Intervistë | Tërnava: Mbulesa s`duhet ta shqetësojë askënd, Kodin e ri Civil do ta kundërshtojmë sërish - NACIONALE

Intervistë | Tërnava: Mbulesa s`duhet ta shqetësojë askënd, Kodin e ri Civil do ta kundërshtojmë sërish

4 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka kërkuar që të respektohen të drejtat e femrave që bartin mbulesë.

Ai ka thënë se Kosova është vend demokratik dhe askush nuk ka të drejtë t'i fyej femrat që vendosin të mbulohen, sipas parimit fetar.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale për ndër të Festës së Kurban Bajramit, ai ka thënë se askush nuk duhet të shqetësohet nga mbulesa fetare.

I pari i Bashkësisë Islame të Kosovës ka treguar se do të vazhdojnë kundërshtimin e miratimit të Projekt-codit të ri civil, i cili mundëson që personat e të njëjtës gjini të regjistrohen si bashkësi.

Sipas tij, ky projekt-kod është kundër vlerave fetare dhe njerëzore.

Në këtë intervistë, Tërnava ka folur për ndërtimin e xhamisë së re në Prishtinë, rritjen e çmimit për të shkuar në haxh dhe kërkesat tjera të BIK-ut ndaj institucioneve të Kosovës.

Nacionale: Pas disa vitesh, Komuna e Prishtinës ka lëshuar lejen për ndërtimin e xhamisë në lagjen Dardania. Kanë qenë të arsyeshme këto vonesa, z. Tërnava?
Tërnava: Ndërtim i një xhamie të madhe ka qenë shumë e nevojshme. Për këtë çështje kemi bërë kërkesa të vazhdueshme dhe tani tek pas 9 viteve e kemi marrë lejen. Rrjedhat e përgjithshme kanë ndikuar që të ngadalësohet çështja e marrjes së lejes. E rëndësishme është se tani e kemi lejen e ndërtimit të xhamisë dhe punët po shkojnë mbarë. Besoj se për 400 ditë do ta kemi skeletin e xhamisë, pra ndërtimin vrazhdë do të kryhet. Dëshiroj të i urojmë besimtarët, sepse pas dy viteve do të kemi një hapësirë më të madhe ku do të kryejmë adhurimet tona, lutjen tona, namazet tona. Sigurisht se edhe ajo xhami nuk do të mund t'i zë besimtarët të xhumave dhe bajrameve, por sigurisht se do të ndikojë që një numër i konsiderueshëm i tyre nuk do të falen më në vapë apo në kushte të ftohta gjatë dimrit.

Nacionale: Përafrisht sa do të kushtoj ndërtimi i kësaj xhamie dhe kush do ta financojë?
Tërnava: Ne këtë e kemi bërë publike shumë herë. Se sa do të kushtoj saktësisht nuk mund ta di, sepse po e shohim se çmimet janë duke u ngritur. Ajo është një xhamie e madhe, e cila parashihet të kushtoj rreth 40 milionë euro. Saktësisht, sa do të kushtoj nuk e di. Kjo është një dhuratë për popullin e Kosovës nga xhemati i Turqisë. Pra, mjetet për ndërtimin e kësaj xhamie janë tubuar nëpër xhamit e Turqisë, që janë mbi 100 mijë xhami. Nëse ka nevojë për të shtuar mjete tjera, sigurisht që Bashkësia Islame e Turqisë do të organizojë edhe një aksion për tubimin e mjeteve për përfundimin e punëve në këtë xhami. Pra, kjo xhami është dhuratë e xhematit të Turqisë.

