“Zhgënjyese”: RTK e pyeti VV-në se a ishte Gërvalla në parti, ata i thanë jo, kaq (Lista ku ai ishte në parti) - NACIONALE

“Zhgënjyese”: RTK e pyeti VV-në se a ishte Gërvalla në parti, ata i thanë jo, kaq (Lista ku ai ishte në parti)

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rilind Gërvalla, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, nga sot do të jetë drejtor i televizionit në Radiotelevizionin e Kosovës, një zhvillim ky që po konsiderohet zhgënjyes. I njëjti, ka marrë tetë vota për nga të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së, të cilë kanë dhënë një arsyetim rreth vendosjes së Gërvallës në këtë pozitë.

Radiotelevizioni i Kosovës po konsideron se Gërvalla nuk është e as nuk ka qenë aktivist i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Sç raportoi "Koha", këtë e kanë konstatuar pasi e kanë pyetur LVV-në nëse ai ka qenë pjesë e ndonjë strukture, e nga ky subjekt politik, duket që i kanë thënë “JO”.

“Për me e marrë dokumentin, duheni të kontaktoni drejtorin e përgjithshëm, ata e kanë kryer komunikimin, ne e kemi vetëm propozimin. Ai e ka udhëzuar administratën për me e kërku këtë gjë prej partisë.” – ka thënë Boletini për Nacionalen.

Ndërkohë vetë Boletini, kohë më parë kritikonte RTK-në, duke thënë se prej ardhjes në krye të Mentor Shalës, transmetuesi publik po “kontrollohet nga njerëz të afërt ose familjarë të PDK-së”.

Listat tregojnë ndryshe…

Listat tregojnë që z. Gërvalla ka qenë aktivist i partisë në pushtet, të paktën në vitin 2016.

Sipas asaj që shihet, drejtori i ri i televizionit në listën për anëtarët gjatë zgjedhjeve të brendshme të LVV-së para shtatë viteve, mbante numrin 69.

Nuk dihet nëse pas këtyre zgjedhjeve, i njëjti ka marrë ndonjë pozitë brenda LVV-së, por siç ka raportuar edhe më herët Nacionale, ai është parë edhe nën shoqërinë e bashkëpartiakëve të tij, duke përfshirë këtu aktivistin nga Shqipëria, Arbër Zaimi dhe zëdhënsin Arlind Manxhuka.

Megjithatë, vlen të theksohet se ai kishte marrë pjesë në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

Gërvalla, duket të ketë qenë i regjistruar në Prishtinë, më konkretisht në pikën në “Kodrën e Trimave I”.

Shumë reagime, para dhe pas procesit

Sekretari i Përgjithshëm në Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, kishte kërkuar nga Bordit që të mos votohen kandidatët që janë të përfshirë dhe kanë lidhje politike.

“Bordi i Drejtorëve të transmetuesit publik të Kosovës sot do të votojë për drejtorin e televizionit RTK. I bëj thirrje bordit të RTK-së që të mos votojnë kandidatët me përkatësi politike dhe lidhje të drejtpërdrejta dhe të ngushta me partinë në pushtet apo me ndonjë parti tjetër politike.” – ka shkruar Gutierrez në Facebook.

Veç kësaj, edhe rrjeti Global për Mediat e Pavarura (IPI), me rastin e votimit të drejtortit të televizonit të RTK-së nga Bordi, bënte thirrje i zgjedhuri të mos ketë lidhje me partitë politike.

Juristja e medias, Flutura Kusari e ka quajtur zhgënjyes, mundësinë për depolitizimin e RTK-së, e madje tha, se kjo është kapje nga partia në pushtet.

“Kjo quhet kapje e pjeses informative nga partia ne pushtet. Thellesisht e zhgenjyer qe eshte humbur mundesia per depolitizimin e RTK-se.” – ka thënë ajo.

Drejtori i Institutit Epik, Demush Shasha, e ka quajtur po ashtu zhgënjyes një zhvillim të tillë.

“Dallimi në mes kësaj që sot ka bërë VV në RTK dhe asaj që dje kanë bërë të tjerë është veç çështje shijesh. Tejet zhgënjyese.”- ka shkruar ai.

Aktivisti i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, konsideroi se zgjedhja e Gërvalles në pozitën e drejtorit të televizionit, dëshmon kapjen e shtetit.

Lajme të ngjashme