Zyrtari i lartë amerikan edhe sot në Kosovë: S’ka takim me Kurtin, kjo është agjenda
Zyrtari i lartë amerikan, ndihmës sekretari Todd Robinson, edhe sot do të qëndrojë në Kosovë.
Ai arriti dje ku pati një vizitë në pikë-kalimin kufitar në Morinë. Për këtë njoftoi faqja zyrtare e Policisë së Kosovës.
“Fillimisht z.Robinson u njoftua nga afër lidhur angazhimin policor në luftimin e krimit trans kufitar, trafikimin me narkotik e qenie njerëzore si dhe me procedurën e kalimit kufitar dhe të kontrollit të automjeteve që realizohet në këtë pikë kufitare, e në veçanti për kontrollin e detajuar të automjeteve që bëhet me pajisje të sofistikuara si donacion i INL-it”, thuhet në komunikatë.

“Përveç kësaj Drejtori Hoxha, e njoftoj në detaje z.Robinson për sulmin terrorist të ndodhur me 24 shtator 2023 në veri të vendit, më saktësisht në Bajnskë të Mitrovicës, si dhe njëkohësisht e falënderoi për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme me donacione që INL ka bërë dhe po bënë për Policinë e Kosovës. Ndërsa z.Hodaj nga IPK-ja njoftoj lidhur me realizimin e operacionit të suksesshëm antikorrupsion të koduar PIKA, si dhe po ashtu falënderoi z.Robinson për mbështetje ndaj IPK-së”, specifikohet më tutje.
Agjenda për sot
Robinson sot në orën 10:00 do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Më pas, të dy pritet të mbajnë edhe një konferencë për media.
Në fazën e këtyre takimeve, zyrtari i lartë amerikan, të paktën deri më tash, nuk ka paraparë ndonjë takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Kështu bëhej publike edhe në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit ku u njoftua kjo vizitë.
“Ndihmës sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, do të udhëtojë për në Tiranë, Shqipëri nga data 18 deri më 20 mars ku do të takojë kryeministrin Edi Rama dhe partnerët e INL-së të cilët mbështesin punën e Shqipërisë në forcimin e sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe ndërtimit të institucioneve të fuqishme.
Nga 20 deri më 22 mars, Robinson do të udhëtojë për në Prishtinë, ku do të takojë Presidenten Vjosa Osmani dhe partnerët e INL-së në mbështetje të forcimit të sundimit të ligjit dhe sektorëve të drejtësisë”, thuhet në agjendën e z.Robinson për vizitat në Kosovë dhe Shqipëri.
Ai sot gjithashtu, bashkë me përfaqësues të Sitemit gjyqësor, prokurorial e ata të shërbimit korrektues, do të ketë një takim. Aty pritet të nënshkruhet marrëveshja për pranim-dorëzimin e pajisjeve audio dhe video-incizimeve që do të përdoren për regjistrimin e seancave gjyqësore.
Pse u anulua vizita e kaluar?
Robinsion edhe muaj më parë kishte pasur të planifikuar një vizitë në Kosovë. Megjithatë, ajo u anulua për shkak të tensioneve në pjesë veriore.
Para nëntë muajsh, Ambasada amerikane, në përgjigjen që Nacionale kishte kërkuar lidhur me shtyrjen e kësaj vizite, vetëm pati bërë thirrje ‘për deeskalim të situatës’
Në një përgjigje atëbotë për Nacionalen, Ambasada Amerikane kishte bërë thirrje edhe një herë për deeskalim të situatës.
“Për shkak të krizës aktuale në veri të Kosovë, ndihmës sekretari Robinson ka shtyrë vizitën e tij në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për deeskalimin e situatës dhe rikthimin në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.” – pati thënë një zëdhënës.