Nacionale: Aktivitet e BIK-ut tregojnë se jeni aktiv në ndihmë ndaj qytetarëve. Si është gjendja në teren e besimtarëve në këtë kohë të rritjes së çmimeve?
Tërnava: BIK-u është në marrëdhënie të shkëlqyera me xhematin e vet. E them këtë ngase përkundër kushteve të vështira gjatë këtyre dy viteve të ballafaqimit me Covid-19 popull ynë tregoi se vërtetë është solidar. Me fillimin e pandemisë iu përgjigjen thirrjes se BIK-ut me fillimin e pandemisë gjeten kurajo dhe ndihmuan Bashkësinë Islame përmes shoqatës "Bereqeti" dhe ne bëmë në atë kohë shpërndarjen e ndihmave të shumta për ata që ishin në nevojë. Sigurisht që rritja e çmimeve ka ndikuar negativisht dhe janë shtuar edhe më kërkesat e besimtarëve për t'i ndihmuar.
Kemi ndihmuar shumë familje gjatë këtij vitit, deri me tani kemi ndihmuar 50 mijë familje, vetëm brenda dy muajve kemi ndihmuar edhe 8 mijë familje me një shumë parash afro 400 mijë euro. Pra, jemi munduar se në këtë kohë të rritje se çmimeve sado pak të ndihmojmë qytetarët në nevojë.
Ndërsa, ne si bashkësi po jetojmë ashtu siç kemi jetuar në të kaluarën, me ndihmat vullnetare te popullit. Ne nuk kemi ndihëm nga buxheti i shtetit, ani pse të gjithë jemi taksapagues.

Nacionale: Edhe nga qeveritë e kaluara keni kërkuar mbështetje buxhetore. Keni pasur një takim me kryeministrin Albin Kurti. A ja keni adresuar këtë kërkesë?
Tërnava: Këtë kërkesë e kam adresuar vazhdimisht, sepse jemi të vetmit në rajon ku shteti nuk i ndihmon bashkësitë fetare. Shqipëria ndanë njëherë në vit për bashkësitë fetare një shumë të konsiderueshëm të parave.
Do të ishte mirë që edhe tek ne të ndahet një shumë parash për të gjitha bashkësitë fetareve. Sepse BIK-u i ka mbi 2 mijë punëtorë, dhe natyrisht se kemi vështirë t'i sigurojmë pagat për këta punëtorë.

Nacionale: Cili ka qenë qëndrimi i kryeministrit kur i keni kërkuar që të ndahet buxhet për bashkësitë fetare?
Tërnava: Besoj që qeveria e Kosovës do të merret me këtë problematik. Sepse nuk po kërkojmë diçka të jashtëzakonshme. Po kërkojmë diçka si gjithë të tjerët, sepse jemi hisedar të buxhetit të Kosovës. Gatishmëri është të qeveria, ata duhet të bisedojmë mes vete dhe të vije deri të realizmi i kërkesës sonë.

Nacionale: Bashkësitë fetare në vend ende nuk kanë status ligjor. Keni marrë ndonjë garanci nga Qeveria për zgjidhjen e kësaj çështje?
Tërnava: Jo, garanci nuk kemi marrë. Ne kemi vërejtjet tona si bashkësi fetare, me qëllimin e vetëm që ta ruajmë Kosovën nga indoktrinomi, nga ekstremizmi, huliganizmi dhe nga dukuritë tjera devijante. Për këto arsye duhet pasur një mbikëqyrje të vazhdueshme të aktiviteteve fetare në Kosovë të të gjitha feve, në veçanti të fes islame, sepse jo çdo herë kemi “mysafir” që nuk ia duan të mirën vendit tonë.
Sigurisht, forcimi i subjektiviteteve të bashkësive fetare do t'i ngris ato në një pozitë më të mirë dhe do të iu mundëson dhe ndihmonte luftimi e dukurive negative në shoqëri.

Nacionale: BIK-u dhe bashkësitë tjera fetare kanë kundërshtuar Projekt-codin Civil, i cili do të mundësonte që personat të të njëjtës gjini të regjistrohen si bashkësi. Pse e kundërshtuar këtë kod?
Tërnava: Ne nuk e kemi kundërshtuar kodin civil. Ne kemi kundërshtuar vetëm nenin ku flitet diçka të veçantë. Sepse si bashkësi fetare ne jemi të thirrur që atë e cila është anti fetare të ia bartin popullit dhe t'i themi se kjo nuk ka të bëj me fe, se është kundër normave fetare, dhe është kundër asaj që thotë Zoti.
Ne si bashkësi fetare e kemi nënshkruar një deklaratë, e cila ka qenë publike sepse të gjitha bashkësitë fetare e kanë këtë qëndrim.

