Ku është ministri? Xhelal Sveçla ishte dorëhequr kur dy fëmijë kishin vdekur në një gropë në Kolovicë - NACIONALE

Ku është ministri? Xhelal Sveçla ishte dorëhequr kur dy fëmijë kishin vdekur në një gropë në Kolovicë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tashmë është konfirmuar se për gruan shtatzënë të vrarë në oborrin e QKUK-së kishte pasur urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Përgjegjësia institucionale është më se e qartë, dhe ajo bie në këtë rast mbi ministrin Xhelal Sveçla që të paktën deri tash (10:25) nuk ka bërë madje as reagim në Facebook si kolegët e tij. Por, atij i kishte ndodhur një rast tjetër i rëndë derisa mbante pozitë të rëndësishme.

Ishte qershori i vitit 2016, kur në lagjen “Kolovicë” të Prishtinës kishin vdekur dy fëmijë, Florenta dhe Florent Mramori. Njëri ishte 13 e tjetri ishte 11 vjeçar. Ata kishin rënë në një gropë që nuk duhej të ekzistonte.

Në atë kohë, Xhelal Sveçla shërbente si Drejtor i Drejtoratit të Inspeksionit në Komunën e Prishtinës dhe përgjegjësia institucionale e politike binte pikërisht mbi të.

Por, ministri aktual i Punëve të Brendshme nuk do të ikte nga përgjegjësia që i takonte. Ai do të jepte dorëheqje.

“Për shkak të ngjarjes së sotme tragjike në Prishtinë, me ç’rast dy fëmijë kanë humbur jetën në një gropë të mbushur me ujë, ndiej përgjegjësi morale që të ofrojë dorëheqjen time,”ishte shprehur Sveçla në atë kohë.

Megjithatë, edhe në atë fjalë të dorëheqjes, ai s’do të arrinte krejtësisht që të mbante fajin për vete e të mos bënte akuza politike.

“I kemi parandaluar shumë rreziqe, përfshirë edhe mbylljen e disa gropave. Mirëpo, fatkeqësisht ka qenë e pamundur që të eliminohen të gjitha parregullsitë. Nuk ia kemi dalë që qytetarin me e mbrojtë nga të gjitha ato të këqija që i janë bërë nga ajo trashëgimi që ne e kemi gjetur.” – shprehej ai.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme u vra nga bashkëshorti i saj znj. Hamide Magashi, grua shtatzënë 35 vjeçare. Tashmë është konfirmuar se për të kishte pasur urdhër mbrojtjeje dhe përgjegjësia morale bie edhe mbi ministrin Sveçla përsëri.

A do të ofrojë dorëheqje ky ministër? Deri tash, nuk ka asnjë indikacion përveç mungesës së fjalëve publikisht.

Lajme të ngjashme