Pritje e gjatë e në kundërmim të tmerrshëm: një ditë në Ambulancat Specialistike të QKUK-së - NACIONALE

Pritje e gjatë e në kundërmim të tmerrshëm: një ditë në Ambulancat Specialistike të QKUK-së

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tashmë dihet gjerësisht se ka shumë parregullsi. Që nga rampa e deri te sportelet e pastaj kontrollet te mjeku e infrastruktura, që le shumë për të dëshiruar, janë këto disa nga sfidat me të cilat ballafaqohen pacientët. Njëjtë ndodhi edhe të martën.

Por çka pamë të martën në objektin e Ambulancave Specialistike të QKUK-së?

Në objektin në të cilin gjenden ambulancat specialistike në QKUK, gjenden dy dyer të mëdha, hyrëse dhe dalëse. Sidoqoftë, aty, në dispozicion për qytetarët ishin vetëm dyert hyrëse.

E si rrjedhojë, që në hyrje të këtij objekti krijohej tollovi. Nga të hyj e nga të dalë, ishte pyetja e shumë prej atyre që e vizitonin të martën këtë vend për të kërkuar trajtim mjekësor.

Me të shkelur brenda hapësirave të ambulancave specialistike të QKUK-së, secili qytetar të martën do të përballej fillimisht me erën e pakëndshme që kundërmonte aty.

“Mu smu me këtë erë. Shumë zor, po vjen prej banjës”- na tha një person që po priste në radhë për t’u kontrolluar te njëri nga mjekët që shërbenin aty.

E kur jemi te radha, me plot bindje e themi se ishte disametërshe.

Shumë pacientë nga e gjithë Kosova kishin marrë rrugë qysh në orët e para të mëngjesit për t’u kontrolluar te njëri nga mjekët që kryenin kontrolle në këto ambulanca specialistike.

Pacientët që po kërkonin shërbim aty, ishin shumica të pozicionuar te dhoma e kardiologjisë.

E për kontrolle te mjeku i zemrës, të martën nga Janjeva kishte ardhur edhe zonja Rifadije Bytyqi, 68-vjecare.

Ajo ka shumë kritika për mënyrën e funksionimit në repartet e atij ambienti. Thotë se nga mjeku ishte udhëzuar që në ora 11:00 të ishte aty. Por me të ardhur, ajo tregon se pa që e priste radhë e gjatë deri te vizita te mjeku.

"Në orën 11:00 kam pasë me hy te kardiologu këtu. Prej 11-ve, qe, ora 12:00, nuk është në rend me hy. E mjeku mua ma bani: në 11:00 fiks me ardhë, nëse s’je në 11:00, unë nuk të pranoj. E tash pse me pritë unë?. Hyjnë pa rend pacientat. Nuk është e drejtë kjo. Jam 68-vjeçare, nga Janjeva me mëngjes jam nisë për me ardhë. Jam shumë e dëshpëruar. Një i ri me ardhë e me u këqyrë pa rend, nuk shkon kjo kështu. Zemra po më mundon, ka nisë me mu ajë pak. E me e kontrollu, si kapadai vijnë. Mjekët janë për pacientë, ne jemi të sëmurë. Nuk po e ndiej veten mirë edhe pse po i them këto fjalë"- i tha ekipit të Nacionales kjo paciente.

Nga Kamenica drejt Prishtinës, qysh në orën 8 të mëngjesit, kishte ardhur edhe një pacient 73-vjeçar për ta marrë numrin, i cili ia siguron vendin për ta marrë shërbimin në ambulancën e ortopedisë.

Ky pacient, edhe pse në moshë të shtyrë, tha se u udhëzua nga mjekët e Spitalit të Gjilanit që t’i kryente kontrollet në QKUK.

E kam pas thy dorën, këtu në zog. E kam pasë në gips. Ka dy muaj gati që e kam heqë gipsin. Po tash me dorë s’po muj çoj thuajse asgja. Ujë mezi po pi. E atje në Gjilan (mjekët), më thanë: Jo, veç në QKUK duhet me shku”- i tha Nacionales ai.

Kujtojmë se në këto ambulanca, qindra pacientë marrin trajtim nga mjekët specialistë të QKUK-së.

Në këtë objekt janë ambulancat specialistike të shumicës së klinikave të QKUK-së./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme