“Nuk po mundem me i bë ballë” – Rrëfimi ekskluziv i babait të njërës nga vajzat e mitura, që u përfshi në aktin e dhunës në Gjilan - NACIONALE

“Nuk po mundem me i bë ballë” – Rrëfimi ekskluziv i babait të njërës nga vajzat e mitura, që u përfshi në aktin e dhunës në Gjilan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mesazhi kryesor i babait të njërës nga vajzat e mitura, të përfshira në një akt të rëndë dhune ndaj një bashkëmoshatareje në Gjilan, është që prindërit të kenë kujdes me rrjetet sociale që përdorin fëmijët e tyre. I kërkon falje viktimës dhe familjes, megjithëse thotë se ‘e di që kërkim-falja e tij është e papranueshme’. Thotë se videon e pa veç një herë, se s’mundi t’i bëj ballë...

Katër ditë më parë, Gazeta Nacionale publikoi një video ku dëgjohen disa të mitura duke ushtruar dhunë ndaj një të miture tjetër.

Ngjarja që ndodhi në Gjilan, ka tronditur opinionin publik dhe Nacionale, vendosi ta publikojë videon [të modifikuar teknikisht sipas parametrave profesional] – në mënyrë ndërgjegjësimi për shoqërinë tonë dhe po për këtë arsye, gazetari Burim Pacolli, ka intervistuar në kushte anonimiteti edhe një nga prindërit e njërës prej vajzave të mitura, të involvuara në këtë akt të rëndë dhune.

Mesazhi kyç i babait të njërës nga vajzat e vogla, të përfshira në këtë akt dhune, është që prindërit të kenë më shumë kujdes ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët e tyre.

Tonaliteti i këtij prindi që flet në kushte anonimiteti për Nacionalen, është plot dhimbje.

Thotë se e di që ‘akti nuk mund të zhbëhet më’. Viktimës [vajzës së mitur] i kërkon falje edhe pse shton që ‘e di sa falja e tij nuk do të pranohet’.

Më poshtë, intervista e plotë e Burim Pacollit dhe prindit të së miturës (referuar: Babai);

***

Burim Pacolli: Si u ndjetë kur e patë për herë të parë videon e ngjarjes?

Babai: Diçka e paimagjinueshme. Diçka që nuk e beson që mundet me kanë vajza jote aty.

Burim Pacolli: Kur e more vesh për herë të parë për atë që ka ndodhë?

Babai: Domethanë, kam marrë vesh të nesërmen të asaj ngjarje që ka ndodhë, më ka tregu vajza, e kam pa videon dhe u kanë diçka shokuese prej meje.

Burim Pacolli: Qysh ta ka interpretu vajza ngjarjen kur ta ka tregu?

Babai: Po vajza, në ato momente, nuk e bani aq të madhe, kur e pashë videon, pashë dhunë maltretim prej një vajze që nuk e bën këtë, prej një vajze që është e shkollume, me sukses të shkëlqyeshëm, me sjellje fenomenale, me ardhë në atë ndikim, nuk kam koment për këtë.

Burim Pacolli: Cili ka qenë roli i vajzës tuaj në ngjarje?

Babai: Videon e kam pa vetëm një herë, për tjera herë nuk kam mujtë me bë ballë me pa. Kam pa që ka xhiru, por me siguri se ato janë ndërru gjithë. Nuk mundem me thanë saktësisht çka se nuk kam mujtë me bë ballë me pa videon që me analizu se cili ka qenë roli saktësisht i saj.

Burim Pacolli: Ti po thu që vajza ka qenë e shkëlqyeshme dhe nuk ka dhënë indikacione më herët për mundësinë që mund të shfaq shenja dhune...?

Babai: Jo, vajza u kanë shembull sidomos këtë vit në shkollë për notat që ka arritë, sa herë që ka kërku leje për me dalë edhe pse ka dalë, e kam përcjellë e kam dërgu te shoqet që ka pasë me shku me makinë, tuj u ruajtë, se po e shofim se në çka jemi tuj jetu. Nuk kam deshtë me toleru me i ndodhë diçka vajzës tem, e aq ma tepër dikujt tjetër.

E pse…çfarë momenti erdhi ky, qysh me thanë, cili…qysh erdhi te ky moment, i zezë me thanë, nuk mundem me paramendu.

Burim Pacolli: E çka po mendon që ka shku keq, mes asaj që ka shku në shtëpi edhe asaj qysh është sjell vajza. A ke pasë ndodnjë moment, që ke thanë, këtu ndoshta ishte faji im, këtu kam mundur ta bëj më mirë...?

