Djali i kryenaftëtarit në Zyre të Kurtit, naftëtarët e vegjël punojnë me humbje, çmimet shtrenjtë: Çka po ndodh? - NACIONALE

Djali i kryenaftëtarit në Zyre të Kurtit, naftëtarët e vegjël punojnë me humbje, çmimet shtrenjtë: Çka po ndodh?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumë reagime janë bërë në lidhje me çmimet e naftës, e të cilat konsiderohet se po i shkojnë në favor naftëtarëve të mëdhenj duke dëmtuar qytetarët dhe shitësit me pakicë. Çka saktësisht po ndodh?

Gjatë ditës së djeshme, çmimi tavan për një litër dizel ishte 1.67 euro centë. Në anën tjetër, oferta e djeshme nga shitja me shumicë ka qenë 1.75 euro centë.

Kjo bën që shumë shitës me pakicë të shesin një litër naftë me tetë centë humbje, pa numëruar edhe shpenzimet tjera operacionale. Po ashtu, kjo nënkupton që për çdo njëqind lira një shitës me pakicë do t’i humbë nga tetë euro derisa për çdo njëmijë litra do t’i humbë nga tetëdhjetë euro.

Analisti Fadil Hoxha e ka interpretuar një gjë të tillë si një favorizim të bizneseve të mëdha në kurriz të bizneseve të vogla.

“Këta njerëz ose janë shumë të padijshëm ose me qëllim po i shkatërrojnë bizneset e vogla e favorizojnë të mëdhatë, ndonëse është krejtë e kundërta e asaj që proklamojnë në fushatë zgjedhore.” – ka thënë z. Hoxha.

Gazeta Nacionale kishte raportuar muaj më parë se i biri i kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjanit, me emrin Dillon, punonte në Zyren e Kryeministrit.

Fadil Berjani është një naftëtar i shquar dhe pronar i kompanisë Dilloni Benz, gjë që mund të nxis dyshimet te naftëtarët me pakicë për ndonjë dallaver të mundshëm.

Një gjë të tillë e kishte komentuar edhe deputeti Armend Muja, i cili ishte shprehur: “...sa i përket Dillonit, nuk e paskna pasë si ide që është këshilltar mirëpo as nuk e kam pasur ide lidhjen e tij me zotin Berjani.”

Por, edhe Berjani kritikoi Qeverinë Kurti për çmimet tavan.

“Ndërmerrni masa…Vendimi i fundit i Qeverisë për vendosjen e çmimeve tavan të derivateve, është skandaloz pasi çmimi i vendosur shitës është nën çmimin blerës. Çmimi blerës për naftë, sot është: 1.75 euro, dje ishte: 1.68 euro, ndërsa pardje: 1.66 euro. Ndërsa çmimi tavan i vendosur nga Qeveria për nafte është: 1.67 euro. Vendime të këtij lloji janë duke i detyruar kompanitë të operojnë me humbje trashanike,” – u shpreh Berjani.

Por, më i ashpër ishte kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor, Ruzhdi Kurtishaj, e i cili shprehu edhe një problem tjetër në këtë mes: çmimet e larta në përgjithësi.

Përkundër që shitësit me shumicë e shisnin me çmim tetë centë më të shtrenjtë, ai alarmoi se çmimi i një litre naftë në vendet e rajonit ishte ndjeshëm më i ulët.

“A ka përfaqësues të bizneseve që duhet me reagu apo duhet me u pajtu me të gjitha të këqijat e mundshme,” - u shpreh ai.

Mbetet të shihet ditëve në vijim se çka do të ndodhë me çmimet tavan të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Lajme të ngjashme