FMN: Hapat pozitivë në dialogun me Serbinë do t'i hapnin rrugë investimeve të huaja direkte në Kosovë
Në një vlerësim të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përshkruar rreziqet dhe mundësitë potenciale të rritjes për ekonominë e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me Serbinë dhe përparimin në proceset integruese të Bashkimit Evropian, si faktor kyç në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
Raporti i FMN-së thekson disa rreziqe që mund të ndikojnë në trajektoren ekonomike të Kosovës. Këto përfshijnë potencialin për rritje të çmimeve të mallrave të shkaktuara nga tensionet gjeopolitike, një ngadalësim në ekonomitë e përparuara evropiane dhe rrezikun e përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës.
“Rreziqet për perspektivën ekonomike të Kosovës përfshijnë rritjen e çmimeve të mallrave për shkak të tensioneve gjeopolitike, aktivitetit më të dobët në ekonomitë e zhvilluara evropiane dhe një përshkallëzim të tensioneve në veri të Kosovës”, thuhet aty.
Megjithatë, në mes të këtyre sfidave, FMN-ja vë në dukje edhe mundësi të konsiderueshme për Kosovën.
Progresi në dialogun me Serbinë dhe avancimi në procesin e anëtarësimit në BE mund të forcojë besimin në rritjen e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), të stimulojë turizmin dhe të mbledhë mbështetje financiare shtesë nga donatorët, duke nxitur rritjen ekonomike.
“Përparimi kyç në dialogun me Serbinë dhe procesin e pranimit në BE mund të rrisë besimin, IHD-të, turizmin, mbështetjen financiare të donatorëve dhe rritjen”, thuhet në raport.
Vlerësimi i FMN-së nënvizon rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik mes pasigurive globale duke ndjekur në mënyrë aktive rrugët për rritje.
Kujtojmë se gjatë vitit të kaluar, Kreditori Ndërkombëtar ka shfaqur shqetësime në lidhje me tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës. Sipas FMN-së, këto tensione kanë shtyrë disa partnerë ndërkombëtarë të ndërmarrin masa të përkohshme dhe të rikthyeshme në përpjekje për të promovuar de-përshkallëzimin.
"Tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës kanë shtyrë disa partnerë ndërkombëtarë të zbatojnë masa të përkohshme dhe të kthyeshme që synojnë të promovojnë de-përshkallëzimin. Masat nuk kanë gjasa të ndikojnë në perspektivën afatshkurtër, por ato mund të ndikojnë në performancën nëse qëndrojnë për një kohë të gjatë", thuhet mes tjerash në komunikatën e FMN-së.
FMN megjithatë ka vlerësuar se rritja “rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në 3.8 për qind këtë vit, e nxitur nga konsumi i fortë privat dhe rritja më e shpejtë e investimeve”.