejtësisë, e cila sado pak mund t’ua zbutë dhimbjen.

Lajme të ngjashme