'Të neveritshme dhe nxitëse', kongresmeni amerikan 'godet' ministren serbe pas deklaratës fashiste për Kosovën - NACIONALE

'Të neveritshme dhe nxitëse', kongresmeni amerikan 'godet' ministren serbe pas deklaratës fashiste për Kosovën

1 orë më parë

nga NACIONALE

Kongresmeni republikan, Joe Wilson, i cili është i angazhuar edhe në çështje që lidhen me Ballkanin Perëndimor, ka reaguar ndaj deklaratës fashiste të ministres së Qeverisë së Serbisë.

Wilson tha se këto deklarata të neveritshme, janë pikërisht arsyeja pse Asambleja Parlamentare e OSBE-së nuk duhet ta shqyrtojë nëse Beogradi duhet ta organizojë sesionin vjetor për vitin 2027.

Këto deklarata të neveritshme dhe nxitëse nga një zyrtare e Qeverisë serbe janë pikërisht arsyeja pse Asambleja Parlamentare e OSBE-së nuk duhet ta shqyrtojë kandidaturën e Beogradit për të organizuar sesionin vjetor të vitit 2027. OSBE-ja është krijuar për të ndërtuar konsensus në Evropë, jo për të rindezur tensionet etnike”, ka shkruar ai në X.

Duhet theksuar se ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale e Serbisë, Snezhana Paunoviq, ditë më parë u deklarua në televizionin serb “Kurir TV”, duke thënë: “Po të isha në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kisha spastruar etnikisht Kosovën”.

Për këtë deklaratë reagoi edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili theksoi se ajo nuk përfaqëson politikën e Presidencës apo të Qeverisë së Serbisë.

“Politika jonë bazohet në dialog, kompromis, paqe dhe stabilitet, e kurrë në spastrim etnik. Ky është qëndrimi ynë dhe duhet të jetë krejtësisht i qartë”, deklaroi Vuçiq.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës e shpalli Paunoviqin “persona non grata”, duke i vendosur ndalim të përhershëm të hyrjes dhe kalimit transit në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu, kjo deklaratë skandaloze e ministres serbe ka ngjallur reagime të shumta, si brenda Kosovës, ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Duhet theksuar se kongresmeni republikan, Joe Wilson, është anëtar i vjetër i Komitetit për Punët e Jashtme dhe Komitetit të Shërbimeve të Armatosura. Gjithashtu, ai mban rolin e kryetarit (Co-Chairman) të Komisionit të Helsinkit (CSCE), ku shpesh është i angazhuar me çështje që lidhen me Ballkanin Perëndimor.

Lajme të ngjashme