A ka ardhur koha që lifti të bëhet simbol kombëtar i Kosovës?
Lifti është sinonim i kohës nëpër të cilën po kalojmë. Ngushtia e Kosovës në dialog, qëndrimi kokëfortë i Kurtit, dembelia e kosovarëve e testi PISA, mund të shpjegohen nëpërmjet metaforës së liftit. Madje, ashensori po e pengon edhe Prokurorinë e Shtetit për ta luftuar korrupsionin e krimin. Prandaj, një pyetje thelbësore duhet shtruar: a është koha ta bëjmë liftin simbol kombëtar?
Rëndësia e liftit në historinë e popullit kosovar është e madhe, ndonëse ekzistenca e tij në Kosovë është e vonshme. Kosovarët për herë të parë u njohën me liftin përgjatë kohës së sundimit jugosllav, por të mos u ndarë kurrë që nga atëherë.
Ashensori mori kuptime të ndryshme. Në një anë, ishte shënjues i modernizimit të Kosovës, por, në anën tjetër, edhe i dallimeve sociale. Përgjithësisht, kush kishte lift, ishte pjesë e klasës së lartë shoqërore. Ai ishte punëtor në sistemin titist, banonte në kryeqendrën kosovare (ose në ndonjë nga qytetet e mëdha të Kosovës), dhe ishte pjesë e ndërmarrjes për të ndërtuar “njeriun e ri” jugosllav.
Në lift, hipnin edhe shqiptarët, edhe serbët. Por, jo të gjithë shqiptarët. Aty nuk arrinin të hynin shqiptarët kundërshtarë të regjimit. Atyre u sigurohej qasje vetëm në burgje. Pra lifti ishte sa tregues i vëllazërim-bashkimit, po aq edhe i përjashtimit të kundërshtarëve të Titos.
Lifti ishte edhe një ekzistencë e luksit, pasi që gjendej edhe nëpër hotelet e Kosovës. Në Grand ishte ndoshta ashensori më i mirë që kishte Kosova e paraluftës.
Por, ashensori nuk e ka humbur aktualitetin as në vitin 2022. Madje, ditëve të fundit, lifti është bërë temë diskutimi më shumë se kurrë.
Për shkak të reduktimeve, shumë kosovarë kanë mbetur të ngujuar në lift – përfshirë autorin e këtij shkrimi.
Në një sondazh të Nacionales në Viber, shumica e lexuesve theksuan se kanë frikë nga ashensori. Saktësisht 75% e respodentëve thanë se iu është rritur frika nga lifti, për shkak të reduktimeve.
Por, pse duhet të jetë lifti simbol kombëtar i Kosovës?
Për këtë ka shumë arsye. Madje, aq e qartë është marrëdhënia e pandashme kosovaro-liftore, sa që kjo pyetje duket qesharake. Por, për hir të argumentit, po përgjigjemi shkurtimisht.
Që në krye të herës, duhet ta theksojmë një gjë. Ndoshta kosovarët janë i vetmi popull në botë që ende i ka në fjalorin e përditshmërisë së tyre temat e pyetjet rreth lifit. A keni lfit në banesë? A po ju punon lifti? A e rregulluat liftin? Janë vetëm disa nga pyetjet që zënë vend në kulturën popullore të Kosovës.
Por, qytetarët kanë edhe paralajmërime që lidhen me lift. “Mos hyp, se s’po punon mirë lifti.” Pra, ka një lidhje krejt të natyrshme, organike mes kosovarëve dhe liftit – do të thoshte Ismail Kadare, po të pyetej për këtë temë. (I kërkoj falje zotit Rexhep Qosja për këtë digresion, por asgjë personale.)
Por, lifti e shpjegon edhe dembelinë e kosovarëve. Lifti, që është një mjet i mekanizuar, e bën një punë rutinore, dhe vetëm sepse i kërkohet ta bëjë. Pra, nuk e bën pse dëshiron, por sepse është i obliguar me një gjë të tillë. Ndryshe, s’do ta bënte. Kur keni parë ndonjë lift të lëvizë sipas dëshirës së tij dhe pa iu dhënë urdhri të lëvizë? Pak a shumë sikurse të gjithë punëtorët e këtij vendi dembel.