Nacionale: U pa që kundërshtimi i juaj pati efekt dhe nuk i miratuar ky kod?
Tërnava: Ju gazetarët e dini me mirë këtë, se sa ka pasur efekt.

Nacionale: Kodi pritet që sërish të sillet në Kuvend, do ta kundërshtoni prapë?
Tërnava: Ai është i kundërshtuar në parim. Sepse, sipas neve, është kundër vlerave që posedon një njeri, si krijesa më e përsosur në sipërfaqen e tokës. Kjo kundërshtohet edhe nga fetë tjera, jo vetëm nga islami. Këtë e ka kundërshtuat Vatikani, Lidhja Botërore Islame, e kemi kundërshtuar edhe ne dhe do ta kundërshtojmë prapë, sepse i madhi Zot në Kuran na ka porositur që një gjë të tillë të mos e pranoni.

Nacionale: Si do ta kundërshtoni. Do të loboni të deputetët?
Tërnava: Jo, ne merrem me publikun. Ne merrem me publikun, e jo me deputet. Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar dhe do të kërkoj që mundësisht që kjo të mos aprovohet. Mua me ka pëlqyer fakti që në Shqipëri komisioni parlamentar nuk ka lejuar fare ajo çështje të vije deri në parlament. Ne kurrsesi nuk guxojmë të ndikohemi nga jashtë, kur është në pyetje ardhmëria e popullit.

Nacionale: Më herët e keni adresuar te Qeveria edhe çështjen e mbulesës dhe mësim-besimit, mirëpo deri me tani nuk ka pasur ndonjë reagim institucional?
Tërnava: Edhe për këtë çështje kemi folur shumë herë. Ne jemi pjesë e Evropës, sepse Zoti ka dashur që të na fal këtu. Derisa po dëshirojmë që sa më shpejt të jemi pjesë e BE-së mund të them që BE-ja këtë çështje e ka tejkaluar. Prandaj, Kosova duhet të respektojë standardet edhe me rastin e mbulesës.
Sot nëpër Evropë kemi femra të profesioneve të ndryshme, të cilat bartin mbulesën dhe nuk kanë asnjë problem. Ky është një standard evropian. Edhe te ne nuk është më si ka qenë më herët. Dhe ngadalë po e shohin të gjithë se mbulesa nuk duhet të jetë pengës për të arritur atë që dëshiron vajza e jonë, motra e jonë, shoqëria e jonë. Derisa ai është urdhër i Zotit ne nuk mund të kemi qëndrim tjetër.

Nacionale: Në shoqërinë tonë herë pas herë ngritët debati për mbulesë. Se fundi avokati Arianit Koci tha se ndihet i shqetësuar me rritjen e numrit të grave me shami. Si e keni parë këtë qëndrim të tij?
Tërnava: Ne jemi një shoqëri shumë tolenrate, andaj respektoj mendimin e çdonjërit. Pra, mendimin dhe jo fyerjen. Mendim mund të këtë çdo njeri dhe mund ta shpreh atë lirshme, sepse jemi shtet demokratik. Ai është mendimi i një individi dhe ka të drejt te mendojë dhe te jep opinionin e vet. Mirëpo, unë besoj se mbulesa kurrsesi dhe në asnjë moment nuk mund me qenë shqetësuese për askënd.

Nacionale: Deklaratat e tilla mund të prekin tolerancën tonë fetare?
Tërnava: Jo. në asnjë moment. Sepse fuqia shpirtërore që ka kombi ynë brenda vetës është shumë e madhe në krahasim me mendimin e një individi apo të një partie.

