Pse po ikin nga Kosova? Rrëfime të qytetarëve që presin për vizë tek Ambasada gjermane - NACIONALE

Pse po ikin nga Kosova? Rrëfime të qytetarëve që presin për vizë tek Ambasada gjermane

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Dhjetëra të rinj, më shumë të rinj se të vjetër, ishin renditur para Ambasadës së Gjermanisë, të enjten në mesditë, në pritje të aplikimeve për termine - e unë doja të dija për çfarë arsye duan të largohen nga Kosova?

E di… mund të duket pyetje e palogjikshme dhe e kotë për disa prej jush e nesh, madje e tillë ishte edhe për ata që po rrinin nën stres e tension përballë Ambasadës së Gjermanisë në Dragodan të Prishtinës.

"Kuku me ditë ju n'çfarë stresi jom..." po më thoshte një burrë në ecje e sipër, derisa unë - me mikrofon në dorë e kameramanin prapa vetes - po i thoja "a bën një pyetje?"

Në fakt, ishte një ditë tejet e vështirë dhe frustruese për mua që qëndrova për orë të tëra para Ambasadës, në pritje të qytetarëve vullnetarë të përgjigjen në pyetjen time që njëri e quajti "pyetje palidhje" - cila është arsyeja pse dëshironi të largoheni nga Kosova?

Imagjinoni nivelin e katrahurës të një shteti, populli i së cilit befasohet kur dikush e pyet "pse dëshiron të largohesh?"

"Për do kushte ma të mira të punës", më tha Eduard Islami kur i bëra pyetjen e lartpërmendur.

"Papunësia në Kosovë është shumë e madhe, rroga shumë të vogla", thoshte tutje ai.

Ai po më tregonte se plot tetë herë kishte aplikuar për vizë më herët pa sukses, derisa kjo ishte hera e nëntë dhe "kam marrë përgjigje pozitive", më tha.

"Në Gjermani kur t'shkoj ko me shtru beton, edhe shpresoj që ko me ecë shumë mirë".

A mendon me u kthy prapë në Kosovë? - pyeta.

"Kosovën e du, është vendi jem, po... po e shoh që dallavere e sene... Jom t'u u ni shumë keq që unë po e lëshoj Kosovën, po... çka me ba? Duhet... për kushte më të mira", rrëfente Islami.

Pas shumë minutave, e tentativave të dështuara për të marrë një qytetar që priste në radhë për vizë gjermane, Valentin Marku u ndal dhe më dha hakun e dëgjimit.

"Për jo kushte shumë të mira, rrogat shumë të vogla. Ka shumë sene", tha Marku kur i bëra pyetjen e njejtë.

"Shkaktari kryesor pse po largohem, është papunësia".

Ai tutje zbuloi se Gjermanisë ia kishte vënë syrin për të përfunduar fillimisht shkollën profesionale.

"Unë ko me shku me punu 'Ausbildung' njëherë. Ko me marrë zanat edhe shkollë, atëherë me vazhdu më shumë në profesionin tem për IT".

A është kjo hera e parë që po aplikoni për vizë gjermane?

"Për vizë pune, prej që u hap aplikimi, çdo muaj kam apliku, derisa m'erdh fati qët muaj. Shyqyr", u përgjigj Valentini.

Papunësia ishte shkaktari kryesor edhe pse Labinot Blakaj ishte ngopur nga Kosova dhe po shikonte për një jetë të re në perëndim.

"S'ka... për ma mirë menon njeri me shku. Nuk ka rroga, nuk ka. Më herët këtu në Kosovë kam punu ndërtimtari, edhe në Gjermani du me vazhdu në ndërtimtari", u shpreh Blakaj.

Edhe Riad Rrahimi, tjetër i ri që e ndala për të biseduar, e kishte të qartë çka do të punonte me të shkuar në Gjermani.

Ashtu edhe si shumë të tjerë si ai dhe më ndryshe ndoshta, varësisht nga këndvështrimi, ai kishte siguruar kontratë pune në McDonalds.

Në anën tjetër, Hasim Morina shëndetësinë e kishte arsyen kryesore pse nuk donte të ishte më pjesë e Kosovës.

"Më shumë kisha thonë (se po du me shku në Gjermani) për shkak të shëndetësisë valla. Unë jom me profesion shofer", tha ai, duke treguar se synonte të ndiqte të njëjtin profesion edhe në Gjermani.

Nëse shkoni, a mendoni me u kthy prapë apo me mbetë atje? E pyeta.

"Nuk e di. Duhet me provu fatin. Nëse osht fati jem, rri. S'është, duhet me u kthy", më tha.

Pas një ditë të tërë të kaluar para Ambasadës së Gjermanisë, e kisha të qartë se Kosova, nëse veç nuk ka qenë e dokumentuar deri tash, është larg të qenurit vend ideal për të jetuar.

"Guri i rëndë peshon në vend të vet", por guri nuk po del të jetë elementi ekzistencial që parandalon largimet në kërkim të mirëqenies ekzistenciale.

Lajme të ngjashme