Pazari i kerreve bëhet pazar luksoz: Si mbeta duarbosh edhe pse doja të bleja gjëra të përdorura?
Inflacioni po bën kërdi në Kosovë duke varfëruar përditë qytetarët. Por, si qëndron puna te i famshmi “pazari i kerreve” në Fushë Kosovë? Shkova, pashë dhe u pushtova prej tij.
Tregu i makinave, apo siç njihet popullorçe “pazari I kerreve” fillon çdo të diele në ora 7 të mëngjesit.
Për t’u bërë pjesë e këtij tregu, duhet të zgjoheni në orën 5 nëse jeni tregtar për të zënë një hapësirë më qendrore, e nëse dëshiron të blesh ndonjë gjë duhet të shkosh që në ora 7, pasi që interesimi është I madh.
Hyrja për tregtarët është 5 euro, një shumë simbolike e cila i paguhet komunës si një taksë për të lejuar shitjen e mallrave.
“Këtu veç nanë e babë që nuk gjenë, krejt I ki,” - tha një nga tregtarët i cili vinte nga Fushë Kosova e afërt
Por, a e kishte me të vërtetë atë që e tha?

Tregu i ka disa hyrje, secila më e ngushtë se tjetra, disa të vendosura në rrugë që të mos shkelësh në baltën e cila është formuar nga të reshurat. Secila hyrje e ka veçantinë e vet, pasi që secila hyrje e ka të caktuar se çfarë të shes.
Për të shkuar tek hyrja kryesore, duhet të kalosh ne mes tregtarësh që shesin mobilie të ndryshme, pula, zogj, lepuj, qenë, peshq, djathë, vezë - por edhe vezët janë të ndara. Vezë pule nga fshati, vezë pule nga ferma, veze qure, veze fëllënzash etj.
‘’Moti vijë këtu për më i shitë sendet të cilat I mbledhi gjatë javës; nuk e kam një punë tjetër mbahem më ato që I shes këtu në ‘’pazar’’, këtu ka tregtarë të cilët i kanë dyqanet e veta që shesin gjatë javës pastaj vinë këtu në fundjavë. Unë kryesisht shes mjete të lehta të punës, por nganjëherë edhe tesha e patika. Shkurt me thanë, çka do që më qëllon,” - tha Xhemajli I cili vinte nga një fshat I Mitrovicës.
Produktet e bulmetit në njërën anë, ndërsa frutat e perimet në anën tjetër.
Duket se frutat dhe perimet të cilat gjenden në tregun e së dieles vijnë direkt nga arat e bahçet e tregtareve.
“I kemi disa lloje të dardhave, arrave, mollëve, patate, qepe të reja... Krejt çka je tu pa këtu janë prej arave të mia, krejt bio. Varësisht nga sezona dallojnë edhe produktet qe i shes, po edhe çka kane interes njerëzit për me ble,” - tha një nga tregtarët i cili çdo të diele nga Vushtrria, ne ora 5 merr rrugën për ne treg.
Zërat kumbues, të tregtarëve ‘’Hajde djathë fshati 2 euro killa’’, ndërsa tjetri produktin e njëjte e shiste për 1.50 euro, për t’i bërë konkurencë fqinjes rivale.
Nuk pata edhe shumë interes që të blejë ndonjë kafshë apo produkte bulmeti por as ndonjë mobilie për shtëpi.
Vazhdova drejt hyrjes, pamja e parë ishin disa makina që përdorën për fitnes*, biçikleta, pajisje për punë të ndryshme, të cilave nuk u a di as emrin, pajisje për rregullim të kopshtit, sharra elektrike, makina rroje, kompjuter, telefona, helmeta, orë dore e rroba banje.
Ky ishte një sektor i ndarë nga të tjerët, pasi që personat të cilët ishin të interesuar për këto pajisje ishin kryesisht zanatlinjtë të pajisjeve apo edhe ndonjë kalimtar rasti të cilëve iu kishte rënë ndërmend se në këtë treg mund të gjenin ndonjë pajisje praktike për rregullimin e ndonjë objekti në shtëpi.
Mos të flasim për çmimet në këtë sektor, të cilat sipas mendimit ishin shumë të larta, duke marrë parasysh se pajisjet ishin të përdoruara tashmë, e ti ishte veç dora e dytë a e tretë që i përdorje.
Të njëjtin mendim e kishin edhe disa klientë tjerë, të cilët u shtangën kur mësuan për çmimin e një baterie koke për të bëre dritë në vende të errëta.
“Çmimin e ka 5 euro,” tha tregtari.
“Qysh bre 5, po e re është 3-4 euro,” - tha një nga blerësit potencial.
“Kjo është gjermane, nuk është e Kinës që menjëherë prishet. Se ka kjo me punu me orë, punon sa të duash,” e ktheu tregtari.
“Jo, Jo shtrenjtë nëse don për 3 euro,” tha blerësi potencial.
“Nuk mundem, unë për vete e marr 3, tash me ta shit ty 3, ku po më mbet mu fitimi,” - tha tregtari.
Vazhdova për tek pjesa e cila më interesonte mua, sektori i vesh-mbathjes.

