Çmimet e rritura të qirasë dhe ushqimit, barrë e papërballueshme për studentët - NACIONALE

Çmimet e rritura të qirasë dhe ushqimit, barrë e papërballueshme për studentët

1 muaj më parë

nga Halim Kafexholli

Kosova po vazhdon të përballet me rritjen e çmimeve, produktet bazë e shporta familjare ka pësuar ritëm pothuajse të dyfishuar duke rënduar jetesën për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve. Kjo gjendje padyshim që ka goditur rëndë edhe studentët, të cilët sapo kanë filluar vitin e ri akademik.

Pavarësisht se qeveria i ka liruar nga pagesa semestrale studentët e nivelit bachelor dhe u ka përgjysmuar tarifën atyre të nivelit master, jetesa në Prishtinë, rrjedhimisht kostoja për ushqim e qira për ta është bërë vështirë e përballueshme.

Qiraja, ushqimi, udhëtimi, e shpenzimet tjera janë vështirë të kapërcyeshme për shumë studentë në universitetin publik.

Altin Kastrati, student i fakultetit Ekonomik, sapo ka filluar studimet në Universitetin e Prishtinës. Zhvendosja nga Prizreni në kryqeytet për të është sfiduese, ku përtej ankthit të studimeve, brengë tjetër i mbetet kostoja e shpenzimeve, për të cilat thotë se është vështirë e përballueshme.

“Kam dy javë që jam zhvendos në këtu (në Prishtinë) dhe sinqerisht nuk e kam mendu që çmimet janë qikaq shtrenjtë, të pakët për mua. Banoj me dy cimera dhe kemi pagu 220 euro qira, nuk kemi mundur me gjetë më lirë diçka që i plotësojke kushtet minimale për me jetu”, tregon Altini, i cili thotë se për një muaj i shpenzon 250 euro.

Përveç kostos së banimit, ngarkesë financiare për studentët mbetet edhe ushqimi. Andaj shtrenjtimi i tyre vështirëson edhe më shumë mbijetesën e Altinit e shumë studentëve tjerë.

Pavarësisht që ushqyerja e studentëve në masë të madhe konsiderohet “e ligë”, edhe ky lloj ushqimi në kryeqytet pothuajse është dyfishuar. Altini thotë se ushqehet minimalisht dy herë në ditë dhe kjo i kushton afërsisht 4 deri në 5 euro.

“Tash nëse hanë non-stop në furra, sigurisht që është më e lirë, edhe pse ni byrek aty-k’tu me ndonjë furrë kushton 1 euro, zakonisht 1 euro e 20 cent e kishin bo gati krejt”, tregon Altini disi me habi, i cili thotë më së shpeshti ushqehet në fast - food, ku në shumë pak prej tyre thotë se hamburgeri kushton më pak se dy euro.

Ai thotë se në familjen e tij janë dy studentë, dhe kjo është barrë e rëndë edhe për prindërit e 19 vjeçarit.

Brengë të njejtë ka edhe Verona, studente e vitit të tretë në departamentin e historisë në Fakultetin Filozofik në UP.

Krahas viteve të kaluara, ajo thotë se në këtë vit është shumë më e vështirë të ia dilet financimi i studimeve për shkak të rritjes së çmimeve për secilin produkt.

Kjo situatë, e ka detyruar atë të filloj punë në një dyqan aksesorësh për telefona në Prishtinë.

“Kam fillu me punu vets se ndjej keqardhje prej familjes, para dy viteve ka qenë shumë ma e lehtë se tash, si për ushqim si për qira si për krejt. 55 euro paguaj qira pa i llogaritur shpenzimet shtesë. Pesë ditë në Prishtinë rri e vikendeve shkoj në shtëpi, me kalu javën me 30 euro jam shumë e kënaqur, por tepër shtrenjtë u bo çdo sen”, thotë me mllef ajo, pa dashur të flas më gjatë.

Kurse Dibran Ukaj, studenti i nivelit master në Juridik, duke pohuar atë që thonë Altini e Verona, përmend edhe koston e udhëtimit si barrë shtesë për studentë.

Studenti nga Peja thotë se udhëtimi për në Prishtinë dhe anasjelltas është një shumë e konsiderueshme për situatën e tij ekonomike.

“5 euro kushton një drejtim, tash vajtje - ardhje - vajtje më kushton 15 euro”, thotë Ukaj, i cili thotë se 15 euro tjera shpenzon për ushqim për vetëm tri ditë, teksa shton se ndër kategoritë që më së shumti i ka prekur norma e inflacionit janë pikërisht studentët.

Norma e inflacionit në Kosovë

Krahasuar me muajin e njejtë të vitit të kaluar, sipas Agjensisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në Kosovë për muajin shtator është 12.7 për qind.

Kurse raporti i fundit i Bankës Botërore për ekonominë në Evropë dhe Azinë Qendrore, i titulluar “Mbrojtes Sociale për Rimëkëmbje”, për vitin 2022, rritja reale e Prodhimit të Brendëshëm Bruto (PBB) të Kosovës parashikohet të bjerë në 3.1 për qind në vitin 2022 si rezultat i rënies së investimeve dhe shpenzimeve private, kurse shpenzimet kapitale mbetën jashtëzakonisht të ulëta, importet e mallrave u rritën nominalisht me 26 për qind deri në korrik 2002, duke rënduar deficitin tregtar të Kosovës, rritja ekonomike vazhdon të pengohet nga niveli i papunësisë.

“Në vitin 2022, rritja reale e PBB-së parashikohet të bjerë në 3.1% për shkak të rënies së investimeve dhe shpenzimeve private. Eksportet e mbajtën ekonominë relativisht në rritje. Mbështetja për të pakësuar efektet e rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve duhet t'u drejtohet më të cenuarve në situatën aktuale. Reformat strukturore të përshpejtuara në fushat e energjisë, arsimit, mbrojtjes sociale dhe kujdesit shëndetësor duhet të zbatohen gjatë viteve të ardhshme nëse duam të promovojmë një rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.” – thuhet në raport.

UP-ja përballet edhe me rënjen e interesimit për të studiuar

Ndikimi i emigrimit të të rinjve nga Kosova tashmë po vërehet në shumë sektorë të ndryshëm në vend. E ndikimet shumështresore kanë prekur edhe institucionet akademike, e posaçërisht Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, që është bartësi më i madh i arsimit të lartë.

Vetëm Universiteti i Prishtinës numëron plotë 14 mijë e 110 studentë më pak se para dhjetë viteve të niveleve të studimit bachelor dhe master.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i studentëve në tërësi në Universitetin e Prishtinës për vitin akademik 2011/12 ishte 47 mijë e 70 studentë, ndërsa në statistikat e fundit të ASK-së për vitin 2020/21 në UP janë 32 mijë e 960 studentë.

Ndërkaq, në tërësi në universitete publike në Kosovë studiojnë 46 mijë e 470 studentë, apo 600 më pak se sa kishte vetëm Universiteti i Prishtinës në vitin 2012.

Lajme të ngjashme