“Zhduket” Xhevdet Pozhari, harron që t’i komentojë intervistat e Kurtit në televizone - NACIONALE

“Zhduket” Xhevdet Pozhari, harron që t’i komentojë intervistat e Kurtit në televizone

3 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Xhevdet Pozhari është analist i përhershëm në “Context” të ATV-së. Pozhari, që së fundmi u bë edhe këshilltar i Arben Vitisë, ministër i Shëndetësisë, është i njohur për reagime të shumta. Herë në televizion, herë postime në Facebook, e nganjëherë edhe me shkrime e opinione, Pozhari i tregon botës qëndrimet e tij mbi politikën kosovare.

Por çuditërisht z. Pozhari ka heshtur në lidhje me dy intervistat e fundit të Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, i cili doli në “Debat Plus” e “Rubikon”, ku foli për shumë çështje. Përkundër 3 orëve intervistë, z. Pozhari nuk ndau as 3 minuta për të komentuar (sigurisht pozitivisht) intervistat e Kurtit, të cilin e përkrah në shumë çështje.

Pra njëriu që ka mendime rrëke, është shterruar nga komentimi në Facebook, duke mos dhënë asnjë mendim mbi mendimet e Kurtit. Madje në profilin e tij në Facebook, z. Pozhari nuk ka postuar asgjë që nga 29 marsi, pra që dy ditë. Në dy postimet e fundit që ai i ka bërë, nuk kanë lidhje me intervistat e Kurtit, por me aktivitetet e ministrit Vitia. Duket që Pozhari është fokusuar në punën për të cilën është rekrutuar, duke u kujdesur t’ia mbajë gjallë imazhin Vitisë, një imazh i minuar pas luhatjeve të tij nga Ministria e Shëndetësisë në kandidim për kryetar të Prishtinës e sërish në MSh.

Por mund të ketë edhe një arsye shtesë se pse z. Pozhari zgjedhi të “zhduket” gjatë dhe pas intervistave të Kurtit në Dukagjini e Klan Kosova. Është muaji i shenjtë i Ramazanit, të cilin me shumë gjasë e agjëron edhe z. Pozhari. Pra Pozhari ka zgjedhur të përkujdeset më shumë për veten në këtë muaj të shenjtë për myslimanët, duke “agjëruar” nga komentimi për Kurtin.

Madje, për befasinë e të gjithëve, Pozhari ishte treguar më “gjakftohtë” në raport me Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka shumë qef ta kritikojë, duke e lavdëruar. Këtë lavdërim, Pozhari e kishte lidhur me Ramazanin.

“Pasi që Ramazan, sonte kam me shkru diçka të mirë për LDK-në:

Ibrahim Rugova!” – shkroi ai ditë më parë.

Ndoshta, ka edhe një arsye të tretë e që lidhet me pamundësinë për të mbrojtur Kurtin, i cili u kritikua gjerësisht për paraqitjet e tij në Debat Plus e Rubikon. Madje, shumë analistë përfunduan në të njëjtin rezultat se Kurti nuk shkëlqeu në këto intervista. Madje, z. Visar Ymeri, analist i respektuar, vlerësoi se Kurti nuk po di të jetë kryeministër.

“Kurti i ka ikur shumë ballafaqimit me publikun kosovar. Paraqitja e tij e mbrëmhme në Debat Plus na tregoi pse i ka ikur ballafaqimit. Kurti i mbrëmshëm ishte ‘pa dhëmbë’. Duke e pasur një historik të gjatë të paraqitjeve për të kundërshtuar, mbrëmë u pa që nuk ka fare aftësi të paraqitjes në formë afirmative. Nuk ishte bindës për marrëveshjen, nuk tha gjë për qeverisjen, e shpërfaqi mendësinë e tij problematike politike kur fliste për shkeljen e Kushtetutës nga ministrat e tij, dhe foli gjëra sipërfaqësore e të pavërteta për zhvillimin ekonomik. Me një fjalë Kurti nuk po di të jetë kryeministër. Opozita e fushata mund të bëhen me poezi, por qeverisja duhet të bëhet me prozë. Kurtit nuk ia deshti proza.” – vlerësoi Ymeri.

Siç shkroi dje Nacionale, përveç z. Pozharit, edhe analistët e tjerë të afërt me VV-në, në mënyrë krejtësisht enigmatike, nuk reaguan në lidhje me intervistat e Kurtit, përjashtimisht Rron Gjinovcin, i cili qeshi me një pjesë të intervistës së kryeministrit.

Lajme të ngjashme