16 vite nga opinioni që konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë nuk shkleli të drejtën ndërkombëtare - NACIONALE

16 vite nga opinioni që konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë nuk shkleli të drejtën ndërkombëtare

2 orë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Liriona Morina

Gjashtëmbëdhjetë vite pas Opinionit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) lidhur me Deklaratën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ky akt juridik vazhdon të përbëjë një nga shtyllat më të rëndësishme të argumentimit juridik ndërkombëtar për shtetin tonë, Kosovën. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë jo vetëm që hodhi poshtë pretendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por vendosi një standard të rëndësishëm juridik lidhur me mënyrën se si duhet të analizohen aktet e tilla në rendin juridik ndërkombëtar.

Në thelb, GJND-ja konstatoi se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur asnjë normë të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare. Gjykata arriti në përfundimin se nuk ekziston një ndalim i përgjithshëm juridik që pengon shpalljet e pavarësisë dhe se akti i miratuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit të Kosovës nuk ishte në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara apo me kornizën juridike ndërkombëtare.

Rëndësia e këtij konstatimi qëndron në faktin se, për herë të parë në mënyrë kaq të qartë, organi më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara trajtoi çështjen e Kosovës përmes një analize të pastër juridike dhe jo përmes kalkulimeve politike. GJND-ja nuk vendosi mbi bazën e interesave të shteteve apo presioneve diplomatike, por mbi ekzistencën e normave juridike. Pikërisht këtu qëndron pesha historike e këtij opinioni, pasi që ai e zhvendosi debatin mbi Kosovën nga arena e kundërshtimeve politike në fushën e interpretimit dhe zbatimit të së drejtës ndërkombëtare.

Ky opinion ka rëndësi të veçantë edhe për faktin se konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte një akt arbitrar kundër rendit juridik ndërkombëtar, por një akt që nuk bie ndesh me parimet dhe normat e zbatueshme të këtij rendi. Në këtë kuptim, Opinioni i GJND-së përbën një bazë të rëndësishme juridike për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe për argumentimin se shtetësia e Kosovës nuk është rezultat vetëm i një zhvillimi politik, por edhe i një procesi të mbështetur në konstatime juridike ndërkombëtare.

Edhe sot, gjashtëmbëdhjetë vite më vonë, vlera e këtij opinioni nuk matet vetëm me ndikimin që pati në procesin e njohjeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Rëndësia e tij qëndron në faktin se ai krijoi një pikë të fuqishme reference juridike për Kosovën dhe përballë çdo debati mbi ligjshmërinë e pavarësisë së shtetit tonë.

Në këtë kuptim, Opinioni i GJND-së mbetet jo vetëm një moment historik për Republikën e Kosovës, por edhe një dëshmi se në përballjen ndërmjet argumentit politik dhe argumentit juridik, është forca e së drejtës ajo që përcakton legjitimitetin në rendin ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme