Kriza e kostos së jetesës shënoi kryefjalën e vitit 2022 në Kosovë - NACIONALE

Kriza e kostos së jetesës shënoi kryefjalën e vitit 2022 në Kosovë

3 vjet më parë

nga Flakon Demaku

Inflacion më të lartë se sa është parë në disa dekada karakterizoi shumë vende të botës gjatë vitit 2022.

Zanafilla e inflacionit në rritje nisi me pandeminë COVID-19 dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia.

Sipas një raporti të FMN-së mbi rritjen globale, u parashikua të ngadalësohet në 3.2 për qind në vitin 2022 dhe 2.7 për qind në 2023. Për Kosovë, 2022-ta përbën një ngadalësim drastik të rritjes krahasuar me vitin 2021.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, inflacioni i muajit dhjetor për muajin e fundit të vitit 2022 u mbyll me 12.1 për qind krahasuar me normën e muajit të njëjtë vjetore të vitit 2021.

“Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2022 me muajin dhjetor 2021 ishte 12.1%.” – thuhet në njoftimin e AS-së.

Inflacioni më i lartë në dekada

Sa i përket normës mesatare vjetore në Kosovë, viti që po e lëmë pas shënon rritjen më të lartë në dekada.

Në publikimin e fundit të ASK-së “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Dhjetor 2022”, norma mesatare vjetore ishte 11.6 për qind.

Nëse krahasojmë këtë normë me vitet paraprake, nga të dhënat në dispozicion mund të vërehet se çmimet e produkteve përjetuan rritje stratosferike krahasuar me 13 vitet e fundit.

  1. Burimi: ASK

Në mesin e vitit 2022, Kosova preku kulmin e normës vjetore në krahasim me vitin paraprak, i cili arriti në 14.2 për qind, që mund të krahasohet vetëm me krizën në rritje të çmimeve të vitit 2022.

Nisur nga fakti që Kosova ka një ekonomi të ‘euroizuar’ në mënyrë të pjesshme, ekzekutivi nuk pati shumë hapësirë të kufizuar për të zbutur ndikimin e inflacionit në rritje, të përkeqësuar nga lufta në Ukrainë.

Raporte ndërkombëtare konstatuan se pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve përmes skemave të asistencës sociale të qeverisë, ato rezultuan të jenë jofleksibile dhe patën ndikim minimal tek shtresat më të cenuara.

“Pavarësisht niveleve të larta të shpenzimeve për mbrojtjen sociale, skema e asistencës sociale është jofleksibile dhe mund të sigurojë vetëm mbrojtje të kufizuar për më të cenuarit. Rritja e inflacionit po ushtron gjithashtu presione në rritje të pagave. Vazhdimi i presioneve të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve mund të gërryejë më tej të ardhurat e disponueshme dhe të dëmtojë më shumë ata më pak të pasurit që shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për këto artikuj thelbësorë.” – thuhet në raportin e Bankës Botërore “Raporti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore 2022”.

Lajme të ngjashme