A ka apo jo reduktime të rrymës në Obiliq? As vetë banorët s’e dinë – është thjesht mister - NACIONALE

A ka apo jo reduktime të rrymës në Obiliq? As vetë banorët s’e dinë – është thjesht mister

4 vjet më parë

nga Burim Pacolli

Në fshatin Plemetin të qytetit të vocërr Obiliq, shkova për të kuptuar më shumë rreth reduktimeve të rrymës, pasi kriza energjetike u bë temë e madhe në Kosovë.

Por, banorët dukeshin më të shqetësuar për reduktimet e ujit – një park i braktisur ku luanin veç fëmijët serbë gjithashtu më la përshtypje.

Misteri i pazgjidhur: Reduktimet në Obiliq, ka apo s'ka?

Në lloj-lloj insani hasa në këto dy vende, e plot prej tyre jepnin versione të ndryshme të së vërtetës sa u përket reduktimeve. Madje, duke përfshirë në narracion elemente psiko/sociale të lidhjeve potenciale me institucionet komunale, si kryetari në rastin e mëposhtëm.

“Jo, s’ka reduktime këtu, kurrë nuk u nalë”, më tha Selatin Berbatovci, teksa e takova duke ecur nëpër hekurudhat e trenit të Obiliqit.

“Prej u ardhë kryetari Xhaferi, u përmirësu dukshëm”, thoshte ai, sikur po insistonte të kursente kryetarin nga ndonjë deklaratë që nuk do t’i shkonte përshtati atij.

Problemi i rrymës, natyrisht, është larg të qenit i nivelit lokal, por kjo nuk e ndalonte Berbatovcin t’i jepte kahje të tillë diskutimit me fjalë si “punë të mirë o t’u ba prej që ka ardhë kryetari”. Tentativat e mia ta distancoja atë me kryetarin se nuk kishte lidhje me temën, ishin krejtësisht boshe deri në atë pikë.

Një përpjekje e fundit e imja për të marrë një deklaratë ku nuk përfshihet kryekomunari i Obiliqit doli të jetë e suksesshme. Ai më rrëfeu diçka të dhimbshme, e që duhet të jetë vulosëse për pasojat sociale që sjell tymtari gjigant në këtë qytet që dukej më shumë si katund i madh.

Më herët, para se me ardhë kryetari Xhaferi, a keni pasë probleme me ajër? E pyeta Berbatovcin.

“Më herët kemi pasë probleme shëndetësore, por tashmë jo. Nana m’u pat sëmu prej kancerit. Ka vdekë në vitin 2018. Kanceri i ka ra prej pluhurit [që vjen nga tymtari]”, u shpreh zotëria në fjalë, para se të ndanim rrugët.

Poshtë “shinave”, përtej rrugës kryesore, Bajram Kutllovci po më jepte një version ndryshe nga Berbatovci sa u përket reduktimeve.

“Qeto dy-tri ditët e fundit ka pasë reduktime, ka dy orë, gjysë ore, një orë”, po më thoshte ai.

Frustruese po del të jetë për Kutllovcin fakti që tymtarin që prodhon rrymë e kanë “50 metra larg”, e vetë duhet të përballen me reduktime.

“Na vjen inati mos me pasë rrymë. Qyre, 50 metra larg osht, e mos me pasë rrymë... teshat n’tel [për terje] kur i qesim, hala na bohën me pluhun për shkak të tymit”, po më thoshte ai, në ecje e sipër, sigurisht paksa i irrituar nga pyetjet e njëpasnjëshme që po i bëja, sikur më kishte borxh përgjigjet.

Për çudinë time, pak më poshtë, Fazli Musa – një i ri obiliqas – më ktheu në pikën zero të ‘hulumtimit’ që po e bëja nëse në këtë qytet kishte reduktime apo jo.

“Jo, s’ka pasë reduktime hiç. Më herët nashta u ndalë dy minuta, amo nuk u nalë fare më herët para këtij rasti”, më tha ai.

A po ndalej a s’po ndalej rryma në Obiliq? Pyetje ndaj së cilës po merrja përgjigje ekstreme nga të dy anët. Edhe po, edhe jo. Mendimet mu ndanë në dysh, sikurse përgjigjet e obiliqasve.

