Çka po punojnë kosovarët në Kosovë për kompanitë e huaja?
Investimet e huaja direkte shpesh janë temë diskutimi mes pushtetit dhe opozitës. Kryesisht, investimet e huaja direkte me numër më të lartë janë në patundshmëri, që nënkupton blerje të banesave, shtëpive, pronave të ndryshme nga mërgimtarët. Menjëherë pas investimeve në patundshmëri, janë dy kategori të tjera, "aktivitetet financiare" dhe "informacion dhe komunikim", që nijhen ndryshe si shërbime të kontraktuara nga jashtë vendit.
Por çka janë këto shërbime dhe sa u investua në to?
Shërbimet e kontraktuara jashtë vendit janë praktika kur bizneset kontraktojnë një palë tjetër jashtë një kompanie për të kryer shërbime të cilat edhe mund të kryhen nga vetë kompania, nga punonjësit dhe stafi i vetë kompanisë.
Shërbimet e kontraktuara praktikohen nga kompanitë si një masë për uljen e kostove të tyre.
Pra, një kompani i kontrakton kosovarët, sepse i del më lirë pagimi i tyre, pasi edhe pagat në Kosovë janë më të ulëtat në rajon.
Kjo gjë ka rënë në sy të kompanive të huaja, të cilat u interesuan jashtëzakonisht shumë për kontraktimin e kosovarëve.
Më së shumti nga këto shërbime që u kontraktuan ishte sektori i IT-ve.
Sipas të dhënave të fundit nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), vlera e këtyre shërbimeve është rritur në masë më të lartë se ndonjëherë më parë.
17.3 milionë ishte vlera e investimeve në fushën “informacion dhe komunikim”.
Sipas raporti të BQK-së, nga 1.6 milion, sa ishte vitin 2020, kjo vlerë shkoi në 17.3 milionë.
Vetëm gjatë tremujorit të parë, pra për muajt janar, shkurt dhe mars, vlera e investimeve ishte 2.2 milionë euro sa i takon këtij sektori.
Ermal Sadiku nga kompania e teknologjisë së informacionit, “Linkplus”, në një bisedë për Nacionalen ka thënë se Kosova duhet të bëjë më shumë për trajnimin e të rinjve në fushën e teknologjisë, pasi kjo fushë edhe po sjell përfitime për vendin.
“Shteti duhet të investojë në arsimim, gjithashtu duhet të bëjë sa më shumë trajnime për të rinjtë”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për problemet me të cilat po ballafaqohen kompanitë e IT-së, duke thënë se disa kompani të huaja e shfrytëzojnë vetëm fuqinë punëtore në Kosovë dhe nuk i kontribuojnë buxhetit dhe se shteti duhet ta rregullojë me ligj këtë çështje.
Ndërsa në përgjithësi, investimet e huaja në Kosovë këtë vit janë rritur për 40 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.
“Vlera e Investimeve të Huaja Direkte gjatë tre muajve të parë të këtij viti arriti në shumën prej 147.5 milionë euro apo 43.7 milionë euro më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, ku vlera e investimeve për muajt (Janar, Shkurt dhe Mars 2021), ishte 103.8 milionë euro. Kjo shifër është më e madhe në krahasim me 13 vitet e fundit, derisa investimet më të mëdha sesa ato të realizuara në vitin e kaluar, ishin në vitin 2007, ku vlera e investimeve të huaja kishte arritur në shumën prej 440 milionë euro”, thuhet në raportin e BQK-së.
Për më tepër, rritja të investimeve për këtë sektor kishte paralajmëruar edhe Oda Ekonomike Amerikane.
Në një publikim të vitit të kaluar, Oda Ekonomike Amerikane, thoshte se sektori i teknologjisë informative është një ndër sektorët me potencial të madh për rritjen e investimeve të huaja direkte (IHD).
“Ky sektor po zhvillohet shpejt dhe ruan një potencial të madh për IHD-të. Sipas Barometrit TIK 2020, "tregjet më të njohura horizontale janë Zhvillimi i personalizuar / Kontraktimi i jashtëm, i ndjekur nga IT Consulting, zhvillimi i dizajnit të uebit, Zgjidhjet për celularë, Tregtia elektronike, Sigurimi i Cilësisë së Programeve etj." Investitorët e huaj mund të tërhiqen nga forca e re e punës, e arsimuar dhe e rrjedhshme në anglisht”, thuhej në raportin e vitit 2021.
Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rinia është në fokus të politikave qeveritare.