Nacionale: A mendoni se ka islamofobi në Kosovë?
Tërnava: Nga mos njohja e islamit, nga gjykimi paushall në raport me islamit, po fitohet përshtypja se ka islamoboli në Kosovës. Unë do t'i ftoja të gjithë që para se të gjykojmë le të lexojnë, le ta shohin çështjen e islamit dhe pastaj le të gjykojnë. Ne e dimë që urdhri i parë në islam është të lexojmë, të mësojmë. Mendoj se më shumë është kjo, se sa që ka në atë konotacionin organizativ islamofobi. Pra, nuk ka njohuri të bollshme në raport me islamin. Në këtë drejtim ka ndikuar edhe e kaluara komuniste, e cila ka luftuar islamin me të gjitha mjetet. Në atë sistem ai njeri që ka folur kundër fesë ka qenë i privilegjuar në shoqëri. Hhe kjo sikur është bartur te disa individ që shprehin këtë mendim, i cili mund të kuptohet si islamofobi.

Nacionale: Bashkësia Islame e Kosovës a ka ndonjë statistikë se sa është numri i femrave që bartin mbulesë?
Tërnava: Nenat tona, motrat tona, mbulesën e kanë bartu edhe në të kaluarën. Ndërsa, tani ka një numër të caktuar të femrave që bartin mbulesë në Kosovë dhe për mua kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen e vendit tonë.

Nacionale: BIK-u është kritikuar është kritikuar për shkak të rritjes së çmimit të shkuarjes në haxh. Pse u ngritën aq shumë çmimet?
Tërnava: I madhi Zot thotë në Kuran: Mos gjyko për diçka që nuk ke informacion. Haxhi është ritual fetar, është obligim prej të Zotit, për atë që ka mundësi. Çmimi i haxhit në Kosovë është një prej çmimeve më të lira në Evropë. Shembull, Turqia çmimin e ka prej 9 mijë dollarëve e më shumë, Bosnja e ka 6 e 200-300 euro, shumica e vendeve të Evropës e kanë mbi 9 mijë euro. Nëse doni detaje, po ju tregoj. Deri në këtë vit nuk është paguar asnjëherë viza për të shkuar në haxh, pra ka qenë gratisë për të gjithë hanxhinjtë e botës, ndërsa prej këtij viti kushton 80 euro. Shërbimet brenda Arabisë Saudite kanë qenë 650 euro, këtë vit janë bërë 1650 euro. Pastaj, sigurimi shëndetësor është ngritur shumë. Gjithashtu, atje nuk ka pasur TVSH e taksa tjera, ndërsa tani kanë. Pra, çmimin nuk e përcaktojmë ne, e caktojnë ata atje. Çmimet janë ngritur në të gjithë botën, sikurse që ka ndodhur edhe të ne. Pastaj, edhe haxhi është zotnillak, ne nuk guxojmë që hanxhinjtë tanë t'i vendosim në kushte jo të mira, nuk mund ti vendosim 20 haxhinjë në një dhomë dhe të qëndrojnë në kushte jo normale. Pyetni hanxhinjtë kur të vijnë dhe ju tregojnë për kushtet që i kanë pasur atje.
Ju mund të thoni se që Shqipëria e ka më lirë, sepse ju gazetarët i doni këto. Është e vërtetë që e ka më lirë. Ata që merren me turizëm dhe aeroplana e dinë, fatbardhësisht Shqipëria e ka kompaninë ajrore me kosto të ulët të Arabisë Saudite "Flynas". Ata nuk janë të detyruar të marrim charter qysh jemi ne të detyruar. Pra, vetëm në bileta ata janë më lirë se ne dikur rreth 400 euro.

Nacionale: Cili është mesazhi i juaj për festën e Kurban Bajramit?

Tërnava: Më lejoni që në këtë ditë të madhe, në ditën e Arafatit, në prag të festës së Kurban-Bajramit, t’u drejtohem me urimet e përgëzimet më të mira për shëndet, harmoni e mbarësi, me shpresën dhe bindjen e fortë se në këtë festë të Kurban-Bajramit, do të përfitojmë nga begatitë dhe rahmeti i Krijuesit të Gjithësisë. Festat fetare te ne, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë, ndaj, ne lutemi dhe urojmë që edhe ky Bajram të jetë në frymën e tillë. Duke ju uruar për festën e madhe të Kurban-Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja.

Lajme të ngjashme