Një qytetar tjetër me emrin Ismajl, derisa pranoi se po ndalet rryma, pati një arsye interesante pse po ndodh kjo. Ai përgjigjej sigurisht i panjoftuar me faktin se qeveria kishte marrë vendim për reduktime 6 me 2 në favor të dritës.

“Najhere po [po nalët], najhere jo [s’po nalët]. Qeto dy-tri ditët e fundit po nalët se po i hujdisin banderat.”

Në rregull, Ismajl, çfarëdo arsye që të funksionojë për ju, është e pranueshme për ne.

Me një mijë pikëpyetje nëse reduktimet në Obiliq janë të vërteta apo vetëm një mit, u nisa drejt Plemetinit, vend nga i cili vinte një qytetar të cilin e takova e më tha se në këtë katund “po ka nga 5-6 orë reduktime”.

Uji, problem kryesor

Në Plemetin, u ndalëm te kompleksi i tmerrshëm banesor që ishte ndërtuar për të banuar pjestarë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Aty takova një person me emrin Ferat.

“Po nalët rryma. Kaniherë ka 24 orë s’po ka”, tha ai, fillimisht derisa po nënvizonte një problem tjetër edhe më krucial siç është mungesa e ujit.

“Me ujë po kem problem, burrë. Ka një ditë s’po vjen hiç”, po më thoshte ai. “Po duhet me u sillë me do kanta n’dorë, dikush të len e dikush s’të len me mbushë ujë, e qeshtu.”

Pesëdhjetë hapa drejt pjesës veriore të kompleksit i bëra për të takuar Esma Gosin, e cila tash zbuloi variantin e saj të reduktimteve.

“Ka dy ka tri orë po ndalet që tri ditë”, u shpreh Gosi, derisa po u hidhte ushqim pulave.

“Me ujë po kemi problem”, shtoi ajo. “Ton' ditën s’po ka”, derisa një fëmijë që ishte pranë saj po shtonte si për ta plotësuar gjyshen e tij të cilës po i drejtohesha.

“Në ora 01:00 të natës po vjen, e po nalët në ora 05:00.”

Me banorët e Plemetinit që të paktën ishin më të qartë në përgjigjet e tyre sa u përket reduktimeve, si për ujë, ashtu edhe për rrymë, ishte koha të vizitonim një pjesë tjetër të fshatit të banuar me serbë e kosovarë – kryesisht me të parët.

Parku ku luajnë ‘veç fëmijët serbë’

Një park interesant që të jepte ndjenjën e braktisjes e rastisëm në një mëhallë të rëndomtë.

Një djalosh i ri serb aty po më thoshte se rrallë ose fare nuk është funksional më “sepse nuk ka mbetur askush më në katund. Të gjithë kanë ikur”.

Derisa ai u largua me bicikletë, një kosovar kaloi pranë, e që na zbuloi më shumë detaje rreth parkut.

“Kisha e Graçanicës për fëmijë serbë e ka maru këtë park”, tha Afrimi.

“Veç serbët edhe romët kanë lujtë këtu deri qitash”, po më thoshte ai, në përgjigje ndaj pyetjeve të mia nëse luajnë edhe fëmijët kosovarë në këtë park, i cili dukej i pambajtur e i lënë pas dore. Edhe aktivitetet rreth tij ishin zero. Veç bari i kositur e piezazh pa qenie të gjalla në horizont.

“Ma mirë, ma rehat qishtu”, shtoi Afrimi kur e pyeta ‘pse s’lujnë fëmijët kosovarë këtu’.

“Edhe ne të mëdhenjtë [kosovarë e serbë] rrallë flasim me njëri-tjetrin. Ne i njohim, me ata që kanë bo zullum gjatë luftës nuk flasim.”

Me reduktime “rrymore e ujore” në Obiliq e Plemetin, e me shumë paqartësi rreth tyre, përfshirë një park fëmijësh të ndërtuar “për fëmijët serbë”, misteri për reduktimet mbeti i pazgjidhur. Fatkeqësisht! Mos na gjeni kusur, të dashur lexues.

Lajme të ngjashme