Lifti për nga madhësia është i vogël. Ngushtësia e tij tregon edhe situatën aktuale të Kosovës në dialogun me Serbinë. Ashensori është maksimalisht 2-3 metra katrorë, bash sikurse hapësira manovruese e Kosovës në dialogun e lehtësuar në Bruksel. Pra, sikurse që nuk mund të shtrihesh për gjumë në lift, ashtu Kosova nuk mund ta shmangë diskutimin për Asociacionin.
Por, edhe qëndrimi rigjid e aspak fleksibil i kryeministrit Kurti mund të shpjegohet me metaforën e liftit. Ashensori ka një lëvizje të njëtrajtshme, vertikale, të cilin proces e bën përditë e gati pafundësisht. Pak a shumë sikurse qëndrimet e Kurtit në dialog. Refuzim, përgjigje negative, jo kompromise. Por, ashensori herë pas here pëson prishje, rrëzohet për toke, e del jashtë funskioni. Urojmë që “mallkimi ashensorak” të mos e prekë edhe zotin Kurti.
Qe edhe një argument shtesë. Ashensori po e ndihmon Kosovën në testin e Pisës. Për shkak të ndaljes kohë pa kohë të rrymës, kosovarët po tentojnë të mbajnë mend orën e reduktimeve. Një gjë e tillë, po e rrit nivelin e mbamendjes kombëtare. Por, edhe aftësia e kosovarëve në matematikë po ndikohet nga ashensori. Numërimi i minutave prapa deri në rikthimin në funksion të ashensorit, ua rifreskon kosovarëve mësimet matematikore, fushë për të cilën nuk është se njihemi shumë si komb.
Megjithatë, ndikimi i ashensorit nuk është krejt pozitiv. Vite më parë, 3 prokurorë të Kosovës qenë ngujuar në lift, pasi i njëjti ishte prishur. Që nga atëherë, prokurorët kosovarë po shmangin përdorimin e liftit në vajtje-ardhjet e tyre në zyrë. Një gjë e tillë, kuptueshëm, po u shkakton lodhje, probleme në frymëmarrje, plogështi fizike, e po u humb kohë në punën e tyre. Të gjitha këto, rrjedhimisht, po shkaktojnë lulëzimin e krimit dhe korrupsionit në Kosovë. Një prokuror fizikisht i dërrmuar, me frymëmarrje të çrregulluar e që humb kohë, si pasojë e mospërdorimit të liftit, nuk është efektiv në luftën kundër korrupsionit. Pra, lifti, e jo "ish-regjimi", është fajtori që ka korrupsion e krim në Kosovë.
Shpjegimet e lartpërmendura shtrojnë një argument të qëndrueshëm se pse lifti duhet të jetë simbol kombëtar. Madje, edhe alfabeti i gjuhës shqipe duhet të pësojë ndryshim, duke filluar mësimet nga shkronja L. Njëkohësisht, shembujt me shkronjën A në Abetaren e përbashkët të shqiptarëve, duhet të jenë në lidhje me ashensorin, ashtu sikurse në shkronjën L.
Në fund, duhet përmendur se fjalori online i gjuhës shqipe e shpjegon në mënyrë të shkurtër por koncize, kuptimin e ashensorit.
“Ashensor m.sh. - Mjet i mekanizuar që shërben për të ngjitur e për të zbritur njerëz dhe sende në një ndërtesë shumëkatëshe ose në një minierë. Ashensor elektrik. Ashensor miniere. Kabina e ashensorit. Hipi në ashensor. Ngjitem (zbres) me ashensor”, thuhet në fjalorin onlinë të gjuhës shqipe.
Madje, shqipja, për çudi, ka edhe termin ashensorist, apo personi që punon ose shërben në ashensor (ndonëse nuk tregon se çfarë mund të punojë dikush në ashensor!).
Tash është momenti të ndryshohet ky fjalor. Ne sugjerojmë që fjalori i ndryshuar duhet të përmbajë fjalinë e mëposhtme:
Ashensori është simbol kombëtar i Kosovës.
