Kafeteritë e baret drejt “uljes së volumit” por çka të bëhet me ezanin e xhamisë dhe këmbanat e kishave? - NACIONALE

Kafeteritë e baret drejt “uljes së volumit” por çka të bëhet me ezanin e xhamisë dhe këmbanat e kishave?

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Të gjithëve ju pengojnë, por pak kush dëshiron të flas me identitet të plotë. Frika nga gjykimi dhe sulmet në rrjete sociale i bëjnë të mos flasin publikisht. Por problemi është i painjorueshëm. Del sheshit çdo ditë nga disa herë brenda ditës. Bëhet fjalë për zhurmën që krijojnë lutjet nga xhamitë në Prishtinë dhe këmbanat e kishave e Katedrales. Askush nuk guxon të flas për këtë temë zyrtarisht.

Është e martë pasdite dhe salla e Kuvendit Komunal në Prishtinë ishte gjysmë e mbushur me qytetarë prishtinas të cilët kishin ardhur të diskutojnë në konsultimin publik lidhur me Projekt rregullorën për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndojta akustike në sektorin e gastronomisë. Qytetarë jo edhe shumë në numër vijnë e rehatohen në ulëset e Kuvendit.

Nuk është problemi vetëm tek lokalet, problemi i ndotjes akustike në Prishtinë është shumë i madh,” - thotë një qytetar që banon në qendër të qytetit.

Teksa koha e paralajmëruar për diskutim publik po bëhej gati, në sallë vijnë edhe kryetari Përparim Rama dhe dy nënkryetarët e tyre, Alban Zogaj dhe Donjeta Sahatçiu.

Tema e diskutimit është vetëm për një rregullore që do të ndreqte zërimin e tmerrshëm nëpër qytet, por qytetarët kanë edhe ankesa të tjera.

Meqënëse këtë herë diskutimi është vetëm për rregulloren për mbrojtjen nga ndojta akustike në sektorin e gastronomisë le të fokusohemi këtu,” - thotë kryesuesi i diskutimit teksa i përgjigjet reagimeve të disa qytetarëve që kërkojnë zgjidhje edhe për të tjerë ndotës.

Kemi probleme të mëdha të zhurmës. Prej sfierenave të veturave e deri tek zhurmat e tjera,” - thotë Agim Musliu një qytetar në rrugën Fehmi Agani në Prishtinë.

Kur ai nisë të flas për zhurmat e tjera sërish pengohet. Kështu ndodhë edhe me të tjerë të cilët dëshironin të komentonin dhe të flisnin për një problem tjetër: thirrjet dhe këmbanat fetare nga objektet e religjionit në Prishtinë.

Për mua është shumë e rëndësishme që përtej kafiqave të rregullohet edhe cështja e ezanit që është 5 herë në ditë dhe këmbanave që jane ndotje,” - thotë një qytetare e cila sapo kishte dalë nga salla.

Kush guxon të hap debatin për "ndotjen akustike" të objekteve fetare?

Por këtu nuk na lanë me fol për këto cështje. Edhe plus po tuten më duket,” - thotë një tjetër qytetar që ishte më të.

As nga Komuna e Prishtinës nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje. Kryesuesi i këtij diskutimi krejt kohën e përsëritë fjalinë “këtu jemi për të folur për për orarin e punës dhe mbrojtjen nga ndojta akustike në sektorin e gastronomisë”. As në Bashkësinë Islame nuk folën për këtë çështje. Kërkuan më shumë kohë dhe thanë se askush deri më tash nuk e kanë diskutuar këtë çështje.

Thirrja e ezanit përmes zmadhuesve të zërit në minaret e xhamive të shumta në Prishtinë bëhet 5 herë në ditë. Ezani thirret në kohë të ndryshme, varësisht nga kalendari hënor, por zakonisht thirret në orën 5 mengjës, 12 të mesditës, 14:00 dhe 15:00 pasdite dhe 18:00 në mbrëmje. Ndërsa këmbanat e kishave dhe katedrales në Prishtinë bien dy herë në ditë.

Në vitin 2013, ishte miratuar një ligj që quhet “Ligji për Mbrojtjen nga Zhurma” që rregullonte pos trafikut rrugor, hekurudhor dhe ajror, që llogariten si burime të zhurmës, edhe pajisjet akustike të objekteve fetare.

Kambanat e kishave, por edhe thirrjet për namaz të xhamive, sipas këtij tligji, duhet të nivelohen deri në atë masë që të mos pengojnë qytetarët.

Të prekur nga ky ligj, zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës kishin deklaruar se thirrjet fetare nuk mund të konsiderohen zhurma, por do të jenë bashkëpunues me organet përgjegjëse. Nga ana tjetër, Don Shan Zefi, nga Kisha Katolike, ka deklaruar se do të pranojnë minimizimin, por në asnjë mënyrë eliminimin e kambanave, që është traditë mijëvjeçare.

Përtej xhamiave dhe kishave, gastronomia do të dënohet nëse prish qetësinë publike

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, prezantoi rregulloren, që parashihet të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm. Më saktësisht në prill të vitit 2023. Idea është që të gjitha lokalet, si kafiqa, restorante apo të tjera që lëshojnë muzikë, do të duhet që ta blejnë për 180 euro një pajisje përmes së cilës do të bëhet matja e zërit. Një aplikacion që do t’i bashkangjitet kësaj pajisje do të lajmëroj në kohë reale Komunën se cili lokal po krijon ndotje akusitike, dhe inspektoriati me Policinë do të shkojnë aty direkt. Gjobat janë nga 500 deri në 5 mijë euro. Bizneset e gastronomisë do të pajisen me një certefikatë e cila do të lëshohet varësisht nga zona ku operojnë ato. Pra volumi i zërimit do të varet nga zona ku egziston biznesi.

E qytetarët patën ankesa të shumta.

Agim Musliu banor i rrugës Fehmi Agani tha se përpos zhurmës nga kafiqat, ka probleme me zhurmën që krijojnë veturat, njerëzit e dehur në fundjavë dhe punëtorët teksa pastrojnë lokalet pasi të mbyllen.

Edhe një qytetar ndërkombëtar me emrin Lans Johnson që jeton në Prishtinë që nga viti 2001 tha se ai dhe familja nuk mund të flenë nga zhurma. U ankua edhe për muzikën që lëshohet para ndeshjeve në Stadiumin e Prishtinës.

Naser Gashi nga Kodra e Diellit tha se kjo lagje është shndërruar në një lagje diskotekash, dhe se zgjidhja e vetme është që lokalet të obligohen që të izolojnë hapësirat e tyre.

Për të dëgjuar të gjitha ankesat dhe diskutimin publik ju ftojmë të dëgjoni këtë podcast.

Lajme të ngjashme