Pse Amerika po refuzon të takohet me neve, përgjigjen qytetarët: Amerikën e kemi babë edhe nanë - NACIONALE

Pse Amerika po refuzon të takohet me neve, përgjigjen qytetarët: Amerikën e kemi babë edhe nanë

3 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Sekretari amerikan, Antony Blinken nuk u takua me zyrtarë shtetëror kosovarë në konferencën e Mynihut, dhe kjo është lexuar si pakënaqësi e ShBA-ve me politikat e Kurtit dhe Osmanit - por çka mendojnë qytetarët.

Në vlugun e krejt zhvillimeve e mungesës së një takimi të kryqeveritarëve kosovarë me sekretarin amerikan, Blinken, vendosa të dilja rrugëve të qytetit dhe të shoh e dëgjoj nga afër qëndrimet e qytetarëve në lidhje me këtë temë.

Fundja, kjo po përdoret si pikë referente për të nënvizuar raportet e brishta mes Kosovës dhe ShBA-ve kohëve të fundit - kryesisht prej ardhjes në pushtet të Kurtit e së këndejmi.

Lidhja e popullit kosovar me atë amerikan dhe rëndësia e njohjes dhe mbështetjes nga ta, tejkalon kuadrin politik. Bazamenti i Republikës së Kosovës është vënë pikërisht mbi mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-ve.

Prandaj, kosovarët, shtetndërtimin dhe çlirimin nga forcat e okupatorit serb, ia atribuojnë pikërisht Amerikës me aleatë.

"Pse po menon që Amerika po refuzon me u taku me neve?" Ishte pyetja ime për vdektarët që i takoja në rrugë, e të cilët pranonin të përgjigjeshin (më shumë jo se po).

"Amerikën e kem babë edhe nanë për neve", më tha një qytetar në rrugë në lagjen "Pejton".

"Amerikanëve iu kisha thënë, ju bëni çka t'doni me neve", shtoi tutje ai.

Një qytetar tjetër në zonën të njohur gjërësisht në komunitet si "Mbi kurriz", pati po ashtu disa fjalë interesante.

"Kryeministri është narcizoid, i dashurumë në vetëveten. Vetëm ai është i mençur, me kërrkond s'konsultohet," u shpreh ai.

Një grua, tutje, pati përgjigje të shkurtër por të veçantë, më e pakta që mund të them, edhe pse është për debat saktësia.

"Se jena shtet i lodhtë," u shpreh ajo, duke aluduar se Amerika nuk takohet me shtete "të lodhta".

Pati edhe të tillë që refuzuan ta pranonin se Amerika po heziton të takohet me qeveritarët kosovarë, duke thënë:

"Nuk është e vërtetë.Amerika gjithmonë ka qenë aleat i Kosovës, i Shqipërisë dhe i krejt shqiptarëve," potencoi ai. Tentativat e mia që t'ia shpjegoja të bëmat apo të mos bëmat e Blinkenit në Mynih për t'u takuar me tanët, po ashtu nuk u pranuan.

"Ja, nuk besoj, nuk është e vërtetë," u shpreh ai.

Në anën tjetër, një burrë që po vinte në drejtimin tim përkrah, me gjasë, bashkëshortes, insistoi të jepte informata tjera, jo relevante për pyetjen time.

“I martumë, dy fëmijë, pensionerë,” më tha, për hutinë time, të kameramanit dhe të shumë prej atyre që e shikuan më vonë videon e Nacionales.

Shikoni videon e plotë më poshtë.

Lajme të ngjashme