Policia jep detaje: Si tentuan tre persona ta shesin parcelën në vlerë të 250 mijë euro me dokumente të falsikuara
Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin e tre personave të cilët dyshohet se tentuan të shesin një parcel me vlerë të lartë, përmes dokumenteve të falsifikuara.
Fillimisht, të premten përmes një komunikate për media, policia njoftoi se parcela ndodhet në Zonën Kadrastrale të Matit në Prishtinë.
“Pas ndërmarrjes së veprimeve gjithëpërfshirëse hetimore, hetuesit policor identifikuan të dyshuarit, kohën dhe vendndodhjen e tyre të synuar për kryerjen e mashtrimit, në një zyrë noteriale në Gjilan.
Kësisoj, rreth orës 11:30, policia arrestoi tre të dyshuar, (dy meshkuj dhe një femër) dhe në përputhje me aktvendimin e nxjerrë nga prokurori i shtetit, caktoi masën e ndalimit prej 48 orësh.” – u tha në një komunikatë.
Pas hetimeve, policia ka identifikuar edhe një person tjetër, i cili është ende në kërkim.
Ndërkohë, të shtunën përmes raportit 24 orësh, policia e Kosovës ka dhënë detaje të tjera. Vlera e parcelës që të dyshuarit tentuan ta shesin ishte rreth 250 mijë euro.
“Është raportuar se katër të dyshuar, tre meshkuj dhe një femër kosovarë, kanë tentuar që me dokumente të falsifikuara të bëjnë një kontratë te noteri, autorizim për shitje të një parcele në vlerë rreth 250 mijë euro. Gjatë veprimeve hetimore është arritur të identifikohen dhe të arrestohen tre të dyshuarit dy meshkuj dhe një femër, ndërsa njëri gjendet në arrati. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.” – thuhet në raport, transmeton Nacionale.