Pse skizofrenia po i prek me të madhe kosovarët, çka deklarojnë psikologët?
Cilat janë shqetësimet më të shpeshta që po i çojnë kosovarët te qendrat e shëndetit mendor për ndihmë? A mundet çdo kosovar ta marrë trajtimin e duhur psikologjik në këto qendra? A paragjykohen pacientët nga ana e stafit ndihmës? Të gjitha këto pyetje Nacionale është munduar që t’i zbërthejë me psikologen e Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, znj. Behare Bojazhiu.
Depresion, gjendje ankthi, çrregullime të humorit, të personalitetit e sulme paniku. Këto janë vetëm disa nga diagnozat më të shpeshta që mjekët, psikologët e psikiatrit në qendrat e shëndetit mendor i përcjellin te pacientë që i trajtojnë.
Gazeta Nacionale ka qëndruar në njërën nga qendrat më të mëdha në vend për trajtimin e problemeve ose çrregullimeve psikologjike.
Sipas drejtuesve të Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, kohëve të fundit, në vend janë shtuar dukshëm shifrat e qytetarëve që kërkojnë ndihmë psikologjike. Simptomat - sipas ekspertëve - janë ankthi e depresioni.
Skizofrenia po i prek me të madhe kosovarët
Nga kjo qendër kanë treguar se gati 100 për qind e pacientëve që trajtohen aty, vuajnë nga sëmundja e skizofrenisë.

“Rreth 95 për qind e pacientëve që trajtohen në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë, vuajnë nga sëmundja e skizofrenisë. Në këtë qendër trajtohen rreth 1 mijë e 800 pacientë të rregullt me kartela”- thotë ajo.
Psikologia Behare Bojaxhiu tregon se kohëve të fundit, si pasojë e gjendjes socio-ekonomike, janë rritur edhe shifrat e pacientëve që janë prekur nga ankthi e depresioni.
Sipas saj, nga gushti i këtij viti janë shtuar rastet, kur qytetarët kërkojnë ndihmë psikologjike si pasojë e ankthit.
“Kohëve të fundit, prej muajit gusht, kemi një numër më të lartë të rasteve që kërkojnë shërbime psikologjike e psikiatrike në qendrën tonë. Depresioni, numri i ankthit te qytetarët është rritur kohëve të fundit. Ankthi është goxha i theksuar te qytetarët e Kosovës”- thotë tutje ajo.
Shumë pacientë e pak profesionistë shëndetësorë?
E derisa numri i pacientëve sa vjen dhe rritet, kapaciteti i profesionistëve për ta përballuar fluksin e vizitave sa vjen dhe ngushtohet. Kjo për shkak të mungesës së numrit të duhur të psikiatërve e psikologëve në qendrat e shëndetit mendor.
“Konkretisht, në qendër diku janë 1.800 pacientë që janë të rregullt me kartela. I kemi edhe rastet ambulatore. Kemi ngarkesa të shumta në punë. Kemi gjithsej një psikiatër në Prishtinë, qe e mbulon gjithë rajonin e Prishtinës, e një në Podujevë si dhe dy psikologë. Është e vështirë me këtë staf, ngarkesë, por jo e pamundur”- shpjegoi psikologia Bojaxhiu.
A paragjykohen pacientët nga psikologët?
Psikologët e këshillojnë secilin qytetar që vuan nga stresi i vazhdueshëm, që të trajtohet që në hapat e parë në mënyrë që të parandalohen kështu ankthi, paniku e depresioni.

E për zgjidhjen e këtyre problemeve, pa dyshim që është shumë i nevojshëm konsultimi me mjekun.
Por sa janë të sigurt pacientët te psikologët?
Psikologia Behare Bojaxhiu thekson se në seancën pacient - psikolog, biseda është e shenjtë.
“Gjithkush që mendon që ka nevojë në aspektin psikik, që ndien shqetësime, është i mirëseardhur në këtë qendër. Ne u ofrojmë [ndihmë] të gjithëve, atyre të ankthit dhe depresionit. Këtu nuk paragjykohet asnjë rast e asnjë pacient. Historitë e secilit janë konfidenciale. Asgjë nuk del prej kësaj dere. Psikologu nuk ka të drejtë të paragjykojë ose gjykojë një rast”- thotë ajo
E numri i pacientëve në këtë qendër është shtuar pas fillimit të pandemisë COVID-19.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tha në korrik se ndikimi i pandemisë në shëndetin mendor do të jetë “afatgjatë dhe i gjerë”./Nacionale.com/


