“Veç me trup jam këtu”, as burokracitë e ambasadave s’i ndalojnë të rinjtë të ikin nga Kosova
Dje është rihapur mundësia për të aplikuar për terminet e reja për viza të Gjermanisë. Një gjë të tillë, Ambasada e shtetit gjerman në Kosovë e bën në secilin fillim muaji, teksa rëndom aplikojnë rreth 50 mijë qytetarë që synojnë ikjen nga vendi.
Për shkak se Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave, aplikantëve që kërkojnë të pajisen me vizë i nënshtrohen një procedure të komplikuar, të cilën e kërkojnë ambasadat e huaja.
Por, kjo burokraci e vonesat e shumta përballën me ‘dëshirën e hekurt’ të kosovarëve për t’u larguar nga Kosova.
Vetëm në katër muajt e fundit, mbi 200 mijë persona aplikuan për një vizë gjermane, e cila shihet si ‘shpëtim’ nga gjendja e vështirë ekonomike në Kosovë.
Filloretë Ramadani, studente në vitin e fundit për infermieri në një kolegj privat në Kosovë, është njëra nga kosovaret që ka ndarë mendjen të ikë nga Kosova.
23 vjeçarja tashmë po ndjek edhe mësimin e gjuhës gjermane.
E si infermiereje e ardhshme që njeh gjuhën gjermane, destinacioni tashmë normal është Gjermania, ku Ramadani beson se do të ketë një pagë më të mirë se në Kosovë.
“Nuk mund ta konsideroj vetën viktimë të sistemit, është përpjekje e imja për perspektivë më të mirë, dhe sigurisht që nuk mund të jem naive me kërku nga Kosova diçka që ta ofron Gjermania, a po kupton?”, pyet ajo.
Megjithatë, studentja e infermierisë duket tërësisht e bindur se nuk do të heq dorë nga përpjekja për të jetuar ‘dinjitetshëm’ në Gjermani.
Ikjen e të rinjve nga Kosova e përshkruan si trend global.
“Është normale bre, edhe të rinjtë në vendet shumë më të zhvilluara se na me siguri tentojnë me u arratisë për sigurim më të madh të të ardhurave. Për shembull nëse një pagë 2 mijë euro, e që për neve mundet me qenë e jashtëzakonshme, njëjtë nuk konsiderohet nga një shtetas gjerman për shembull, i cili me siguri kërkon shumë më shumë edhe ndoshta edhe ai largohet nga vendi ku ka lind”, argumenton Ramadani.
Ndërkohë, së fundmi është raportuar se çdo dy ditë nga një mjek largohet nga Kosova.
Sikurse Filloreta, edhe Arben Bytyqi nga Komuna e Suharekës është në përpjekje për t’u larguar nga Kosova.
Sigurisht, destinacioni është i njëjtë: Gjermania.
Pamundësia të punësohet si mësimdhënës gjeografie, për çfarë edhe studioi, e ka bërë pesimist Bytyqin. Ai i tha Nacionales se është i bindur së nuk mund të jetohet në Kosovë.
Që 6 vite, Bytyqi është fokusuar në idenë për ikjen nga Kosova. Madje ai ndihet i penduar që nuk e bëri një gjë të tillë para vitit 2016, koha kur ai kishte mundësi të largohej në mënyrë ilegale.
‘‘Pata mundësi me dal atëherë po nuk pata gatishmëri, isha i ri e jo i matur, edhe e pata njëfarë frike. Po, jam shumë pishman që s’kam shku!’’, thotë ai. ‘‘Kam pasë edhe shumë oferta me dal n’zezën por nuk kam dashtë ashtu’’.
Në vitin 2019 një i afërm i Bytyqit, që jeton në Gjermani, i ka dërguar atij një garancion pune, por i cili ende nuk është aprovuar nga Ambasada gjermane në Prishtinë.
Për shkak të hyrjes në fuqi në Gjermani të një rregulloreje të re për Ballkanin Perëndimor, Bytyçi duhet të riaplikojë prej fillimit për vizën që po e pret që tri vite.
Ndonëse paksa i demotivuar, Bytyqi thotë se burokracitë nuk e zmbrapsin nga përpjekja e vazhdueshme për t’u larguar nga Kosova.
‘‘Edhe pse rregullat e reja mi kanë ulur dukshëm shpresat e po e konsideroj veten të pa fat, unë gjithsesi do ta provoj’’, thotë 29 vjeçi suharekas, komunë kjo e cila ndër vite ka qenë e para në listë për nga numri i personave të emigruar.
Që nga fillimi i dhjetorit e deri në fund të marsit, ambasada e këtij shteti në Prishtinë ka pranuar 199 mijë e 783 kërkesa për viza.
