Mesatarisht 100 milionë euro remitenca çdo muaj: a po e mban gjallë diaspora Kosovën e 2022? - NACIONALE

Mesatarisht 100 milionë euro remitenca çdo muaj: a po e mban gjallë diaspora Kosovën e 2022?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të përballën me çmime të larta në produktet e konsumit, gjersa inflacioni është ende i lartë.

Sipas Agjencisë së Statistikave, saktësisht 12,7 për qind u vlerësua të jetë inflacioni në muajin tetor të këtij viti. Por, duket se kosovarët, që po përballën me krizë ekonomike, kanë një "derë shpëtimi" e quajtur diasporë.

Ndonëse edhe Evropa u prek nga kriza ekonomike si pasojë e luftës në Ukrainë, diaspora kosovare nuk ka ndaluar ndihmën financiare për qytetarët e Kosovës. Në fakt, mërgata kosovare vetëm se ka rritë ndihmën për familjarët e tyre në Kosovë, pra remitencat kanë shënuar rritje.

Gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, diaspora ka dërguar në Kosovë hic më pak se 916 milionë euro para të gatshme. Krahas ndihmës së Qeverisë Kurti, të ofruar nëpërmjet pakos për përballje me inflacionit, duket se remitencat janë një tjetër faktor që u ndihmon kosovarëve të kapërcëjnë më lehtë krizën e inflacionit.

Ndihma e diasporës

Një raport i Bankës Qendrore të Kosovës tregon më së miri ndihmën e madhe që diaspora kosovare u jep familjeve të tyre në vendlindje. Sipas statistikaev të BQK-së, 916,2 milionë euro është shuma totale e parave, që diaspora ka dërguar në formë të remitencave përgjatë këtij viti në Kosovë.

Më shumti para mërgimtarët dërguan në muajin gusht, që ishte një nga muajt me inflacion të lartë, i cili në gusht shënoi 13,3 për qind. Gjatë këtij muaji, që u shënua me ngritje të cmimeve të produkteve bazë, diaspora dërgoi hic më pak se 131,6 milionë euro remitenca. Pra gjatë muajit gusht diaspora dërgoi 4,2 milione euro për cdo ditë.

Por, diaspora dërgoi shumë para edhe në shtator, saktësisht 114,2 milionë euro. Në këtë kontekst, diaspora në bazë të statistikave zyrtare të BQK-së ka dërguar cdo muaj nga 100 milionë euro në formë remitencash në Kosovë, duke i zbutur ndikimet e krizës ekonomike.

Madje, në krahasim me vitin 2021, diaspora ka dërguar më shumë para gjatë këtij viti të krizës ekonomike. Në muajt janar-shtator të 2021, vlera e remitencave kishte shënuar 761 milionë euro, ndërsa këtë vit diaspora e madhe kosovare e hapi edhe më shumë kuletën, duke dërguar 916 milionë euro për 9 muaj.

Gjithë këtë ndihmë të diasporës, z.Besnik Avdijaj, ekonomist, e ka quajtur si një ndër faktorët që e ka mbajtur të gjallë ekonominë kosovare.

Dërgesat e diasporës (remitencat) janë para e gatshme që futet në qarkullim në ekonomi, duke nxitur rritjen e konsumit, gjegjësisht tregtisë. Ky injektim i rregullt dhe vazhdimisht në rritje i remitencave në ekonomi, konsiderohet faktori kyç që e ka mbajtur gjallë dhe e ka zhvilluar afarizmin në Kosovë”, tha tutje ai për Nacionalen.

Inflacioni përsëri i lartë

Ndryshe, ASK ka publikuar raportin e përmuajshëm rreth indeksit të harmonizuar të cmimeve për muajin tetor. Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, inflacioni në muajin tetor ka vazhduar të jetë i lartë, duke shënuar të njëjtën vlerën e njëjtë sikurse në shtator.

Sipas ASK-së, inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar është 0,9 për qind më i lartë në muajin tetor të 2022, në krahasim me muajin paraprak të të njëjtit vit.

Në përllogaritjet e ASK-së, norma vjetore e inflacionit në muajin tetor 2022 është 12,7 për qind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit 2021.

ASK ka treguar se në analizën e çmimeve të konsumit, më së shumti ngritje të çmimeve u vërejt në dru e pelet, por edhe në vajra e yndyra ushqimore.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (56.6%); vajra dhe yndyra ushqimore (42.7%); bukë dhe drithëra (29.5%); qumësht, djathë dhe vezë (27.1%); mish (22.9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira (21.5%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (20.8%); prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza, kripë, ushqim për fëmijë etj. (17.1%); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (16.4%); gaz (16.1%); kafe, çaj dhe kakao (15.1%); mirëmbajtje dhe rregullim i vendbanimit (14.9%)”, vlerëson ASK në raportin e fundit.

Ndryshe, Qeveria Kurti muaj më parë ka dizajnuar një pako, e cila parasheh ndihma financiare për qytetarët, si një formë të për përballuar krizën me inflacion.

Lajme të ngjashme