Kurti tha se nuk e takon Jasharajn, Osmani e mbron: Ai bëri një hap, sindikatat po japin “JO” absolute - NACIONALE

Kurti tha se nuk e takon Jasharajn, Osmani e mbron: Ai bëri një hap, sindikatat po japin “JO” absolute

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja Vjosa Osmani konsideron se kryeministri Albin Kurti bëri një hap drejt zgjidhjes së çështjes së grevave, me prezantimin e pakos për ndihmë.

Ani se tha se nuk takohet me sindikalistët, Osmani konsideron se Kurti ka bërë një hap, dhe se radhën, tashmë e kanë sindikatat.

“Qeveria sot me prezantimin e pakos, ka bërë një hap për gjetjen e një zgjidhje dhe zbutjen e situatës. Tani është koha, që sindikatat të tregojnë vullnet të mirë, mësimdhënësit t’i hapin shkollat dhe të krijohet atmosferë e re në këtë dialog”, tha Osmani.

Presidentja tutje bëri thirrje që palët të ulen dhe t’i adresojnë kërkesat e tyre, e jo të japin “JO” absolute.

“Palët të ulen, t’i adresojnë kërkesat. Unë e kuptoj që për shkak të krizës ekonomike, shporta familjare kushton më shumë, por këto masa duhet të shihen si masa të vullnetit të mirë, dhe si hap për zbutjen e krizës.Tani është koha që sindikatat të tregojnë vullnet, e jo të japin “JO” absolute”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, i pyetur se a do të ulet me sindikalistët, Kurti sot ka thënë se është takuar disa herë me Atdhe Hykollin e BSPK-së, derisa ka thënë se kërkesat absurde dhe irracionale nuk kalojnë.

“Ne jemi me mësimdhënësit. Mësimdhënësit duhet të jenë me nxënësit. Ne kemi bërë shumë luftë për shkollë, që ta bojkotojmë me greva. Duhet të fillojë mësimi një orë e më parë. Ju bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve të hënën të jenë në mësim. Jemi me mësimdhënësit, e mësimdhënësi për nxënësit. Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, z.Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së. Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takojë liderë të degëve sindikale, sepse ashtu nuk ka rregullsi”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme