Çfarë dihet deri më tash për kosovarin që u arrestua në Turqi si i dyshuar për lidhje me Mossadin në Izrael? - NACIONALE

Çfarë dihet deri më tash për kosovarin që u arrestua në Turqi si i dyshuar për lidhje me Mossadin në Izrael?

2 javë më parë

nga NACIONALE

Liridon Rexhepi është arrestuar nga autoritetet turke nën akuzën se ishte duke i menaxhuar të hollat e agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, në Turqi.

Raportohet se arrestimi i tij është bërë me ndihmën e agjencisë turke të inteligjencës, MiT, sipas raportimit të agjencisë “Anadolu”.

Sipas kësaj agjencie, ishte mësuar që Rexhepi kishte siguruar pamje nga droni me urdhrat e shërbimit izraelit të inteligjencës dhe ishte përcaktuar se ai ishte duke kryer operacione psikologjike kundër politikanëve palestinezë, i kishte transferuar të holla një personeli në terren në Turqi, që ishin duke hartuar të dhëna rreth Sirisë.

Të gjitha lëvizjet e Rexhepit, sidomos lëvizjet e dyshimta në llogaritë e tij, ishin vëzhguar dhe u përcaktua nga inteligjenca turke që ai kishte bërë shumë transfere parash te personeli në terren në Turqi përmes shërbimit “Western Union”.

Aktivitetet e tij filluan të vëzhgoheshin nga momenti i hyrjes së tij në Turqi, më 25 gusht.

Si rezultat i përpjekjeve të bashkërenduara të MiT-it me policinë e Stambollit, Rexhepi u ndalua më 30 gusht.

Raportohet se Rexhepi ka pranuar në deklaratën e tij në polici se ka bërë transfere parash.

Si rezultat i operacioneve të agjencisë MiT, u përcaktua që Mossad-i ishte duke transferuar të holla te personeli i vet në terren në Turqi nga vende të Evropës Lindore, kryesisht nga Kosova, raporton agjencia “Anadolu”.

Si rezultat i përcjelljes së parave, u mësua se personeli në terren në Turqi kishte transferuar të holla që po vinin nga Kosova te burimet e veta në Siri përmes shërbimit “Western Union” dhe në formë të kriptovalutave.

Lidhur me këtë çështje, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se po merret drejtori i departamentit.

“Ministria e Drejtësisë ka një bashkëpunim juridik shumë të mirë me Turqinë. Ne trajtojmë kërkesa që janë në përputhje me vendimet e gjykatave. Në këtë drejtim, na kanë dërguar pyetje me shkrim për rastin në fjalë dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit, kam kërkuar nga drejtori i departamentit që të më njoftojë vetëm për çështjet me të cilat mund të njoftohet edhe opinioni publik”, tha ajo në konferencë për media.

Më shumë detaje deri më tash ende nuk janë bërë ditura, megjithatë arrestimi ka nxitur shumë reagime në Turqi. Kjo duke marrë parasysh edhe qëndrimin kundërshtues që ka shteti turk ndaj Izraelit dhe liderit Netanyahu.

Mbetet të shihet se cili do të jetë bashkëpunimi me institucionet e Kosovës, dhe si do të jetë epilogu.

Lajme të ngjashme