Një numër i madh, më i madh se në sektorin e pajisjeve të punës ku qëndrova për disa minuta më herët.
Në këtë pjesë ajo se çfarë nuk pashë shumë në sektorët e tjera ishte prezenca e grave.
Si duket, forma e ndërtimit të tregut ishte e bërë për burra, pasi që secila grua ishte nën shoqërimin e një burri, e si për çudi edhe unë isha e shoqëruar nga një burrë.
Kjo më bëri që të mendohem për të gjithë hapësirën ku të gjithë tregtarët ishin burra, madje edhe fëmijët e tyre që i shoqëronin ata ishin djem të vegjël, që mësonin nga prindërit e tyre për mënyrën e të bërit tregti.
Gratë të cilat ishin prezente, kishin vetëm një detyre: blerjen e rrobave për fëmijët e tyre apo bashkëshortorit.
‘’A ki numër 35, prej këtyne këpucëve të dimrit’’
‘’Jo motër, veç qeta numra qe po i sheh krejt kah një pare janë’’,

Në menyre të pavetëdijshme, fillova të përcjell levizjët e një gruaje së bashku me fëmijët e saj, natyrisht e shoqëruar nga bashkëshorti.
Të gjitha ndaljet i bënte tek këpucët dhe rrobat për fëmijë.
Një zë i Dervish Shaqës, ‘’Eeee, O thye zemra osht bo sharkie, për me knu o për ty Shqypnie...’’, më ktheu tek realiteti i ‘’pazarit’’, ku në anën tjetër shiteshin CD të ndryshme muzikore, venyla dhe pajisje ushtarake të luftës së dytë botërore. Një miks i çuditshëm, por goxha interesant. Një medalje nderi e kohës së nazistëve ndërsa në anën tjetër një çifteli e një punim i flamurit kombëtar.

Ishte duke shitur një i moshuar me plis, i cili ishte përhumbur nën tingujt e këngëve me sharkia, të cilit interesimin për tek tezga e tij nuk ju duk i rëndësishëm.
Madje, edhe pyetja për çmimet e disa nga objekteve në stendën e tij, i ktheu me një gjysmë zëri.
‘’3 euro, 5 euro’’.
S’po i prishnim rehatinë, vazhdova përnjëmend të shikoj një jakne dimri, pasi që ditët e ftohta vetëm se kanë ardhur.
Në të njëjtën mënyre si një nga personat pak me lart i cili ishte shtangur me çmimet astronomike, edhe unë mbeta gojëhapur me 50 eurot e tregtarit.
‘’Qysh bre “second-hand”(dora e dyte), 50 euro’???
‘’Me firmë është, të njëjtën e shes 70 në Mitrovice’’, më tha tregtari.
‘’Paj, nashta e kisha ble te re nëse veç isha kanë për me i jep 50,” – ia ktheva,
“Ani shko bleje pra,” më tha dhe u larguar nga pjesa ku po qëndroja.
Para disa viteve, jo shumë larg ndoshta 3-5 vite, ku në “second-hands” shops - kanë blerë vetëm personat të cilët e kanë pasur nevojën, kur ende nuk ishte trend global, që të blesh rroba të ricikluara je ‘’cool’’ - për një jakne të tillë do të paguaje jo më shumë se 5 euro.
Në të vërtetë çmimet kishin arritur në qiell, më nuk mund të blesh patika për 10 euro apo jakne për 5 euro.
Treg i makinave apo treg i shumëllojshmërisë së gjërave?
Makinat të cilat ishin në shitje, ishin në një pjesë tejet të vogël. Ndoshta më hapjen e salloneve te makinave dhe faqeve online të cilat merren më shit-blerje, interesimi i njerëzve për të shitur makina por edhe për të blerë, pikërisht në tregun i cili është krijuar për ketë gjë, ishte fare i vogël mos të themi hiç.
Interesimi ishte tek frutat dhe perimet të cilat vinin nga fshati, këpucëve të ndryshme si dhe pajisjeve të punës.
Prandaj një tregtar kishte dy stenda të ndryshme për shitjen e këpucëve, ku në njërën stendë çmimet ishin më të larta, duke u thirrur në kualitetin dhe markën e këpucëve, ndërsa në tjetrën ishin më të lira me pretekstin se ishin më të përdorura.
‘”Nër 25 euro nuk ka kurrgjë, edhe ato 25 janë për fëmijë, nëse don ma lirë mundesh me shku qatje me të kaltër është e vëllait tim, aty mundesh me gjetë edhe me kah 10 euro,” - tha Hivziu nga Fushë Kosova.

I shikova patikat të cilat para 5 viteve i kam blerë në të njëjtin treg për vetëm 3 euro, e që sot të njëjtat kanë çmimin 25 euro.
Ndoshta edhe arsyetohet çmimi i lartë i produkteve, por për mua këto çmime ishin tejet të fryra, pasi që jemi duke bërë “Pazar” për gjëra të përdoruara nga një apo më shumë persona, para se të arrijnë në dorën tënde.
Mospajtimi më çmimet ma zbehu dëshirën që të interesohem për ndonjë produkt në veçanti, dhe për atë arsye mbeta duarbosh.
Teksa dilja, nga tregu shihja fytyra të kënaqura më pazarin e bërë por edhe nga ata të cilët ankoheshin për çmimet si dhe për mosgjetjen e produkteve.
Për të iu kthyer thënies së famshme “Veç nanë e babë, nuk mundesh me gjete këtu.” Ndoshta po, por shtrenjtë!