“Ka raste kur familjarët s’i marrin as kufomat” – Jeta e pacientëve me probleme mendore në qendrën e Shtimes
Të gjithë shtretërit e Qendrës Integruese Rehabilituese së të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime janë të zënë nga pacientët. Në këtë qendër, për momentin nuk ka as edhe një vend të lirë për personat në nevojë. E ata që jetojnë në këtë qendër kanë shumë dëshira. E para është takimi me familjarët. Por sa po vizitohen ata nga familjarët? Përgjigjja lë shumë për të dëshiruar. Nacionale ka qëndruar për një ditë të plotë me banorët aty dhe prej atje jua sjell rrëfimet e pacientëve dhe të drejtuesve të qendrës.
Është ora 11:30. Në këtë kohë shtrohet dreka për banorët e Qendrës Integruese Rehabilituese të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime.
Brenda ambienteve të kuzhinës së kësaj qendre po qëndronin të paktën katër infermierë. Ata kishin një detyrë: ushqyerjen e personave që ishin të strehuar në atë qendër.
Dyert u hapën, dreka filloi dhe gjithçka po shkonte sipas planit. Me një meny të pasur ushqimore, banorët e Qendrës Rehabilituese në Shtime përfunduan edhe një vakt të ushqimit.
Pas ushqimit, koha është për lojë. Në dhomën e ndejës, me muzikë e aktivitete të ndryshme kalohet pasditja për këta banorë.
Cilat janë kushtet e Qendrës Integruese Rehabilituese të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime?
Për Nacionalen, drejtori i kësaj qendre, Miftar Zenelaj, dha hollësi për punën që zhvillohet aty.
Ai tha se të gjithë shtretërit, për momentin, në këtë qendër janë të zënë.
“Kushtet janë optimale këtu, brenda kornizës së kornizës së funksionimit të një institucioni. Sa i përket numrit të pacientëve, momentalisht kemi 65 pacientë, punojmë me kapacitete të plota, të gjithë shtretërit janë të zënë. Numri i tyre nuk mund të jetë më i madh, për arsye se kaq janë kapacitetet tona. Kërkesa është shumë e madhe për pranim dhe trajtim në këtë institucion, por kapacitetet janë të limituara. Por ky institucion, për shkak të infrastrukturës që e posedon, nuk ka mundësi e as kapacitetet që të pranojë pacientë të tjerë”- tha drejtori.
Ai shpjegoi se të gjithë pacientët që trajtohen aty janë të diagnostikuar me skizofreni paranoide.
“Pacientë të cilët trajtohen në këtë institucion janë të diagnostikuar më herët me diagnozën e skizofrenisë paranoide. Në vitin 2006, kur është themeluar ky institucion, ka qenë kërkesë themelore që të trajtohen vetëm pacientët skizofrenikë, që në njëfarë mënyrë janë të braktisur nga familja. Paraprakisht, këta pacientë i shterin të gjitha mundësitë edhe të trajtimit në komunitet dhe vijnë e transferohen nga qendrat e shëndetit te ne”- tha ai.
Mbështetja e familjes - jetike për trajtimin e personave me skizofreni
Për rehabilitimin e personave që vuajnë nga çrregullimet mendore, mbështetja e familjes është faktori kryesor. Sidoqoftë, ka edhe raste, kur familjarët i braktisin këta persona.
Kështu po ndodh edhe me disa prej të rehabilituarve në Qendrën Integruese Rehabilituese e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime.
“Por i kemi edhe rastet ekstreme, që ndoshta s’është mirë që ta potencojmë, por ka raste kur familjarët kanë refuzuar që ta marrin edhe kufomën. Ne kemi këtu në komunën e Shtimes një parcelë për varreza, që na e ka ndarë pikërisht komuna për këto raste, për pacientët psikiatrikë”- thotë drejtori Miftar Zenelaj.
Se familja ka rol kyç gjatë trajtimit, thotë edhe psikologu i kësaj qendre.
“Këta pacientë kërkojnë një trajtim të veçantë. I kemi plan-programet që dallojë shumë, varësisht nga gjendja e pacientit. Unë nga vitit 2012 shërbej këtu. Ka shumë nevojë për praninë e psikologut ky institucion. Pa bashkëpunimin e familjes e familjarëve, ne nuk mund ta arrijmë efektin që ne e dëshirojmë”- thotë ai.
Qendra Integruese Rehabilituese e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime është themeluar në vitin 2006, pas reformës në sektorin e kujdesit për shëndetin mendor, dhe është e vetmja e këtij lloji në Republikën e Kosovës - si qendër rehabilituese dhe integruese e të sëmurëve kronikë psikiatrikë, që e ofron shërbimin e kujdesit për shëndetin mendor 24 orë në ditë.
Kjo qendër është e ndarë në katër reparte. Aty gjenden administrata, ambulanca, kuzhina, lavanderia dhe depot e produkteve ushqimore dhe të materialeve teknike.
Aty punojnë 39 persona gjithsej, të ndarë në sektor të shërbimeve të veçanta, si administrata, shërbimi mjekësor dhe shërbimi teknik.
Qendra ka nevojë për një rinovim të përgjithshëm të hapësirave të brendshme dhe të jashtme, sepse prej shumë vitesh nuk është investuar në këtë qendër./Nacionale.com/