Babai: Kjo është që nuk e kam mendu asnjëherë këtë potencial, se sjelljet që i ka pasë vajza, shoqërinë në përgjithësi, qysh erdhi te ky moment, me thanë i dhunës, po…nuk e di, nuk mundem me besu, se gjithmonë e kam pasë nën kontroll, me shoqëri kur është taku, shumë herë kur e kam pyet se ku jeni, ma ka tregu vendin se ku janë, gjithmonë e kam pasë parasysh me pa a po ma tregojnë drejt.

Shumë herë nuk i kam lënë rrugëve, i kam çu me kerr nëpër shpia, gjithçka jam mundu me i pasë më të afërta, me kanë nën kujdes të një prindi të paktën.

Shembull kemi marrë me vajzën, për x persona, që nuk kanë kujdes ndaj fëmijëve të vetë. E me ardhë në atë pikë, që s’un po e imagjinoj, s’un po e imagjinoj që ka ndodhë kjo.

Burim Pacolli: Cilat kanë qenë rrethanat e ngjarjes? Ku ka ndodhë? Në çfarë ore ka ndodhë dhe ku keni qenë ju në ato momente?

Babai: Unë atë ditë kam qenë në punë, sigurisht duke u kthy prej rrugës. Vajza ka qenë te dajtë, siç ka dhënë edhe deklaratë në Polici, shoqet kanë shku e kanë marrë.

Diku kah ora 6 e mbramjes.

Natën, po, por ai vendi ku është, është më i errët.

Gjatë rrugës, deklaratë qysh është, e kam dëgju, i kanë tregu se çka është mosmarrëveshja ndoshta e një fjale, e sidomos këtu bëjnë punë edhe rrjetet sociale, të cilat ndoshta po duhet me i kontrollu ma shumë na si prindë.

Burim Pacolli: A ke folë më vajzën, çka e ka shkaktu këtë?

Babai: (Ka qenë), sharja ndaj saj, ka sharje ofenduese, në çdo qosh. Nuk e kanë llogaritë edhe këto që ka me eskalu situata ashtu.

Burim Pacolli: A ka tregu shenja pendese vajza?

Babai: Shenja pendese…normal për momentin, kemi qejf, viktima të jetë shëndosh, e na po mundemi me paramendu kur vajza jonë e ndien këtë kaq thellë në zemër dhe s’mundet me u ballafaqu me atë që ka bë, si mund të ndihet ajo viktimë.

Burim Pacolli: A keni pasë kontakt me familjarët e viktimës, pas ngjarjes?

Babai: Tash jo, tash jo.

Burim Pacolli: Qysh ka qenë marrëdhënia jote si prind me vajzën?

Babai: Shembullore, shumë mirë, i afërt, si prind, si shok ndonjëherë. Kemi…shumë të afërt jemi kanë edhe jemi.

Burim Pacolli: Çka tregon ajo?

Babai: Ka qenë një herë e bullizume, po unë si prind tuj mos deshtë me eskalu situatat, kam bisedu me prindërit e bullizuesve dhe jemi marrë vesh…sot e atë ditë, nuk po them që i ka shoqe të ngushta, por i ka shoqe të cilat nuk kanë nevojë ato me u ruajtë prej kësaj, i kemi tejkalu situatat si është më mirë.

U kanë sportiste, u kanë muzikante, ndoshta prej gjanave që i janë thënë, asnjanën nuk e bën.

Po nuk kam marrë hapa të mëtejshëm, tjerë, shkaku që e kam pa që shkolla po i shkon mirë, sjelljet i ka të mira…ok, kam thënë se mundet me i dalë prej qejfi volejbolli apo muzikën që e ka pëlqy ndërkohë do t’i kthehet.

Po nuk e di, ndoshta tjerët prindër nuk janë si unë, ndoshta me i zbutë situate.

Unë e di që është një rast që nuk falet, unë e di që ky është një maltretim që nuk mundem me pa. sa herë që del ajo video, mundohem me zhdukë.

Burim Pacolli: Çka mendon se mund të përmirësosh si prind, para se ta delegosh te vajza atë...?

Babai: Ndihmë profesionale vetëm kërku. Ndihma profesionale ndaj vajzës është kërku.

Jemi në trajtime, me psikologë. Pyetja ke çka kam marrë masa. Sjellja jem ndaj vajzës, nuk po them që…duhet me kanë hala ma i afërt me të, me pa nga brendësia vajza që është një dhunë që nuk duhet të përsëritet. Duhet me u harru ajo.

