Ish-kryetari i VV-së: Greva e drejtë legjitime, por janë disa kërkesa që s’e kanë vendin aty
Visa Ymeri, ish-kryetar i VV-së, e tash analist i njohur, ka komentuar situatën me grevat në sektorin publik.
Ai ka thënë se greva është e drejtë legjitime.
“Së pari duhet thënë që greva është mjet demokratik dhe një ndër mënyrat më të fuqishme që sindikatat kanë në dorë kur detyrohen të luftojnë për kushte më të mira pune dhe/ose paga më të larta. Në këtë drejtim të jesh kundër grevës është të jesh kundër të drejtës së punëtorëve të organizuar. Por, duke qenë e drejtë e pakontestueshme, greva duhet analizuar e komentuar në bazë të kërkesave që ajo ka. Dhe në këtë grevë të arsimit sot janë disa kërkesa të cilat mendoj që nuk kanë vend aty.”, tha Ymeri.
Tutje, ai ka thënë se rritja e rrogave do të duhej të kërkohej për të gjitha sektorët, qoftë atë publik apo privat.
“Së pari BSPK, edhe pse në vete ka sindikata që kryesisht përfaqësojnë sektorin publik (meqë sektori privat lëngon seriozisht nga mungesa e organizimit sindikal), do të duhej që të jetë përfaqësuese e zërit të punëtorëve në përgjithësi. Në këtë drejtim ky insistimi kaq i madh për rritje pagash vetëm për sektorin publik do të duhej të ishte kërkesë për rritjen e pagave në të gjithë sektorët, për të reflektuar inflacionin. Megjithatë kjo nuk e delegjitimon kërkesën e tyre për reflektim të inflacionit në paga. Kërkesa për implementimin e sigurimit shëndetësor është po ashtu kërkesë legjitime. Por zbatimi i saj mund të marrë kohë dhe nuk mendoj që një kërkesë e tillë do të duhej ta zgjaste kohën e grevës.”, shtoi Ymeri.
