"Gjithmonë i gatshëm", flet mjeku nga diaspora që erdhi të kontribuojë në Kosovë pas thirrjes së Kurtit - NACIONALE

"Gjithmonë i gatshëm", flet mjeku nga diaspora që erdhi të kontribuojë në Kosovë pas thirrjes së Kurtit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kohë më parë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, e lëshoi një thirrje, që i ngjante paksa kumtit. Në një takim me mjekët e në krah me Rifat Latifin, atëbotë ministër i Shëndetësisë, u bëri një ftesë të gjithë mjekët kosovarë që punojnë në diasporë. “Kthehuni” – ishte thirrja e Kurtit që i ngjante titulli të këngës së Malsorit.

Më vjen mirë që po ju takoj në Kosovë, në Prishtinë. Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës” – kishte thënë Kurti më 15 shtator të këtij viti.

E duket se thirrja e Kurtit nuk ka hasur në vesh të shurdhër, pasi ajo ka filluar të japë frytet e saja. Së paku një mjek e ka dëgjuar thirrjen e Kurtit. Fadil Ademaj është mjeku i parë që ka vendosur të kthehet në Kosovë.

Ademaj, që me specializim është kardiolog invaziv, ka vetëvendosur që pervojën e tij ta sjell në Kosovë. Pas Gjermanisë, ku ai jeton e punon, Ademaj bëhet mjeku i parë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti për kontributin e diasporës në shëndetësinë kosovare.

Në një njoftim nga SHSKUK-ja, theksohet se z.Ademaj i shoqëruar nga zëvendësministri i shëndetësisë e ka vizituar këtë institucion.

Thirrjes që ka bërë Ministria e Shëndetësisë për profesionistë mjekësorë që jetojnë në mërgatë, së fundmi i është përgjigjur edhe Dr.Fadil Ademaj, Kardiolog Invaziv, i cili për shumë vjet punon dhe vepron në Qendrën Klinike Universitare të Nurnbergut në Gjermani. I shoqëruar nga zëvendësministri i shëndetësisë, dr. Arsim Berisha, dr. Ademaj, të shtunën ka vizituar Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ai do të ndihmojë trajnimin e mjekëve kardiologë në QKUK, por edhe në Spitalin e Prizrenit, ku po punohet për hapjen e Shërbimit të Kardiologjisë Invazive.” – thuhet tutje në njoftim.

Në një përgjigje për Nacionalen, Ademaj ka treguar se ai ka qenë gjithmonë i gatshëm të kontribuojë për zhvillimin e kardiologjisë në Kosovë.

Tutje, z. Ademaj deklaroi se e ka për qëllim trajnimin e kardiologëve kosovarë në klinkën ku ai punon në Gjermani.

Kam qenë dhe jam i gatshëm gjithmonë që të ndihmoj në zhvillimin e kardiologjisë në Kosovë, pavarësisht se kush është në pushtet.

Dua qe kardiologët kosovar të vijnë në Klinikën e Nürnberg dhe të trajnohen për disa procedura të caktuara invazive që akoma nuk bëhen në Prishtinë.” – tha z.Ademaj për Nacionalen.

Kujtojmë që ka më shumë se një muaj që Ministria e Shëndetësisë ka mbetur pa udhëheqës, pasi z. Latifi dha dorëheqje nga posti i të parit të shëndetësisë kosovare.

Siç ka shkruar Nacionale, dy institucionet më të rëndësishme të shëndetësisë në Kosovë - Ministria e Shëndetësisë e Shërbimi Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) – janë duke u udhëhequr nga ushtruesit e detyrës.

Pas dorëheqjes së mjekut Rifat Latifi më 6 tetor të këtij viti, MSh-ja udhëhiqet nga një ministre me mandat të përkohshëm. Pra janë bërë rrafsh 50 ditë që nga koha kur ky institucion shëndetësor drejtohet nga u.d., Dr. Dafina Gexha - Bunjaku. Gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes, Gexha - Bunjaku dy herë e mori pozitën e u.d. të ministres.

Por gjendja e njëjtë vazhdon edhe në Shërbimin Klinik dhe Universitar të Kosovës. Edhe ky institucion vazhdon të udhëhiqet që 115 ditë me ushtrues detyre. Kjo pas dorëheqjes së infektologut Valbon Krasniqi nga pozita e drejtorit të ShSKUK-së.

Lajme të ngjashme