Edhe një grua tjetër e vrarë: Pse po vrasin burrat e Kosovës?
Sadije Godeni 63-vjeçare, mësimdhënëse e gjeografisë në shkollën “Dardani” në Prishtinë, është gjetur e vrarë më sëpatë në mëngjesin e së premtes në shtëpinë ku ajo jetonte me burrin e saj në kryeqytet.
I dyshuari kryesor për këtë vrasje është burri i saj 70-vjeçar, Izet Godeni, dhe i njëjti është dorëzuar vetë në stacionin policor në Qendër në Prishtinë.
Pse po ndodhin këto vrasje?
Zana Avdiu, analiste dhe aktiviste në Kosovë, ka thënë se vrasja e grave dhe vajzave po ndodhë për shkak të seksit të tyre, dhe sipas saj ato po vrahën vetëm se janë gra.
“Në Kosovë, po ndodh femicid. Pra, vrasje e grave dhe vajzave, për shkak të seksit të tyre. Pra, gratë vriten vetëm pse janë gra. Dhuna fizike, seksuale, abortet selektive dhe vrasjet janë mjete të femicidit, të cilat përdoren për kontrollimin dhe eliminimin grave. Kjo dhunë është e nxitur dhe e pranuar nga shoqëria, prandaj edhe po përballemi cdo ditë me ngjarje të tilla. Gjithashtu, edhe reagimi i vogël dhe joadekuat i institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, po i mundëson këto krime të ndodhin.”, ka thënë Avdiu për Gazetën Nacionale.

Neri Ferizi, aktiviste për të drejtat e grave në Kosovë ka thënë për Nacionalen se vrasja, dhuna e sulmet seksuale në Kosovë nuk vijnë ngase çiftet kanë probleme mes vete, por sipas saj shtypja është kulturore.
“Vrasja, dhuna e sulmet seksuale në Kosovë - nuk vijnë domosdoshmërishtë ngase çiftet kanë probleme mes vete, shtypja është kulturore. Kjo kulturë e cila ende vazhdon të ushqehet edhe ky sistem i sotëm e ka sjellë vrasjën e grave në fenomen. Ky fenomen, lype krijim të mekanizmave ndër-institucional, të cilët luftojnë në gjeneze këtë dhunë të ushtruar ndaj grave në Kosovë. Kjo dhunë e këto vrasje janë me bazë gjinore, për shkak të nevojës së burrave për dominim - e që kjo nevojë për dominim është ushqyer ndër vite nga kultura e nga sistemi patriarkal e besa institucionet tona të cilat nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, por përkundër sistemi i drejtësisë ka shqiptuar dënime qesharake”, ka thënë ajo.
Çfarë ndodhi saktësisht në rastin e Sadijes?
Kishte 28 vjet që jepte mësim në shkollën fillore "Dardania" të Prishtinës. Arsimtarja e gjeografisë, Sadije Godeni, asnjëherë nuk kishte munguar në procesin mësimor.
Mungesa e saj e vetme qe të premten. Por kjo mungesë nuk u bë me dëshirën e saj.
Mësuesja e gjeografisë, 63-vjecarja Sadije Godeni, u gjet e vrarë mizorisht në shtëpinë ku jetonte me burrin e saj 70-vjeçar. E i dyshuari për vrasjen e mësueses, është pikërisht burri i saj, Izeti. Ky u vetëdorëzua sot në polici).
Sipas Prokurorisë, ngjarja makabre ndodhi dikur në orët e para të mëngjesit të së premtes.
“Sot, rreth orës 04:40, në Stacionin Policor Qendra, është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në Rr. “Mark Isaku” në Prishtinë”, ka thënë Prokuroria në njoftimin e saj.
Megjithatë, ende nuk dihet motivi i kësaj vrasjeje, sipas prokurorisë.
“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thanë tutje nga prokuroria.
Trupi i viktimës është dërguar për obduksion, ndërsa burri i saj është arrestuar.
"Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeçe, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion", i tha Nacionales në lidhje me rastin, Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.
