“Policia e çon te shtëpia Inspektoratin”: Policia e Kosovës reagon pas deklaratave nga Përparim Rama
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, sot vendosi të rifillojë punimet në sheshin “Xhorxh Bush”.
Pasi punimet ishin ndërprerë nga Inspektorati, Rama tha se Policia e çon Inspektoratin te shtëpia.
Pas kësaj deklarate ka reaguar Policia e Kosovës.
"Drejtoria Rajonale e Policise së Kosovës -Prishtnë, informon opinionin publik se prezenca e zyrtarëve policorë në sheshin "George Bush" në Prishtinë, sot ishte në asistim të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, për aktivitete të planifikuara në kuadër të punës sekondare, aktivitete këto që nuk ndërlidhen me asistimin e kryerjes se punimeve në atë zonë", thuhet në reagim.
“Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera. Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje institucionale në përputhje me ligjin dhe për të garantuar sigurinë publike, duke respektuar gjithmonë kufijtë e kompetencave të saj”, ka thënë Policia e Kosovës.