Vetëm brenda marsit, Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka pranuar 48 mijë e 44 kërkesa për viza, ndonëse ofron vetëm 500 deri në 800 termine në muaj.
Ndërsa brenda një viti, Gjermania u jep vetëm 500 qytetarëve kosovarë viza pune.
Të dhënat nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë thonë se nga shtetet e rajonit, vetëm Bosnja dhe Hercegovina ka kërkesa më të mëdha se Kosova për viza afatagjate.
Për Bytyqin jetesa jashtë Kosovës nuk është vetëm aspiratë për të ardhura më të mira. Gjermania si vend distenacioni e tërheq atë edhe për shkak të të drejtave të punëtorëve.
“Fakti që synoj edhe gjendje më të mirë financiare është e vetëkuptueshme, por ka edhe gjëra tjera., unë punoj në sektorin e ndërtimtarisë, punoj në formë te pa rregullt dhe jo me punë të vazhdueshme, nuk kam as sigurim, as trust pensional as asgjë,” shton ai.
Rënia ekonomike gjatë këtyre viteve pandemike e ka dëmtuar edhe më shumë Bytyqin.
“Nuk përfitova asgjë nga shteti në pandemi. Pra unë diqysh as nuk llogaritna pjesëtar i këtij shteti”, thotë Bytyçi, ndonëse pushteti i Vetëvendosjes proklamon rritje të dukshme ekonomike nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti.
Përveç kësaj, Bytyqi thotë se e ndjen edhe njëfarë presioni të moshës dhe ikjen e viteve të kaluara në Kosovë. Ai thotë se e gjithë biseda në shoqërinë e tij sundohet nga tema për largimin nga Kosova.
“Shoqëria ime më nxisin edhe mua sepse ata vetë janë të nxitur për tu larguar. E ballafaqohet njeri me shumë njerëz që i kanë hallet e njëjta, hiç pa dashtë t’mushet menja, se ndikohesh te njëri - tjetri”, sqaron ai.
E vullnet për ta lëshuar Kosovën, sipas një ankete të fundit të Grupit për Studime Juridike dhe Politike kanë 48.4 për qind e qytetarëve të Kosovës.
Situata me COVID-19 e ka rritur ndjeshëm gatishmërinë e qytetarëve për të emigruar theksohet në hulumtimin e opinionit publik nga GSJP.
Kurse referuar statistikave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në periudhën 2015-2019 Kosovën e kanë lëshuar më shumë se 170 mijë qytetarë.
Sipas kësaj Agjencie vetëm në vitin 2019, në mënyrë legale dhe ilegale nga Kosova kanë migruar 34 mijë e 911 kosovarë.
Agim Ukaj, banor i Fushë Kosovës, thotë se vetëm fizikisht është në Kosovë pasi që ende nuk e ka gjetur mundësinë të largohet nga Kosova.
“Kurrë njeri s’jam hip n’aeroplan, - kaja nanën”, thotë me shaka Ukaj, i cili për ironi, vendin e punës e ka pak kilometra nga Aeroporti i Prishtinës.
Për shkak të martesës, Ukaj thotë se jeta po i bëhet edhe më e papërballueshme pasi që “nuk i duhet më të mendoj vetëm për vetën”.
“Shumë vështirë me ia dal veç me një të ardhur këtu në Kosovë. Qysh me planifiku njeri me kriju familje?”, përgjigjet vazhdimisht në formë të pyetjeve 31 vjeçi.
Ai tregon se nuk kishte shumë pritshmëri as nga Qeveria e re e udhëhequr nga Kryeministri Kurti.
“Unë njeri nuk kam pasur iluzione që këtu menjëherë ka mu bo mirë, ama s’po shoh kurrfarë dallimi me këtë qeveri. I njëjti ritëm. Për qato s’menoj me nejtë këtu”, thotë ai.
“Këtu nuk llogaritësh diqysh mjaftueshëm pjesë e shtetit nëse nuk je pjesë e partisë në pushtet. Qashtu e llogaritshin vetën k’ta (VV) kur janë kanë në opozitë, tash veç janë përmbys rolet a qysh me thanë, sen nuk po doket që do me ndërru”, shton Ukaj.
Gjatë javës së kaluar u ri aktualizua tema rreth ikjes së mjekëve nga Kosova pasi që Besnik Bislimi, zëvendës kryeministër i Kosovës, deklaroi gjatë raportim në Kuvend se edhe në Gjermani ikën mjekët në vende të tjera.
Një deklaratë e tillë ngjalli shumë reagime në opinion publike, derisa Bislimi u kritikua shumë për këtë deklaratë.