Naftëtari në Kryeministri: Qeveria 17 milionë më shumë, qytetarët 20 milionë më pak (Çka mësuam?) - NACIONALE

Naftëtari në Kryeministri: Qeveria 17 milionë më shumë, qytetarët 20 milionë më pak (Çka mësuam?)

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Lajmi i djeshëm që thoshte se djali i kryetarit të tregtarëve të naftës, Fadil Berjanit, punonte në Zyrën e Kryeministrit, ka ngritur një numër të madh pikëpyetjesh në lidhje me çështjen e ngritjes alarmante të çmimeve të naftës gjatë muajve të fundit. Çka duhet të dinë tash për tash të gjithë qytetarët?

Çmimet e naftës edhe gjatë ditës së sotme, 15 qershor 2022, shkuan në qiell. Një litër kushton një euro e 90 centë në shumë prej pikave të derivateve.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në fillim të muajit mars kishte dërguar një propozim në të cilin kërkonte reduktimin e akcizës për derivate në mënyrë që të ulej edhe çmimi që po varfëron përditë qytetarët e vendit.

Krim dhe mohim

“Në këtë krizë të paprecedentë, mosveprimi është krim!” – tha përmes një statusi në Facebook, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Në mënyrë që ta kundërshtonte LDK-në dhe Abdixhikun, ministri i Financave që mban emrin Hekuran Murati, u shpreh se propozimi i opozitës po kërkonte që t’i trashte fitimet e tregtarëve të naftës.

“Thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve,” – shkruante Murati, ndoshta pa e ditur që i biri i tregtarit punonte në Kryeministri.

Por, fitimet janë trashur për Qeverinë e Kosovës, në të cilën punon djali i tregtarit të naftës.

Hyn lapsi: Trashet xhepi i Qeverisë, varfërohet qytetari

Bazuar në një letër që Shoqata e Naftëtarëve i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, për çdo litër derivatesh (qoftë naftë apo benzin) qeveria e Kosovës i mbledh nga 64 cent. Sipas tyre, kjo është 12 cent më shumë se sa para krizës globale.

FOTO: Çmimet më herët

Kjo nënkupton se nga 100 000 litra derivate të shitura në Kosovë, 64 mijë euro shkojnë në buxhetin e Qeverisë së Kosovës. Ose, 12 mijë euro më shumë se para krizës globale të derivateve.

Kjo u pranua edhe nga Besnik Bislimi – zv. Kryeministër – që tha se për pesë muajt e fundit Qeveria i kishte marrë 17 milionë euro më shumë se para krizës globale. Nga kjo nënkupton se janë shitur përgjatë kësaj periudhe kohore 23 milionë e 437 mijë e 500 litra derivate. Po ashtu nënkupton se qytetarët u dëmtuan i dhanë rreth 20 milionë euro më shumë për litrat e blerë në pikat e derivateve.

Në të njëjtën kohë, nëse një familje kosovare harxhon mesatarisht nga 100 litra derivate në muaj, kjo nënkupton se do t’i harxojnë 190 euro (me çmimin e ditës së sotme), prej të cilave 64 euro do të shkojnë për Qeverinë e Kosovës që drejtohet nga Albin Kurti. Më herët, kur çmimet ishin 90 cent për litër, familja kosovare që harxhon 100 litra derivate në muaj i harxhonte vetëm 90 euro.

FOTO: Çmimet e naftës këto ditë

Kriza pra, ka bërë që të varfërohet qytetari i Kosovës për 100 euro në muaj (nëse harxhon 100 euro) në derivate, derisa Qeveria e Kosovës pasurohet për 64 euro.

Djali i tregtarit të naftës në Qeveri

Tregtarët e naftës të shoqatuar në Shoqatën e Naftëtarëve të Kosovs drejtohen nga Fadil Berjani, pronar i kompanisë Dilloni Benz. Dillon Berjani është i biri por edhe punëtori i tij. Por, Dilloni është po ashtu edhe vartës i Besnik Bislimit dhe Albin Kurtit në Zyrën e Kryeministrit.

FOTO: Dillon Berjani

Specifikisht, ai punon si këshilltar politik në Zyrën e Zv. Kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimin, e të cilin më herët e kishte edhe profesor. Ai është emëruar në këtë pozitë në muajin janar të këtij viti, në kohën kur Kosova u pllakos nga kriza e derivateve dhe shoqata e udhëhequr nga babai i tij po negocionte me Qeverinë për të arritur një ujdi në lidhje me marzhën e fitimeve për shitjet me pakicë dhe shumicë të derivateve.

Armend Muja nga Vetëvendosje, i pyetur në lidhje me një çështje të tillë shprehej çuditshëm. Kjo pasi ai e njihte mirë Dillonin – universitetin ku ka përfunduar studimet dhe shkallën e studimeve – por nuk e njihte babain e tij, e as që punonte në Qeverinë e Kosovës apo Dilloni Benz.

“Në ndërkohë sa i përket Dillonit, nuk e paskna pasë si ide që është këshilltar mirëpo as nuk e kam pasur ide lidhjen e tij me zotin Berjani.” – u shpreh z. Muja në ATV për çështjen.

Kurdisje apo çakërdisje

Kompanitë e naftës në vendin tonë janë dënuar disa herë për kurdisje të çmimeve.

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) në vitin 2019 kishte hetuar 14 tregtarë të naftës dhe i kishte dënuar që të gjitha për kurdisje, pasi thuhej se i kishin rritur fitimet deri në 135 për qind. Në atë kohë, AKK drejtohej nga Valon Prestreshi.

I kontaktuar nga Nacionale, Prestreshi, është shprehur i pasigurt në lidhje pushtetin e z. Berjani brenda shoqatës së naftëtarëve, përkundër që mban pozitën e kryetarit.

“Fadilin nuk e bëjnë hesap këta naftëtarët e mëdhenj,” – është shprehur ai.

Sa i përket konfliktit të interesit, ai thotë fillimisht se për shkak se z. Berjani nuk e bëjnë hesap naftëtarët e mëdhenj, mund të mos ketë konflikt interesi edhe pse e përfundon përgjigjen duke u shprehur “Por, hiç nuk përjashtohet mundësia”.

Foto: Valon Prestreshi

Komisioni i ri i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës që do të hetonte dallaveret e mundshme të kompanive të naftës tashmë është votuar nga Kuvendi i Kosovës.

Berjani në një përgjigje për punën që i pret anëtarët e komisionit u shpreh si vijon: “Komisioni i ri i AKK-së dy vitet e para duhet ta mësojnë punën, pastaj këto gjërat tjera.”

Derisa çmimet e naftës po rriten gati në baza të përditshme duke varfëruar qytetarët, ka një çakërdisje të plotë mes naftëtarëve, konsumatorëve dhe qeverisë për hapat që duhet ndërmarrë.

Lajme të ngjashme