Çështja Kurioze e doktoraturës së Nezir Krakit, “e ka kryer” por universiteti nuk jep verifikim zyrtar - NACIONALE

Çështja Kurioze e doktoraturës së Nezir Krakit, “e ka kryer” por universiteti nuk jep verifikim zyrtar

1 vit më parë

nga Xhezair Dashi

Ky artikull do të mund të ishte shumë i thjeshtë dhe i shkurtë: Nezir Kraki ka doktoruar në filan datën, te filan mentori, me filan komisionin, me filan temën, me dizertacion të tij në filan arkivin dhe ka marrë gradën në filan ceremoninë zyrtare. Full stop. Por, kjo nuk është rasti. Çështja është e komplikuar dhe ky artikull mëton të shtrojë pyetjet që çojnë te e vërteta; te e vërteta që do të mund të vinte fare thjesht me një përgjigje nga Nezir Kraki duke i konfirmuar dhe verifikuar kredencialet e tij akademike në letër. Po ashtu ky artikull nuk (pre)supozon nëse ka ose jo Nezir Kraki doktoraturë, por thjesht navigon mbi mungesën e evidencës së kërkuar. T’i hymë me rend.

Nezir Kraki, deputet i Vetëvendosjes, refuzoi të na jep dëshmi – qoftë edhe një copë letër zyrtare, ose screenshot – se ka dizertacon të doktoratës, të mbrojtur dhe gradimit të tij PhD. “Nuk jam në kurrëfarë raporti të llogaridhënies me ju”, na tha Kraki dhe na përjashtoi nga çfarëdo verifikimi të kërkuar të kredencialeve të tij akademike.

Ne ju drejtuam universitetit ku Kraki është i angazhuar si mësimdhënës me orar-jo-të-plotë – UPEC, Université Paris-Est Créteil – me pyetje shumë specifike. Konfirmim dhe verifikim zyrtar. Kjo për shkak se në repozitorin kombëtar “Theses.Fr” që funksion brenda Ministrisë së Arsimit të Lartë dhe Kërkim Shkencor të Qeverisë së Francës, nuk prodhohet asnjë rezultat në emrin e Nezir Krakit. Aty listohen “të gjitha doktoraturat e mbrojtura në Francë që nga viti 1985” dhe, përveç doktoraturave të mbrojtura, përfshihen edhe “të gjithë personat të përfshirë në kërkime/hulumtime doktorale”.

Pyetje e Nacionales drejtuar UPEC-it:A mundeni mirësisht të konfirmoni nëse zoti Kraki ka marrë, apo është në një proces të marrjes së doktoraturës, dhe të na siguroni ndonjë verifikim zyrtar nëse e keni në dispozicion?

UPEC: “Ne konfirmojmë që z. Kraki mban të gjitha kualifikimet akademike të kërkuara për të dhënë mësime në institucionin tonë, pasi kishte përfunduar tezën e masterit dhe doktoratës së tij në shkencat politike. Ai ka qenë pjesë e ekipit tonë akademik që nga viti 2016. Vitet e fundit, universiteti ynë ka pësuar një riorganizim të plotë, i cili çoi në krijimin e IEP de Fontainebleau, i vendosur tani në një kampus të ri. Kjo ka të ngjarë të ndikojë në azhurnimet e të dhënave në platforma të ndryshme, siç janë tezat.fr. Gjithçka duhet të kthehet në normale deri në fund të vitit”.

Këtu Universiteti tha se Nezir Kraki “ka përfunduar tezën e masterit dhe doktoratës së tij në shkenca politike” por nuk ofroi asnjë verifikim zyrtar siç i kërkuam. Menjëherë pas përgigjes i bëmë pyetjet komplementare që do të mund të shërbenim si verifikim pa asnjë mëdyshje dhe që do të plotësonte përfundimisht thelbin e pyetjes. Gjërat e pyetura janë aq elementare – por, pas kësaj nuk ka më përgjigje.

Nacionale: Ju lutemi mund të konfirmoni titullin e saktë të dizertaiconit Ph.D. të Nezir Krakit, datën kur u mbrojt, dhe emrat e mbikëqyrësve?

Ju lutemi mund të siguroni një link ose referencë ku gjendet e arkivuar Ph.D. e Nezir Kraki? Ose, nëse nuk është në internet, a mund ta di se si mund të kem qasje ose të kërkoj një kopje?

A mund të konfirmoni datën e saktë kur i është dhënë zyrtarisht grada dhe ceremonia ose regjistrimi zyrtar ku mund ta gjejmë?

Përgjigje për këto po presim tash e gati tre ditë, dhe asgjë.

Nezir Kraki kërkoi nga Nacionale ta publikojmë të (pa)plotë përgjigjen e Universitetit dhe na tregoi edhe se si ta shkruajmë artikullin. Ne i thamë se kjo gjë s’do të ishte as temë dhe as do të zgjatej po të na dërgonte në letër verifikimin zyrtar të kredencialeve të tij akademike.

Nacionale është në pritje ende – ndonëse janë bërë gati tre ditë – të pyetjeve të mësipërme që janë aq të thjeshta: Titullin e dizertaconit të doktoratës, datën kur është mbrojtur, emrin e mentorëve, linkun referencial ku është i arkivuar dizertacioni, ndokund ku ceremonia zyrtare e dhënies së gradës është mbajtur. Gjëra këto aspak të jashtëzakonshme që secili doktorant mund t’i tregojë për një 2 minutë kohë.

Artikulli vazhdon deri në pritje të përgjigjeve edhe nga Repozitori Kombëtar i Dizertacioneve në Francë (Theses.Fr) dhe Ministria e Arsimit dhe Kërkimit Shkencor në Qeverinë e Francës.

Lajme të ngjashme