Dështon seanca, babai i Agonis Tetajt: Shumë keq po shkon puna - NACIONALE

Dështon seanca, babai i Agonis Tetajt: Shumë keq po shkon puna

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Autor i tekstit: Dardan Ukaj

Procesi gjyqësor për vrasjen e Agonis Tetajt në Deçan, po vazhdon të mbetet pezull. Edhe seanca e planifikuar që të mbahet sot, ka dështuar. Shkaku mbetet i njëjtë: avokatët nuk po pranojnë që ta mbrojnë dorasin Shaban Gogaj sipas detyrës zyrtare. Kjo pas vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës që avokatët mos ta mbrojnë të akuzuarin sipas detyrës zyrtare. Gazeta Nacionale ka përcjellë seancën e sotme në Gjykatën e Pejës dhe sjell detaje.

Qysh në nisje të seancës, u pa që edhe këtë e pret fati i njëjtë. Ajo nuk do të mbahej. Arsyeja mbetet e njëjtë: avokat i caktuar ta mbrojë të akuzuarin Shaban Gogaj nuk pranoi të shkojë në seancë. Madje, për këtë nëpërmjet një parashtrese tha, se u kërcënua me marrje të licensës nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Kjo pasi OAK kishte vendosur që asnjë avokat të mos e marrë këtë rast sipas detyrës zyrtare.

Avokati Gani Kelmendi ka njoftuar se nuk mund të paraqitet në seancën e sotme, pasi emri i tij është bërë medial. Më 7 mars ka pranuar një telefonatë ku është thirrur nga prokurori disiplinor i Odës së Avokatëve të Kosovës, Rexhep Veseli, i cili ia ka tërhequr vërejtjen dhe i ka thënë se do t’ia marrë licensën nëse e përfaqëson lëndën e Shaban Gogajt sipas detyërs zytare”, e citoi letrën e avokatit, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj Rugova.

Në seancë mungoi edhe prokurori i rastit. Kjo pasi kishte pasur disa probleme me pranimin e ftesave nga gjykata.

Ndërsa gjyqtarja Violeta Husaj Rugova gjatë seancës konstatoi se nuk ka kushte të mbahet shqyrtimi gjyqësor, duke e caktuar seancën e radhës për 20 prill.

Avokati i viktimës me kritika të ashpra

Berat Tmava, avokat i familjes së Agonis Tetaj, ka akuzuar se disa persona po tentojnë ta shtyjnë këtë proces gjyqësor, për të përfituar kohë dhe të vonohet procedura.

Këtu disa persona po vazhdojnë me prolongu këtë çështje me përfitu në kohë, dhe me u fshehë kjo punë qysh u konvenon atyre e jo drejtësisë. Nuk ka prokuror askund në botë që e paralajmëron avokatin e palës tjetër mos u merr me lëndën se ta marr licensën. Prokurori disiplinor ka bërë vepër penale pengim i drejtesisë. Vendimin e ka marrë gjykata për caktimin e avokatit mbrojtës për të akuzuarin, e jo siç ka vepru prokurori disiplinor i odës me ia ndalu përfaqësimin avokatit Gani Kelmendi”, ka thënë Tmava.

Fjalëpak ishte për gazetën Nacionale Isuf Tetaj, babai i Agonisit.

"Shumë keq po shkon puna, s’di çka me thanë kush për këtë punë pse po shkon kështu."

Fillimisht Shaban Gogaj akuzohej për vrasje të rëndë. Më pas, prokuroria e cilësoi si vrasje aksidentale. Pasi babai i Tetajt publikoi pamjet e vrasjes, pati reagim të madh në publik dhe vepra u kthye sërish në vrasje të rëndë. Rikthimi i veprës penale “vrasje e rëndë” në këtë rast, kishte bërë që avokati Besnik Berisha, mbrojtës i dorasit Shaban Gogaj, të kishte reagime të ashpra në gjykatë. Si pasojë, ai u gjobit e më pas u përjashtua nga trupi gjykues. Oda e Avokatëve kishte marrë vendim që t’ua ndalojë përfaqësimin të gjithë avokatëve në këtë rast, sipas detyrës zyrtare.

Të gjitha seancat tash e 8 muaj kanë dështuar. Kjo solli më pas edhe një vendim nga Qeveria e cila shfuqizoi vendimin e Odës së Avokatëve. Por, vendim i cili duket se ende nuk po përfillet nga kjo e fundit.

Për këtë vendim, kishte pasur një përplasje në distancë ndërmjet ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu, me Odën e Avokatëve.

Moszbatimi i vendimeve të plotfuqishme është vepër penale, prandaj meqë edhe përkundër vendimit të Gjykatës, vendimit të Qeverisë, Oda nuk lejon caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare në rastin e vrasjes së A.T., është koha të aktivizohet prokuroria dhe ta ndalë këtë paligjshmëri dhe dëm të shumëfishtë!“, kishte shkruar Haxhiu në Facebook.

Reagimi i Odës nuk vonoi. Sipas tyre, ministrja Haxhiu ka tendencë të ndërhyjë në punën e Odës së Avokatëve të Kosovës.

Shkrime të tilla të njëanshme, paraqesin ndërhyrje të plotë në drejtësi dhe bazuar në ndarjen e pushteteve dihet se pushteti ekzekutiv duhet të mbajë larg duart nga sistemi i drejtësisë, e që Oda e Avokatëve të Kosovës, është shtylla e tretë e këtij sistemi dhe kërkojmë nga Ministrja që të veprojë konform autorizimeve të saja ligjore dhe kushtetuese ashtu që të jetë e barabartë dhe e paanshme për të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë“, thuhej në reagimin e Odës.

Raportimin e Nacionales për këtë rast e gjeni KËTU

Lajme të ngjashme