Buzhala: Qeveria s'ka vizion për ta ndalur inflacionin - NACIONALE

Buzhala: Qeveria s'ka vizion për ta ndalur inflacionin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dje u publikua edhe episodi i radhës i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.

Temë parësore ishte Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit numër 48.

Ndërkaq, në pjesën që e kemi veçuar këtu, bëhet fjalë për manipulimet e kryeministrit Kurti me shifra, gjithmonë në paraqitjen para bashkëpartiakëve.

"Kemi rritje ekonomike 4 për qind, pasi të hiqet inflacioni. Kjo i bie si, me dal me deklaru, unë jam i gjatë 1.72m, pasi të hiqen taket. Pra, kush thotë: fitimi ynë është 20 milionë euro pasi t’i heqim humbjet. Pikë e parë, askush s’po pyet sa është pasi të hiqet inflacioni".

Gazetari e pranoi se ka inflacion, por kërkon nga kryeministri që ta reflektojë në formën e duhur.

"Në vendin tonë ka inflacion, e unë s’du me ma reduktu në këtë formë. Ti veç dil edhe thu: zhvillimi ekonomik në tremujorin e parë është 4 për qind. Mirëpo manipulimi nuk është këtu. Manipulimi është: në tremujorin e parë, është 4 për qind pasi të hiqet inflacioni. I dashur kryeministër, inflacioni në mars, ti je duke folur për janarin, shkurtin, marsin, ku po thu zhvillimi ekonomik këta tre muaj është 4 për qind, pasi të hiqet inflacioni. Janar, shkurt, mars, inflacioni ka qenë minimal. Inflacioni është rritë në prill, maj, qershor, pra në tremujorin e dytë".

Autori gjithashtu kritikoi edhe faktin se kur Kurti donte të regjistronte sukses merrte për bazë gjashtëmujorin e fundit, ndërsa kur synonte fshehjen e ndonjë dështimi, thoshte në tremujorin e parë.

"Mirëpo, për me paraqitë kinse është pak i vogël, se ka pasë inflacion...Jo jo, nuk ka pasë inflacion janar, shkurt, mars. Se gjatë fjalimit, kur donte të paraqiste suksese, thoshte gjashtëmujori i fundit, kur donte të manipulonte me fakte thoshte tremujori i parë. Se në qershor inflacionin e kemi 20%, sipas krejt parametrave, zhvillimi ekonomik në gjashtëmujorin e parë nuk e kalon 2%-shin. Po nëse do të dilte të thoshte i kemi veç 2%, i dukej pak si pak, andaj tha 4 për qind pas inflacionit".

Në njërin nga fraksionet, gazetari kujtoi edhe premtimin elektoral të Kurtit për ekonominë, duke thënë se i pari i ekzekutivit kishte premtuar që rritja do të jetë dyshifrore.

"Për zhvillimin ekonomik në vendin tonë, kryeministri Kurti ka thënë që edhe këtë vit ka me qenë dyshifror. Edhe pa inflacion ka qenë 4 për qind. Pra, s’ka qenë kjo pse ne sot e kemi zhvillimin e mangët ekonomik, përkundër krejt, Bashkimi Evropian, është e vërtetë që ka inflacion, po si mesatare, BE-ja inflacionin e ka te 8%-shi", vazhdoi ai.

Në pjesën e fundit ndërkaq, shtoi faktin se ndërlidhja e shtrenjtimeve me luftën në Rusi nuk është edhe aq relevante, pasi siç e thotë Buzhala, shkëmbimi tregtar me Rusinë thuajse nuk ekziston.

"Nuk kemi shkëmbim tregtar me Rusinë, pra është inekzistent. Prandaj, inflacioni nuk ka kuptim me qenë kaq i lartë. Kuptimi i vetëm, që ky është dashtë me dalë edhe me spjegu këtu, është mungesa totale e vizionit qeverisës për me parandalu inflacionin", përfundoi Berat Buzhala.

Më sipër episodi i plotë, pra ai i 24, kurse më poshtë gjeni pjesën e shtjelluar këtu.

Lajme të ngjashme