Ish-deputeti i Kosovës merret me biznesin e çezmave “sadaka” në Afrikë
“Askush nuk ka shancë as 0001% të ndryshojë në caktimin e Allahut: Ne vazhdojmë punën dhe veprën pa e kthy kokën mbrapa”, është një nga postimet e fundit të Sabit Rrahmanit, në profilin e tij në Facebook. Tash ai merret me një biznes që si qëllim ka grumbullimin e parave për të ndërtuar çezma e hapur bunarë nëpër vende të ndryshme të Afrikës.
Por nëse kthehemi nja 15 vjet prapa, Sabit Rrahmanin e gjejmë të ulur në karrigen e deputetit të Kosovës, por edhe në bankën e të akuzuarve.
Ish-deputeti i Kosovës, Sabit Rrahmani, dikur ishte një nga njerëzit që përfaqësonin ashkalinjtë në Kosovë, por edhe përfaqësoi veten para organeve të drejtësisë, kur u dënua me 5 muaj burgim, në vitin 2006. Në këtë vit ai ishte paraqitur në Gjykatën e Ferizajt, por në të njëjtën kohë, ai akuzohej edhe për më shumë se 10 padi kundër tij.
Akuzohej se disa personave u kishte premtuar se do t’i dërgojë në Suedi, Francë, Gjermani, ku vetëm nga këto tri mashtrime, Sabiti ka fituar rreth 4.000 mijë euro, dhe të dëmtuarve nuk u janë siguruar vizat e premtuara e as u janë kthyer të hollat. Dy viktimave të tjera ai u kishte marrë më pak para, nga 400, dhe respektivisht njëmijë euro. Vizat nuk ua bëri kurrë. Ky vendim ishte i prerë dhe Sabiti do t’i mbante pesë muaj burg.
Tash ai merret me një biznes që ka për qëllim ndërtimin e çezmave dhe hapjen e bunarëve në disa vende afrikane të cilat sponsorizohen nga qytetarë kosovarë e shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Për këtë biznes, të cilin po e praktikojnë shumë organizata bamirëse islame, mund të lexoni në këtë tekst të botuar në Nacionale.
Sipas këtij teksti, çmimet për një çezmë ose bunar në këto vende variojnë prej 250 eurove deri në 1500 euro. Krejt kjo, është si pasojë e një besimi te feja islame, që për shpirtin e të vdekurit, nëse hap një bunar ose i siguron dikujt ujë të pishëm, i vdekuri do të jetë më afër xhenetit.
Nacionale ka tentuar të flasë me ish-deputetin Sabit Rrahmani për të marrë vesh më shumë në lidhje me biznesin e tij, nëse ka ndonjë organizatë joqeveritare ose fondancion bamirës. Ai nuk u është përgjigjur pyetjeve tona. Por nga ajo që shihet në profilin e tij në Facebook, vërehet se ka një interesim shumë të madh të kosovarëve e shqiptarëve nga vende të ndryshme për të bërë sadaka me çezma në Afrikë.
Ish-deputeti Rrahmani ishte akuzuar edhe për keqpërdorime me një shoqatë me emrin “Zëri i Popullit”. Kompania “Shqiponja” nga Skënderaj e kishte denoncuar Rrahmanin, sepse i njëjti i kishte marrë ushqim me vlerë prej mbi 6 mijë eurosh në emër të kësaj shoqate. Borxhin nuk ua ktheu. Me këtë shoqatë kishte mashtruar njerëz edhe për viza, e në raste të tjera për nevoja personale për të blerë edhe veturë. Atë kohë, kur vinin denoncime të shumta kundër tij, ish-deputeti Rrahmani kishte thënë se mashtrimet i ka bërë për “me i ngopë komunitetin e tij ashkali me bukë”.
Raportimet shpalosnin se Sabit Rrahmani për t’u treguar më i bindshëm te viktimat e tij, shpeshherë i ka dërguar edhe nëpër ambasada të vendeve përkatëse, në Prishtinë dhe në Shkup. Lënda e parë ishte e shtatorit të vitit 2002, kur në shtëpinë e tij për të përfituar ka mashtruar një qytetar se do t’ia sigurojë vizën për Suedi. Nga i dëmtuari, Sabiti kishte kërkuar 2.300 euro, ku ai një pjesë ia ka dhënë gruas së tij, e pas pak ditësh pjesën tjetër ia kishte dhënë rojës së tij.
