As vapa përvëluese s'i ndalon të rinjtë të synojnë ikjen nga Kosova - NACIONALE

As vapa përvëluese s'i ndalon të rinjtë të synojnë ikjen nga Kosova

3 vjet më parë

nga Anita Nikaj

Ndonëse jashtë vapa është përcëlluese, shumë qytetarë prisnin në rend para Institutit të Gjuhës Gjermane “Goethe”. Dhjetëra qytetarë po tentojnë të kryejnë një procedurë që u hap rrugën për ikjen nga Kosova në Gjermani, siç tashmë kanë bërë mijëra të tjerë.

Një garë e “ashpër” po zhvillohej për të nxënë një vend nën hijen e pemëve në lagjen Pejton të Prishtinës.

Historia e njëjtë

Rruga pranë institutit është e mbushur plot me të rinj, e përbashkëta e të cilëve është dëshira për t’u larguar nga Kosova.

Të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës, ky grup i të rinjve dominohet nga gratë, të cilat po synojnë bashkimin familjar me burrat e tyre që tashmë jetojnë në Gjermani.

Muhabeti që bënin me njëri-tjetrin, lidhej kryesisht me testin se çfarë pyetjesh mund të bien.

Natyrisht, biseda për përgatitjet për test e shpresat për sukses në të, nuk mungojnë.

“Eshte hera e tretë që po provoj të kaloj testin. Po mendoj se jam mirë, po kur po vjen puna për të shkruar, po dështoj. Këta të rinjtë po kalojnë menjëherë”, më tha Mihrija, e cila kishte ardhur nga një fshat i Podujevës.

Pritja ishte e gjatë dhe njerëzit ishin të raskapitur, por dëshira për ikje nga Kosova e mund edhe të nxehtin që bëhej i padurueshëm për mua.

Edhe një grua nga Skënderaj kishte marrë rrugën për në Prishtinë, për t’iu nënshtruar testit.

“Unë vij nga komuna e Skënderajt. Në test po hyj për herë të parë. Bashkëshorti jeton në Gjermani dhe presim të kthehemi pas pushimeve verore së bashku për atje. Ka 4 vjet që ka marrë vizën e punës në Gjermani. Duhet me dhanë testin valla, se tani duhet të pres edhe 6 muaj se nuk kam të drejtë të hyj prap”, tha një nga gratë e shumta që prisnin.

Të gjitha gratë që po takoja në Pejton, ishin të reja. Ndonëse në fillim të njëzetave, ato tashmë ishin martuar.

Edhe zoti Fazliu nga Podujeva, ka statusin martesor të zgjidhur.

“Ne jemi kurorëzuar dimrin e kaluar. Këtë vit do të martohem me një vajzë që jeton në Gjermani. Ajo është nga ana jonë, dhe jemi njoftuar me mesit. Tani po pres të shoh nëse do ta kaloj testin”, tha Fazliu nga komuna e Podujevës.

Por, kishte edhe nga to që po iknin për shkak të kushteve të rënda ekonomike.

“Kam mbaruar fakultetin juridik. Ka disa vjet që nuk mund të gjej punë askund në Kosovë, por më erdhi fati që sot po mendoj të shkoj në Gjermani”, më thotë një vajzë tjetër që priste.

Mijëra të larguar

Imigrimi nga Kosova është një fenomen tashmë me përmasa të mëdha.

Madje, numri i ikjeve të kosovarëve është mjaft shqetësues.

Sipas Agjencisë së Statistikave, vitin e kaluar mijëra njerëz kanë lëshuar Kosovën. Në fakt, sipas ASK-së në vitin 2021, nga Kosova kanë ikur saktësisht 42,728 banorë, duke përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.

Pra, siç ka shkruar ditë më parë Nacionale, rreth 117 qytetarë janë larguar çdo ditë nga Kosova.

Në bazë të këtij institucioni, pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legalë për motive të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi të punës dhe shpërnguljes së përhershme.

Nga këto të dhëna, shtimi natyror në Kosovë në vitin 2021 ishte 14,391 banorë ndërsa migrimi neto 38,606 banorë, kurse popullsia e Kosovës gjatë vitit 2021 u zvogëlua për 24,215 banorë.

Lajme të ngjashme