Gjithë i kam mendët të viktima. Nuk ka falje. S’ka…si me thënë çdo kërkim- falje publike ndaj saj nuk mjafton.

Burim Pacolli: A njiheni me prindërit e vajzës dhe të vajzave tjera që ishin te involvuara në këtë akt?

Babai: Është një grup vajzash që të gjithëve ua njofim prindërit. Të gjithë janë prind që nuk lejohet prej prindërve kjo gjë me ndodhë.

E njofim edhe prindin e vajzës të viktimës. Është njeri shumë i respektueshëm. Vajza e tij është shumë e respektueshme.

Kjo është diçka që po më mundon më së shumti, si erdhi te ai moment shumë i keq.

Burim Pacolli: Çka mendon që e shtyu vajzën drejt një akti të tillë? Shoqëria, ishte momenti, ndonjë manipulim..?

Babai: Momenti aty ka qenë, të cilin, kanë humb ndjenjat. Si të them, rrjetet sociale të tepërta, që duhet me të vërtetë, me të vërtetë na si prind të kemi shumë kujdes ndaj këtyne gjanave.

Burim Pacolli: A po thoni që vajza juaj është ekspozuar shumë ndaj videove të dhunës nëpër rrjete sociale?

Babai: Unë, prej rrjeteve sociale kisha kërku të paktën, që ma merr mendja edhe ti je i të njëjtit mendim, që të mos e shfrytëzojnë këtë mundësi vetëm për klikime.

Na ndihemi shumë fajtorë që ka ndodhë. Vajza e ndien thellësisht traumën që ka ndodhë. Traumën që e ka kjo tash, çka ka viktima.

Nuk po e hjeki prej gojës viktimën se shumë jam në brendësi të saj.

Burim Pacolli: Cili është mesazhi juaj për prindërit tjerë?

Babai: Të kenë kujdes, shumë le të kenë kujdes gjatë rrjeteve sociale që përdorin. Të jenë me ta në çdo moment. Asgjë nuk të vyen ma shumë se një fëmijë i yti me pa që është mirë, e jo në atë mënyrën që unë e kam pa.

Burim Pacolli: Qysh shpreson që do të mbyllet kjo çështje?

Babai: Unë i besoj gjykatave, i besoj plotësisht çdo dënim që e merr do ta pranoj…

Burim Pacolli: Për shkak se është e mitur, është e pamundur të ketë masa penalizuese...

Babai: Pa marrë parasysh, pa marrë parasysh, gabimin e ka bë, fajin e ka, duhet me u pendu shumë për këtë që e ka bë, duhet me ndi thellë në zemër çka ka ndodhë. Edhe pse u kanë e momentit, kjo vajzë duhet me reflektu tash shembull për të tjerat. Çka pres prej përfundimit të kësaj, pasi është tuj shku puna me gjykatë, vendosë gjykata, s’kam tjetër çka shtoj këtu.

Burim Pacolli: Qysh ka me shërby ky moment për ty si prind?

Babai: Edhe pse jam përkujdesë shumë, erdhi një moment që më iku, po tutje nuk do ta lë asnjë moment. Asnjë moment nuk do të jetë jashtë kontrollës tem. Që shumë po besoj që rrjetet sociale, këto cka janë, Ëhatsapp, apo TikTok, më tha, të thash, gjithçka po bëjnë për famë…nuk po e kuptoj, edhe unë kam qenë i vogël, por jemi rritë më një top. Këtë gjeneratë s’un po e qet jashtë kërkush.

Burim Pacolli: A do ta kontrolloni më shumë praninë e saj (vajzës së mitur) në rrjete sociale?

Babai: Kjo me rrjetet sociale e ka fshi. Rrjetet sociale janë të mira nëse i përdorë për mirë, nëse merr një mësim, një… të vyen diçka, çfarë duash lande, ama për gjana, Facebook, TikTok, Ëhatsapp, ato kanë me u fshi, deri sa ta ketë moshën që me vendosë, të jetë e vetëdijshme.

Sa kohë që s’mundet me qenë vetëvetja, jo.

Burim Pacolli: Për fund, me shtu diçka...?

Babai: Viktimës i uroj shërim sa më të shpejtë, familjes i kërkoj falje publike, ky moment nuk kthehet më, shumë…nuk kam fjalë të tjera.

Këto janë ato për viktimën, që shumë e ndiej keq, edhe për familjen e saj, falje publike, që është e papranueshme, e di. Edhe pse kërkoj falje, e di që është e papranueshme./NACIONALE/

Lajme të ngjashme