Nesër temperatura përvëluese deri në 38°C, më pas pritet përmbysje e motit me shi dhe rrufe
Java e fundit e qershorit dhe fillimi i korrikut do të nisin me mot shumë të nxehtë në Kosovë, ndërsa nga mesi i javës pritet ndryshim i dukshëm i kushteve atmosferike. Sipas parashikimit javor të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, depërtimi i një mase më të freskët ajrore nga veriperëndimi i kontinentit do të sjellë ulje të temperaturave, shtim të paqëndrueshmërisë atmosferike dhe reshje lokale shiu, vende-vende të shoqëruara me shkarkime rrufesh.
Dita më e nxehtë e javës pritet të jetë e hëna, 29 qershor, me mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta kalimtare. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 15 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 32 deri në 38 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 5 metra për sekondë.
Të martën, 30 qershor, moti do të jetë me vranësira dhe intervale me diell. Në pjesën e dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat në disa zona mund të krijojnë kushte për reshje lokale shiu. Temperaturat minimale do të mbeten në intervalin 15–18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të sillen nga 32 deri në 35 gradë.
Moti më i paqëndrueshëm parashihet të mërkurën, më 1 korrik. Gjatë ditës priten reshje lokale shiu, të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e breshrit dhe e erërave të përkohshme më të fuqishme. Temperaturat minimale do të jenë nga 15 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 30 deri në 34 gradë.
Pas ndryshimit të masave ajrore, e enjtja, 2 korrik, do të sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave. Motit kryesisht me diell mund t’i shtohen reshje të izoluara shiu gjatë orëve të pasdites në disa zona. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 14 deri në 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të bien në 24 deri në 27 gradë.
Të premten, 3 korrik, parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Në zona të izoluara, vranësirat mund të sjellin reshje të shkurtra lokale. Temperaturat minimale do të zbresin në 13 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të jenë nga 25 deri në 28 gradë.
Në planin më të gjerë sinoptik, pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore dhe Jugperëndimore po vazhdojnë të përballen me valë intensive të të nxehtit. Në disa rajone të Spanjës, Portugalisë, Francës dhe Italisë, temperaturat vazhdojnë të tejkalojnë 40 gradë Celsius, si pasojë e depërtimit të masave shumë të nxehta ajrore nga Afrika Veriore dhe ndikimit të një fushe të fuqishme anticiklonike.