Medinë Dauti: "Thirrja ime është për ndryshime në strukturën tonë shoqërore, që projekton një shoqëri ku individët janë të lirë nga diskriminimi dhe shtypja" - NACIONALE

Medinë Dauti: "Thirrja ime është për ndryshime në strukturën tonë shoqërore, që projekton një shoqëri ku individët janë të lirë nga diskriminimi dhe shtypja"

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Photo Credit: Center for Information, Criticism and Action - QIKA

Medinë Dauti, një 24-vjeçare nga Gjilani, është themeluese e disa nismave për mirëqënien komunitare dhe një aktiviste për të drejtat e njeriut, me fokus të veçantë mbi të drejtat e grave dhe komunitetin LGBTIQ+. Rrugëtimi i saj karakterizohet nga vendosmëria dhe një përkushtim i jashtëzakonshëm për të sfiduar normat shoqërore. Në vitin 2022, ajo pati guximin të fliste hapur kundër ngacmimeve seksuale të njërit prej mësuesve të saj të shkollës së mesme. Edhe pse u përballë me pengesa sistemike dhe vështirësi burokratike, ajo zgjodhi të kërkonte drejtësi. Rezistenca e saj karshi sfidave shërben si një shkëndijë shprese, që frymëzon këdo të thyejë heshtjen dhe të kërkojë llogaridhënie. Sot Medinë është hulumtuese në Qendrën për Informacion, Kritikë dhe Veprim - QIKA. Ajo iu bashkua fushatës “Imagine” (Imagjino!) të UN Women, pasi ajo beson se fuqia e veprimit kolektiv fuqizon të rinjtë dhe ndryshon pozitivisht komunitetet.

“Dhuna me bazë gjinore mbetet një çështje e rrënjosur thellë brenda shoqërisë tonë, shpesh pjesë e normalitetit brenda dinamikës familjare dhe e pranuar si një formë komunikimi. Fatkeqësisht, në shumë familje, dhuna shihet si një mjet për të imponuar autoritet. Një numër i konsiderueshëm i burrave në Kosovë e perceptojnë dominancën e tyre si legjitime, duke besuar se kështu ata kanë kontroll mbi gratë. Për rrjedhojë, gratë dhe vajzat privohen shpesh nga liria ekonomike dhe izolohen nga shoqëria, dhe në këto rrethana kjo situatë konsiderohet si e zakonshme dhe kjo sjellje e dëmshme merret si e mirëqenë.

Në moshën 18 vjeçare, u përballa me ngacmimet seksuale nga mësuesi im i shkollës së mesme, një sprovë që vazhdoi për katër vjet derisa gjykata më në fund dha një dënim. Pavarësisht se e raportova rregullisht rastin tek autoritetet dhe theksova shkeljen e të drejtave të mia themelore, ai vazhdoi të insistonte në një marrëdhënie, të cilën unë e refuzova me forcë gjatë atyre viteve. Dhuna psikologjike e ushtruar ndaj meje nuk ishte sporadike, por sistemike, e përjetësuar edhe nga neglizhenca institucionale dhe mungesa e profesionalizmit në adresimin e rasteve të tilla nga autoritetet. Fatkeqësisht, institucionet nuk arritën të kuptonin seriozitetin e situatës, duke e cilësuar atë thjesht si një episod flirti, duke nxjerrë në dukje pasqyrën e normalitetit të dhunës brenda shoqërisë kosovare.

Kjo përvojë traumatike më detyroi të përballesha me dhunën e normalizuar që më rrethonte, duke më shtyrë drejt ndjenjave të ankthit dhe shqetësimit tek sa kuptoja dallimin mes jetës sime dhe asaj çfarë duhet të konsiderohej si normale. Rrugëtimi nëpër proceset gjyqësore më rraskapiti më tej fizikisht dhe emocionalisht, duke më lënë plagë të thella nga kjo përvojë. U deshën katër vjet luftë dhe këmbëngulje të pandërprerë, së bashku me guximin për ta bërë publike historinë time, për të arritur më në fund drejtësinë.

Pavarësisht mbështetjes së paçmuar nga familja, miqtë dhe kolegët e mi, bërja publike e historisë sime u prit me reagime të ndryshme. Një pjesë e shoqërisë, shpesh duke mbyllur një sy ndaj diskriminimit, u përgjigjën me mohim – një shembull i kulturës së rrënjosur patriarkale rezistente ndaj çështjeve gjinore dhe dhunës në familje. E pranoj se mentaliteti shoqëror nuk ndryshon brenda ditës, prandaj jam plotësisht e përkushtuar që të punoj pa u lodhur për të motivuar brezin e ri që të ngrejë zërin dhe të sfidojë autoritetin e ideologjisë patriarkale.

Të gjithë duhet të ndërhyjmë kur dëmtohet mirëqenia e dikujt. Prandaj, unë reagoj ndaj çdo rasti të diskriminimit dhe dhunës, duke u bërë thirrje të tjerëve të raportojnë dhe të ndërmarrin veprime gjithashtu. Unë angazhohem për ndryshime në strukturën tonë shoqërore, që projekton një shoqëri të lirë nga diskriminimi dhe shtypja. Është thelbësore të motivohen gratë dhe vajzat që përballen me dhunën dhe ngacmimin me bazë gjinore, duke i siguruar ato se nuk janë vetëm. Ato meritojnë më shumë, dhe së bashku, ne mund të angazhohemi për një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të barabartë duke promovuar fuqizimin e grave për rritjen e pavarësisë ekonomike, lirisë dhe mundësive të tyre.

*Artikull i sponsorizuar!

Lajme të ngjashme