Erdhi dita: Aktivisti i VV-së zgjidhet drejtor i televizionit në RTK - NACIONALE

Erdhi dita: Aktivisti i VV-së zgjidhet drejtor i televizionit në RTK

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Aktivisti i devotshëm i LVV-së, Rilind Gërvalla është zgjedhur drejtor i televizionit në RTK. Këtë e kanë konfirmuar për Nacionalen burime brenda RTK-së.

Me tetë vota pro, të gjithë anëtarët e bordit të transmetuesit publik, është miratuar emërimi i Rilind Gërvalles në këtë pozitë.

Nacionale kishte raportuar më herët se i pari më pikë në konkursin për drejtor të televizionit, kishte dalë aktivisti i VV-së, Gërvalla.

Në anë tjetër, Sekretar i Përgjithshëm në Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, ka kërkuar nga Bordit që të mos votohen kandidatët që janë të përfshirë dhe kanë lidhje politike.

“Bordi i Drejtorëve të transmetuesit publik të Kosovës sot do të votojë për drejtorin e televizionit RTK. I bëj thirrje bordit të RTK-së që të mos votojnë kandidatët me përkatësi politike dhe lidhje të drejtpërdrejta dhe të ngushta me partinë në pushtet apo me ndonjë parti tjetër politike.” – ka shkruar Gutierrez në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se menaxhimi i RTK-së si televizion publik duhet të jetë i pavarur nga partitë politike dhe se duhet konkursi të rikthehet në pikën zero për të gjetur këdo që është i pavarur nga pushteti.

“Menaxhimi i televizionit publik duhet të jetë totalisht i pavarur nga partitë politike! Nëse është e nevojshme, thirrja duhet të riniset për të gjetur personin më të kualifikuar profesionalisht që është i pavarur nga pushteti politik. E di që bordi ka punuar shumë për reformimin dhe depolitizimin e RTK-së. Ajo ka mbështetjen e plotë të Federatës Evropiane të Gazetarëve - EFJ. Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik pluralist dhe të pavarur! #Kosova #PSM.” – thuhet në reagimin e tyre.

Edhe rrjeti Global për Mediat e Pavarura (IPI), me rastin e votimit të drejtortit të televizonit të RTK-së nga Bordi, ka bërë thirrje i zgjedhuri të mos ketë lidhje me partitë politike.

Në reagimin e tyre thuhet se IPI kërkon që emërimi i menaxhmentit të bëhet më anë të një procesi të drejtë dhe të pavarur.

“#Kosova: Meqenëse bordi i @rtklivecom sot zgjedh Drejtorin e ri të Televizionit, IPI përsëri thekson nevojën që emërimi i menaxhmentit të bëhet në një proces të drejtë dhe të pavarur. Është jetike për besimin e publikut që figurat e zgjedhura të mos kenë lidhje të qarta me partitë politike.” – thuhet në reagimin e tyre të publikuar në Twtter.

Përndryshe përveç IPI, për votimin e sotëm të drejtorit të televizionit, ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve.

Sekretar i Përgjithshëm në Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutiérrez, ka kërkuar nga Bordit që të mos votohet kandidatët që janë të përfshirë dhe kanë lidhje politike.

Rregullorja e RTK-së për kandidatët që konkurojnë për pozita menaxheriale – siç është ajo e drejtorit të televizionit – e thonë qartë se kriter kryesor për të qenë pjesë e menaxhmentit të RTK-së është që kandidati të mos jetë pjesë e partive apo forumeve të partive politike të paktën në tri vitet e fundit.

Në vegëzat që kemi futur në këtë artikull, por edhe në shumë materiale të tjera që janë të qasshme për të gjithë, mund ta vëreni se një gjë e tillë është shpërfillur krejtësisht nga ana e komisionit të krijuar nga Drejtori i Përgjithshëm Ahmetxhekaj.

Rilind Gërvallën mund ta shohim në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, bile edhe derisa merr pjesë në mbledhjet e këtij organi partiak.

Përveç kësaj, Rilindi që mund të zyrtarizohet prej javës tjetër si i pari i televizionit publik, ishte edhe mes donatorëve të Vetëvendosjes.

Në disa fotografi, Rilind Gërvalla madje shihet nën shoqërimin e dy prej anëtarëve të grupit të Vetëvendosjes nga Tirana, Boiken Abazit e Arbër Zaimit. Ky grup konsiderohet të jetë prej më radikalëve në partinë e kryeministrit Albin Kurti.

Lajme të ngjashme