Frikë nga loja e Kurtit: Pse opozita s'e ka dërguar ende Ligjin e Pagave në Kushtetuese?
Është kundërshtuar me të madhe Ligji për Pagat, por deri më tani asnjëra nga partitë politike opozitare nuk kanë marrë guximin që atë ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. U tha se ishte Ligj “anti-kushtetuese”, "mashtrim tjetër i radhës” dhe “kryeministri ia ka rritur pagën vetës”, e të tjera deklarata kundërshtuese, por veprim nuk ka pasur. Çka po ndodh me këtë çështje?
Partitë opozitare, PDK, LDK e AAK, pas miratimit të Ligjit për Paga në Kuvendin e Kosovës kishin kundërshtuar e kritikuar pushtetin se kanë miratuar një Ligj anti-Kushtetuese, por të cilin nuk po e dërgojnë në Kushtetuese për të kuptuar nëse me të vërtetë është i tillë.
Nacionale brenda opozitës mëson se Ligji nuk po dërgohet në Kushtetuese për shkak se pushteti do t’i kundërvihej duke thënë se opozita po bllokon rritjen e pagave për të punësuarit në sektorin publik.
Por çka po pret opozita për Ligjin për Paga?
Nacionale ka pyetur deputetin e PDK-së, Ferat Shalën, se a pritet të dërgohet në Kushtetuese Ligji për Paga? I njëjti na tha se mendimi i tij është që të dërgohet në Kushtetuese, por qëndrim zyrtar të PDK-së nuk ka.
Shala si deputet i Kuvendit të Kosovës ka thënë se Ligji për Pagat është anti-kushtetuese.
Ai tutje ka shtuar se problemi kryesor qëndron te vlera e koeficientit e cila nuk dihet ende. Qeveria po luan me pagat e të gjithë atyre që presin rritje page nga ky Ligj.
“Qëndrimin e partisë nuk mundem me dhanë sepse jam veç një deputet. Ligji për mu është antikushtetues, ligji ka shkelje, vetëm një fakt mjafton se ne ende nuk e dimë se sa është koficienti i tij, vlera e tij. Pra loja politike që qeveria po bën me ndjenjat e gjithë atyre që presin ligjin është e pasinqertë dhe joligjore. Askush nuk e di sa është vlera e koficientit, pra është miratuar një ligji i cili parimisht është në dorën e një grupi politik që vendosë me fatin e kategorive të caktuar.” - ka thënë ai.
Në anë tjetër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami për Nacionalen theksoi se si parti janë në pritje të mësojnë vlerën e koeficientit.
“Ngritjen e pagave po e presim me padurim dhjetëra mijëra shërbyes civil, duke pritur që pagat e tyre të paktën të indeksohen për vlerën e inflacionit, tanimë kur secili e di që paga është zhvlerësuar së paku 20%. Duke marrë parasysh faktin që ende nuk dihet vlera monetare e koeficientit është vështirë të dihet se cilat kategori janë dëmtuar dhe sa janë dëmtuar ato. Andaj LDK do të pres caktimin e koeficeintit për të bërë analizën e duhur të Ligjit dhe për të vendosur nëse i njëjti duhet të kundërshtohet në Kushtetuese.” - ka thënë ajo.
Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, mënjëherë pas votimi të Ligjit kishte thënë se ka terr informativ dhe manipulim i radhës, por nuk kishte thënë se do të dërgohet në Kushtetuese.
“E tash që kaloi Ligji i Pagave, a ka dikush në qeveri që mundet me na tregu sa është rroga e një zyrtari të shtetit? Terr informativ, manipulim dhe siç po duket edhe një mashtrim i radhës. Folni mos heshtni tash!” - kishte shkruar Tahiri në Facebook.
Ai gjatë ditës së djeshme u tregua edhe më specifik duke kërkuar që vlera e koeficientit të ishte 129 euro. Sipas tij, nëse nuk do të ishte kaq, atëherë ai kishte rrezik të dështonte.
Ndryshe Ligji për Paga tashmë është dekretuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani të mërkurën më 4 janar 2023.
Ligji për Paga u miratua në muajin dhjetor të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës. Ky Ligj u votua nga 63 deputetë, një abstenim dhe asnjë votë kundër.

