Zyrtare: Mbyllet pikëkalimi kufitar në Merdarë - NACIONALE

Zyrtare: Mbyllet pikëkalimi kufitar në Merdarë

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Është mbyllur edhe zyrtarisht pikëkalimi kufitar në Merdarë.

Këtë e ka konfirmuar vetëm para pak çastesh Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Shkak për këtë janë barrikadat e vendosura rreth dy kilometra larg nga kufiri. Ky pikëkalim, deri në njoftimin e radhës, mbetet i mbyllur. Më poshtë edhe njoftimi i plotë.

Kujtojmë gjithashtu faktin se Nacionale pak çaste më parë bisedoi me njërin prej shoferëve që hyri në Kosovë në çastet e fundit.

Sipas tij, kompania tek e cila bën pjesë, ka edhe dy autobusë të tjerë, që kanë mbetur prapa.

"Po, unë kalova në çastet e fundit. Më pas dëgjova se kishin vendosur barrikada. Dy autobusët e kompanisë tonë që kanë mbetur në Serbi, po mendojnë të shkojnë kah Dheu i Bardhë", tha ndër të tjerash ky shofer, që preferoi të mbetej anonim.

Ndërkaq, shoferi i kompanisë Shemi ka thënë se nga nesër do të ndërrojnë drejtim.

"Nesër kysmet do të udhëtojmë kah Kroacia, Mali i Zi e në fund Kosovë", tha tutje njëri prej shoferëve të kësaj kompanie.

Ministria e Jashtme

Përveç Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Përmes një komunikate të orëve të vona, u bëri thirrje mërgimtarëve që t'i shfrytëzojnë pikat tjera kufitare, pasi strukturat kriminale serbe kanë vendosur postblloqe të tjera.

"Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit", thuhet tutje në komunikatë.

Pas njoftimit zyrtar për mbylljen e pikëkalimit kufitar në Merdarë, Nacionale ka siguruar pamje nga pikat tjera kufitare Kosovë-Serbi, nga ku duket se qarkullimi është duke vazhduar normalisht.

Dëshpërim

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar për bllokimin e pikës kufitare në Merdare natën e sontme.

Sipas tij, serbët të dëshpëruar kanë filluar të bllokojnë rrugët edhe brenda Serbisë.

“Bllokimin diplomatik e civilizues po e shpërfaqin edhe në bllokim të rrugëve në rrugët e Serbisë. Edhe në linjë me Rusinë edhe në rrugë evropiane nuk ka mundësi”, shkruan ai.

Duhet përmendur se këto zhvillime rodhën pasi një grup prej rreth njëzet personave, mbrëmë bllokuan pikëkalimin në Merdarë në territorin e Serbisë, në shenjë mbështetjeje për serbët nga Mitrovica e Veriut.

Lajme të ngjashme