Vendos SBAShK-u: Greva vazhdon - NACIONALE

Vendos SBAShK-u: Greva vazhdon

4 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Greva do të vazhdojë. Këtë e ka konfirmuar SBAShK-u përmes një komunikate të para pak çasteve.

Ndër të tjera në këtë komunikatë thuhet se pjesëmarrësit e takimit mes kreut të BSPK-së dhe anëtarëve të SBAShK-ut u deklaruan pro një gjëje të tillë.

"Kryetari Hykolli ka informuar pjesëmarrësit e këtij takimi për ato që janë debatuar në këtë takim e pastaj është hapur debat konstruktiv lidhur me këtë. Kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve kanë përgëzuar kryetarin Hykolli për përpjekjet që të krijohen kushtet për dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së duke uruar që ky dialog edhe të ndodh me qëllim që të debatohen të gjitha çështjet dhe të arrihet marrëveshje e pranueshme", shkruhej ndër të tjerash në njoftim.

Kujtojmë gjithashtu faktin se pikërisht sot, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se është viti i tretë radhazi që java e dytë e shtatorit i gjen nxënësit në shtëpi.

"Është viti i tretë radhazi që java e dytë e shtatorit i gjen nxënësit në shtëpi. Në dy vitet e kaluara kjo ndodhi për shkak të pandemisë, e cila çrregulloi edhe procesin edukativo-arsimor, duke shkaktuar humbje të mëdha mësimore. Ndërkaq, këtë vit vonesa po ndodhë për arsye që lehtësisht kanë mundur të shmangen, e që kanë rezultuar me humbjen e rreth 580 mijë orëve të mësimit në 7 ditët e grevës së organizuar nga BSPK dhe SBAShK", kishte shkruar ndër të tjerash Nagavci.

Më poshtë ndërkaq edhe komunikata e plotë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë:

SBASHK-u mbajti takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve

Kryetari i BSPK-së Hykolli raportoi, pjesëmarrësit u deklaruan se greva vazhdon

Prishtinë, 11.09.2022

Në orët e pasdites të së dielës SBASHK-u ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve për të debatuar lidhur me takimin e kryetarit të BSPK-së Atdhe Hykolli në mbrëmjen e së shtunës që e ka zhvilluar me Kryeministrin Albin Kurti.

Kryetari Hykolli ka informuar pjesëmarrësit e këtij takimi për ato që janë debatuar në këtë takim e pastaj është hapur debat konstruktiv lidhur me këtë. Kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve kanë përgëzuar kryetarin Hykolli për përpjekjet që të krijohen kushtet për dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së duke uruar që ky dialog edhe të ndodh me qëllim që të debatohen të gjitha çështjet dhe të arrihet marrëveshje e pranueshme.

Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që deri sa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së, që është organ legjitim për të menaxhuar grevën dhe për të zhvilluar dialog me palën tjetër dhe gjersa Qeveria nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve greva do të vazhdojë. Ata rikujtuan se greva erdhi si pasojë e mungesës së vullnetit të Qeverisë për dialog dhe se greva po ndodh duke u respektuar zëri dhe vullneti i anëtarësisë, e cila edhe do të vendos çka tutje.

Lajme të ngjashme