Në Shqipëri mbi-dyfish më shumë vrasje se në Kosovë – këto janë statistikat dhe arsyet - NACIONALE

Në Shqipëri mbi-dyfish më shumë vrasje se në Kosovë – këto janë statistikat dhe arsyet

1 vit më parë

nga Besian Beha

Dy atentate brenda pak ditësh të fund-korrikut u kryen në Shqipëri. Katër persona mbetën të vdekur, e një i plagosur si pasojë e breshërive me automatikë që u shkrepën në Fushë Krujë e Laç. Vrasje të tilla janë të shpeshta në Shqipëri, përderisa statistikat e vrasjeve janë shumë më të ulëta në Kosovë. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, në Shqipëri janë regjistruar 22 vrasje. Kështu ka bërë të ditur Policia e Shqipërisë në një përgjigje për gazetën Nacionale.

“Si rezultat i punës parandaluese, goditjes së grupeve kriminale dhe të vrasësve me pagesë, 6-mujorin e parë të vitit 2022 kanë ndodhur 13 vrasje më pak. (Gjatë vitit 2021 - 35 vrasje; Gjatë vitit 2022 - 22 vrasje)”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Shqipërisë.

Në këto statistika, nuk hyjnë edhe dy atentatet që ndodhën në Fushë Krujë e Laç. Katër persona mbetën të vrarë në dy atentate, brenda 5 ditësh në muajin korrik. Gjë që e rrit numrin e vrasjeve në mbi 25.

Numër shumë më i ulët i vrasjeve ndodhin në Kosovë. Në statistikat që gazeta Nacionale ka siguruar nga Policia e Kosovës, në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, në Kosovë ka pasur 13 vrasje. Pra, 9 vrasje më pak se në Shqipëri për të njëjtën kohë.

“Gjatë gjashtë mujorit të parë 2022 janë evidentuar 13 raste të vrasjeve”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Nacionalen.

Megjithatë, statistikat dallojnë dukshëm më shumë në të dhënat zyrtare për vrasjet e kryera gjatë vitit 2021

Në Shqipëri, vetëm vitin e kaluar janë kryer 61 vrasje. Kështu thuhet në raportin e Institutit të Statistikave në Shqipëri për vitin 2021.

Përderisa, në Kosovë, përgjatë gjithë vitit 2021, janë kryer 27 vrasje. Bazuar në statistikat e vitit 2021, në Kosovë janë kryer 34 vrasje më pak se në Shqipëri.

Megjithatë, tek veprimtaritë ilegale, aty ku Kosova prin në krahasim me Shqipërinë janë vjedhjet.

Në vitin 2021, Policia e Kosovës ka raportuar mbi 4 mijë e 300 vjedhje, kurse vjedhje të rënda 3 mijë e 223. Kështu thuhet në dokumentin e publikuar në faqen e Policisë për vitin e kaluar.

Kurse, në Shqipëri në vitin 2021 janë raportuar 3 mijë e 500 vjedhje, 85 vjedhje me dhunë, 11 vjedhje me armë, dhe 67 vjedhje duke shpërdoruar detyrën. Pra, dukshëm më pak se në Kosovë.

Cilat janë arsyet?

Ervin Karamuço është profesor në Universitetin e Tiranës, dhe njëherësh njohës i çështjeve të sigurisë. Në një prononcim për gazetën Nacionale, Karamuço flet për dallimet ndërmjet Kosovës e Shqipërisë në kryerjen e veprave ilegale.

“Ne kemi bërë një vështrim komperativ rajonal. E para në strukturë demografike ne jemi më shumë se Kosova si popullsi. Në strukturë të organizimit kriminal, Kosova ka më shumë vjedhjet. Grupet kriminale janë shumë aktive në Shqipëri, kurse Kosova i ka grupet kriminale jashtë vendit në diasporë. Ndërsa këta të Shqipërisë, pavarësisht çka kryejnë shqiptarët jashtë, kanë ende baza brenda territorit”, ka thënë fillimisht Karamuço.

Profesori në Universitetin e Tiranës rendit arsyet pse në Shqipëri, ka më shumë vrasje se në Kosovë.

“Buxheti kriminal nga jashtë vendit vjen dhe investohet këtu. Hesapet vijnë dhe lahen këtu, me problemet që ndodhin jashtë shtetit. Po flasim për krimet nga organizatat kriminale. Nga ana tjetër, ne kemi të shprehur vetgjyqësinë. Për shkak të mosbesimit të organeve gjyqësore dhe korrupsionit në Polici e institucione. Indeksin e besimit tek organet e drejtësisë e keni më shumë se Shqipëria. Korrupsionin në Polici e kemi gjithashtu. Policia e Kosovës nuk ka lidhje të mirëfillta me krimin e organizuar”, shprehet Karamuço për Nacionalen.

“Në perceptimin publik nëse shoh që gjykata e policia janë të korruptuara, punojnë me bandati, unë e zgjidh vetë hallin tim, e marr armën dhe e vras hasmin vetë. Problemi tjetër është ky, që në 23-24 raste kemi vrasje për pronësi, ju e keni zgjidhur çështjen e pronësisë. Jeni shumë më të sistemuar, dhe me rregull për çështje që mund të ketë konflikt në Shqipëri”, thekson më tutje profesori.

Ai flet edhe për atentatet e fundit në Shqipëri, duke paralajmëruar se lufta mes bandave do të vazhdojë.

“Ka një luftë midis 4-5 bandave nga zona e Fushë Krujës deri në Shkodër, që kanë tre vjet që po konfliktohen midis tyre dhe tani kanë avancuar. Policia i di këto, por është e pafuqishme për t’u futur në disa territore aty. Këto vrasje ishin paralajmëruara, madje priten të tjera në vijim të muajve që vijnë, për shkak të problemeve që kanë”, ka përfunduar Ervin Karamuço për gazetën Nacionale.

Trendi i vrasjeve në Shqipëri, ndër vite ka shkuar duke u rritur. Në vitin 2017 ishin 50 raste, në 2018 u shtua vetëm një, në vitin 2018 u raportuan 58 vrasje në Shqipëri, për të kulmuar në vitin 2021 me 61 vrasje.

Lajme të ngjashme