Infermieret rrahën plakën, mjeku abuzon me 5-vjeçaren: Dy raste keqtrajtimesh për një muaj nga stafi shëndetësor - NACIONALE

Infermieret rrahën plakën, mjeku abuzon me 5-vjeçaren: Dy raste keqtrajtimesh për një muaj nga stafi shëndetësor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Për më pak se një muaj, Kosova është tronditur nga dy raste ku infermiere apo mjek, kanë keqtrajtuar qytetarë në nevojë. Fillimisht ishte rasti në qendrën “Orenda” në Pejë ku infermieret e rrahën një të moshuar, kurse sot një rast i ngjashëm ndodhi në Gjilan. Atje logopedi Iljasa Fazliu abuzonte me një vajzë 5-vjeçare me autizëm. Nacionale sjell gjithçka që dihet deri më tash për rastin e fundit.

Logopedi Iljasa Fazliu po dyshohet se është përfshirë në një keqtrajtim të një të mitureje në Gjilan. Një vajzë 5-vjeçare me autizëm, po dyshohet se është abuzuar psiqikisht nga Fazliu, gjatë një seance në klinikën private të këtij të fundit.

Gjithçka për këtë skandal e ka zbardhur një hulumtim i gazetës Insajderi. Këta të fundit kanë publikuar një audio-inçizim që dëshmonte për ofendimet, sjelljet e papranueshme dhe abuzimin që logopei Iljasa Fazliu ia bënte vajzës së mitur.

Në videon e publikuar ka gjuhë të papranueshme nga logopedi Fazliu, i cili në muajin shtator ishte emëruar si shef i shërbimit të logopedisë në QKUK.

”Plaq atje…Ik atje budallicë, ta q*ft bota nanen…ik aty… jepja bre topin q*ja nanen qaty… nalu ta q*ft dreqi nanen…çka po don çka, çka?… na e lodhe b**hen”. Me këto fjalë i drejtohet logopedi vajzës 5-vjeçare me autizëm.

Përveç mjekut, në video dëgjohet edhe një tjetër punëtore e ordinancës ku në një moment i drejtohet vajzës 5-vjeçare duke e quajtuar “rriqën”.

Skandali bëhet më i madh pasi Insajderi ka raportuar se nëna e vajzës, i ka paguar pikërisht këto ditë 250 euro, në mënyrë që vajza e saj të bëjë disa seanca tek ky logoped.

Pasi i kanë dëgjuar incizimet, familjarët e vajzës së mitur e kanë sulmuar fizikisht logopedin Iljasa Fazliu. Si pasojë, janë arrestuar dy persona, përderisa i arrestuar ka përfunduar edhe mjeku.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, dy prej tyre pasi që kanë sulmuar fizikisht të dyshuarin e tretë i cili është mjek, të cilit i kanë shkaktuar lëndime. I dyshuari i tretë është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer veprën trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe për shkak të sulmit ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Sinjali ka publikuar edhe momentet e rrahjes, e cila ka ndodhur në një kafene në Gjilan.

Për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, logopedi Fazliu mund të dënohet edhe me burg,

“Mjeku, stomatologu ose punonjësi tjetër shëndetësor, i cili me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, përdor haptas një mjet apo metodë të papërshtatshme të mjekimit ose në ndonjë mënyrë tjetër haptazi nuk i zbaton rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor ose haptazi vepron në mënyrë të pakujdesshme, duke shkaktuar kështu keqësimin e sëmundjes ose dëmtimin shëndetësor të personit tjetër, dënohet me burgim me jo më shumë se një (1) vit”, thuhet në nenin 254 të Kodit Penal të Kosovës.

Rasti i dytë i keqtrajtimit nga stafi shëndetësor

Ky në Gjilan, është rasti i dytë ku personat keqtrajtohen nga stafi shëndetësor. Një tjetër e që krijoi skandal të madh në Kosovë kishte ndodhur në fillimin e këtij muaji në qendrën për të moshuar “Orenda” në Pejë.

Tri infermiere atje, kishin incizuar veten teksa e rrahnin një të moshuar dhe talleshin me të. Kjo kishte bërë që ato të arrestohen. Megjithatë, ditën e premte me vendim të Gjykatës Supreme, tri infermieret u liruan.

Vetëm pak ditë pas publikimit të pamjeve, Qendra Orenda në Pejë ishte mbyllur.

Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda”, kishte folur ekskluzivisht për gazetën Nacionale në lidhje me rrahjen së moshuarës nga disa inferemiere.

Anton Rasaj, pronar i Qendrës për për të Moshuar në Pejë “Orenda”, ku sot u sulmua fizikisht një e moshuar nga disa infermiere, ka thënë se këto zhvillime e kanë lënë “pa fjalë” dhe plot “mllef”.

Më pas ai ishte paraqiur edhe në një konferencë për media, ku potencoi se familja e tij investoi në këtë qendër me paratë që kishin fituar jashtë vendit dhe se sipas tij, janë kujdesur që stafi të kishte sjellje profesionale.

“Kursimet e fituara jashtë vendit me familje, vendosëm t’i investojmë në familje. Kemi punësuar personal dhe punësuam bashkëatdhetarë. U kujdesëm që të ketë maksimalisht sjellje profesionale nga personeli në qendrën tonë. Situata në fjalë, na ka lënë pa fjalë dhe plot mllef”, kishte pohuar ai.

Prokuroria tashmë ka intervistuar dëshmitarët, dhe po zhvillon hetimet e tjera për rastin e Pejës.

Lajme të ngjashme