Mbyllet edhe java e tretë pa mësim – Përplasje shumë, zgjidhja larg
Edhe një tentativë për të gjetur zgjidhje në lidhje me grevën do të ketë sot. Ministrat Arbërie Nagavci e Hekuran Murati, bashkë me Rrahman Jasharajn do të jenë në Komisionin për Arsim në Kuvend.
Saktësisht sipas të dhënave të Sindikatës së Arsimit, 99% e shkollave dhe institucioneve tjera arsimore në Kosovë vazhdojnë të jenë nën grevë. Përderisa po mbyllet edhe java e tretë pa mësim nëpër shkolla, zgjidhja duket larg, përderisa përplasjet janë ende të ashpra.
Pamjet teksa deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, i bërtiste kryesindikalistit të arsimit, Rrahman Jasharaj, u komentuan shumë. Basha i thoshte Jasharajt se ‘i ka marrë peng nxënësit’. Kjo ishte vetëm një nga përplasjet që pushtetarët e patën edhe publikisht me kryetarin e SBAShK-ut.
Insistimi i sindikalistëve në 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, nxiti edhe komente nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili në seancën e djeshme të Kuvendit sërish foli për fjalën ‘vëlla’ që ia kishte thënë Jasharaj në takimin e fundit.
“Problematizohet që unë e kam kritikuar Jasharajn që më ka thënë vëlla. Unë i kam dy vëllezër që nuk kanë ardhë në ndërtesë të Qeverisë. Unë besoj që vëllezërit janë për te shpia. Unë irritohem kur dikush vje tek zyra e Kryeministrit dhe më thotë vëlla. Pra është shumë me rëndësi që të kuptohet vizioni im që të ndahet publikja prej privatss. Bëhet fjalë për një qeverisje demokratike që dëshiron ta bëj këtë ndarje, dhe ne po e bëjmë këtë ndarje”, ka thënë Kurti.
Kurti edhe në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, u shpreh se nuk kanë mundësi t’i realizojnë kërkesat e sindikatës. Ai sërish tha se greva është kundër tij si kryeministër, e jo për arsye të tjera.
“Pal Lekaj e Ferat Shala treguan se e kanë me mua, jo me arsimin. Mos-njohje kronike e rezultatit të 14 shkurtit. Nuk kom çka bëj unë. Populli ka votuar, halli është se unë jam kryeministër. Greva po përdoret si armë kundër kryeministrit. Ky është synimi i qartë që u shpalos sot. Me datën 5 qershor 2017 kur këto parti kanë qenë bashkë, bëhej memorandum me SBASHK-un”, ka thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës.
Debate të ashpra pati dje në institucion më të lartë të Kosovës, por që sërish, zgjidhja dukej ende larg.
Për shkak të grevës, ditë më parë zbarkoi në Kosovë edhe kryetarja e Sindikatës Evropiane të Arsimit, por që në takim me kryeministrin Kurti, sërish nuk pati ndonjë rezultat.
Komunat dhe institucionet e tjera në anën tjetër, kanë dorëzuar në Thesarin e Shtetit listat për paga, ku ka gjasa që mësimdhënësve që janë në grevë, të mos u dalin pagat për muajin shtator fare.
SBAShK-u nuk tërhiqet
Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë në anën tjetër, nuk po heq dorë nga kërkesat e saj. Pavarësisht edhe përfshirjes së Avokatit të Popullit, nga kjo sindikatë kanë thënë se ata janë të gatshëm për kompromis, por që qeveria nuk po e bën të njëjtën gjë.
“Avokati i Popullit ishte i njëanshëm, sepse shumë nga pikat që i ka dhënë Avokati i Popullit, nuk janë të pajtueshme për grevistët”, deklaronte Jasharaj.
“Unë, Avokatit të Popullit i bëj ftesë nga këtu që ai të mos jetë i një anshëm, në të kundërtën, ne tërhiqemi nga dialogu, dhe më, ne nuk mbajmë takim pa praninë e mediave, sepse jemi të interesuar që populli ynë ta shoh realitetin, SBASHK-u, nuk thyhet me presione, uniteti ynë është i dëshmuar edhe më kryeministra të tjerë”, tha ai.
Në anën tjetër, disa shkolla në Gjakovë e kanë filluar mësimin. Për këtë, Jasharaj ka thënë se ata nuk i bëjnë presione askujt që të mbajë grevë, sepse vendimi ka qenë i anëtarësisë.
Ka qenë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila vazhdimisht ka dalë në terren nëpër shkolla, duke tentuar t’i bindë mësimdhënësit për nisjen e mësimit. Megjithatë, një angazhim i tillë deri tash ka rezultuar pa sukses.
Dje në Prishtinë është mbajtur edhe një protest nga prindërit, të cilët kanë kërkuar që të hapen çerdhet.


