Shkolla në Gjakovë që ndaloi shaminë, drejtoresha thotë se ndihet e kërcënuar - NACIONALE

Shkolla në Gjakovë që ndaloi shaminë, drejtoresha thotë se ndihet e kërcënuar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së enjte, një fotografi e publikuar shkaktoi shumë debate në publik. Në shkollën e Mesme Teknike ”Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, ishte vendosur një shenjë ku tregonte se ndalohet mbulesa e vajzave në shkollën e mesme teknike në Gjakovë, shkruan Nacionale.

Për këtë çështje mbrëmë ka reaguar Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje.

Balje ka thënë se krahasimi i një arme që vret me atë të një vajze me shami është “vrasje e të drejtës së besimit” të saj. Ajo përmes një postimi ka kërkuar një sqarim nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

“Me një pjesë të simboleve jam dhe unë dakord. Mirëpo, me simbolin e një vajze me shami, krahasimi i simboleve në këtë mënyrë është skandaloz dhe gjithashtu ofendim për secilin qytetar dhe Republikën tonë, pa përjashtuar edhe besimet fetare. Unë nuk mund të jam indiferent dhe gjithashtu kërkoj një sqarim edhe nga Kryetari i Komunës së Gjakovës, z. A. Gjini”, ka shkruar Balje.

E pas reagimit të deputetes, është kundërpërgjigjur Drejtoresha e Shkollës së Mesme Teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj.

Gjergjaj ka thënë se vetëm po e respekton Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke i quajtur paragjykuese akuzat e Baljes ndaj saj.

“Për të dhënë përgjigje për akuzat tua paragjykuese, tendencioze dhe linçuese ndaj meje, ju ftoj ta lexoni Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014. Pastaj, besoj edhe ju vetë do ta kuptoni ngutinë dhe naivitetin e reagimit tuaj linçues ndaj meje”, ka shkruar Gjergjaj.

Gjergjaj ka shkruar se nuk i shkel ligjet e udhëzimet administrative.

“Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulët, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime.”

Ajo ka shtuar se për këtë çështje do t'i drejtohet organeve të sigurisë.

"Sidoqoftë, për fushatën e kërcënimeve që ju nxitët sonte ndaj meje, natyrisht se nesër do t’i drejtohem autoriteteve të sigurisë. Pasi unë besoj fuqishëm në lirinë, demokracinë dhe sigurinë Kushtetuese që ma ofron vendi dhe shoqëria ime, Kosova, për t’i përmbushur të gjitha detyrimet e mia ligjore, si qytetare dhe zyrtare publike e këtij vendi. Pa marrë parasysh, se në disa raste përballemi edhe me individë të ndryshëm që me metoda primitive, “autoritare”, e nxitëse të dhunës provojnë të na detyrojnë që t’i shkelim ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi në Republikën e Kosovës", shkruan ajo

Në rrjetet sociale ka qarkulluar një fotografi nga një shkollë në Gjakovë, në të cilën ishin vendosur shenjat për gjërat e ndaluara në shkollë.

Në mesin e gjërave të ndaluara ishin arma, pirja e duhanit, produktet kozmetike, si dhe mbulesa (e vajzave myslimane).Kjo e fundit ka ngjallur reagime në rrjetet sociale.

Për këtë punë dje ka reaguar edhe imami kosovar Labinot Maliqi, i cili i ëhstë drejtuar drejtpërdrejt kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, lidhur me simbolin e vendosur në muret e shkollës “Nexhmedin Nixha” për ndalimin e shamisë.

Maliqi ka thënë se drejtorja e shkollës në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, është nga radhët e AAK-së.

Mesazhet e imamit për Haradinajn, janë shoqëruar me gjuhë të ashpër. Ai ka thënë se gratë e partisë së tij po bëjnë veprime fashiste.

“Ramush Haradinaj, nëse t’u kanë lodhë mashqit, kujdes me gratë e partisë të cilat me veprime fashiste në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit po e luftojnë besimin e 98,6% të popullit të Kosovës. Pastaj mos thuaj se unë e respektoj islamin, hoxhallarët dhe besimtarët e devotshëm, sepse në anën tjetër po hesht përballë veprimeve fashiste dhe islamofobe të kryera nga bashkëpartiakët tuaj. Drejtoresha e shkollës së mesme teknike “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, Florentina Gjergjaj, e cila vjen nga radhët e AAK-së, me plot mllef dhe fashizëm ka vendosur në hyrje të institucionit shenjën kundër vendosjes së shamisë në shkollë, duke e barazuar atë me pistoletën, duhanin dhe dukuritë e tjera negative”, ka thënë ai.

Imami Maliqi, po ashtu i ka bërë thirrje ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që ta shkarkojë menjëherë nga pozita drejtoren.

“Për shkak të këtyre veprimeve fashiste, islamofobe, nxitje të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit fetar, veprime të cilat e kanë prishur qetësinë dhe rendin tonë publik, i bëj thirrje Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që ta shkarkojë menjëherë nga pozita e saj drejtoreshën Florentina Gjergjaj. Në të kundërtën, do të padisim MASHT-in për heshtje ndaj këtyre veprimeve të dënueshme me ligj, apo marrjen e masave të lehta përballë kësaj situate tepër të rëndë dhe serioze. Si shtet demokratik që jemi dhe jo komunist, shkollimi dhe bartja e shamisë është e drejtë elementare njerëzore dhe nuk do të mund kurrë askush ta pengojë”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme