Zgjidhja e saj e thjeshtë për krizën: Pse Rada Trajkoviq po shkëlqen më shumë se kurrë politikisht? - NACIONALE

Zgjidhja e saj e thjeshtë për krizën: Pse Rada Trajkoviq po shkëlqen më shumë se kurrë politikisht?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Politikanja serbe Rada Trajkoviq ka fituar përsëri forcë politike pas sulmeve brutale që i janë bërë nga regjimi i Aleksandër Vuçiqit. Por, cilat është zgjidhjet politike për ta stabilizuar situatën sipas saj - e që duket të jetë 'molla e sherrit' për lidershipin serb të lidhur me grupet kriminale në veri?

Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 14 shkurt 2021, Rada Trajkoviq do të shihte atë që dukej si fundi i karrierës së saj politike. I kishte marrë vetëm 595 vota në kuadër të iniciativës së saj që quhej “Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”. Dhe madje, për më keq, ajo do të kishte më së paku vota edhe në listën që e kishte hapur vetë.

Por, siç ndodh rëndom me politikën kosovare, votat shpesh nuk kanë ndonjëfarë rëndësie. Ajo do të rikthehej fuqishëm në skenën politike pikërisht përmes aktivizmit të guximshëm politik.

Politikanja 69 vjeçare e lindur në Merdare do të ‘shkëlqente’ pikërisht atëherë kur do të ishte më së vështiri: në kohën kur edhe kundërshtarët më të rreptë të Vuçiqit në Kosovë ose po mbyllnin gojën ose po bëheshin me të.

Përkrahja për Radan

Të gjitha vuajtjet e Rada Trajkoviqit nga regjimi i Vuçiqit kohët e fundit ajo i ka postuar në rrjetin social Twitter, duke nxitur edhe reagime ndërkombëtare. Serbia mohon, por faktet dhe e drejta duken qartazi në anën e saj.

Trajkoviq takoi ambasadorin amerikan Jeff Hovenier dhe mori mbështetje të fortë prej tij. Dhe u përmend e u përkrah nga të gjithë ambasadorët e tjerë të QUINT-it (Francë, Gjermani, Itali, Mbretëri e Bashkuar) në vendin tonë (por jo vetëm). Madje, ambasadori gjerman Jorn Rohde, do të qortonte Listën Serbe që nuk po reagonte për keqtrajtimin e Trajkoviqit, duke nxitur një tjetër përplasje.

Por, për Rada Trajkoviqin pati edhe reagime kombëtare. Në Serbi e në Kosovë.

Më i zëshmi në vendin fqinj ishte ish-presidenti Boris Tadiq, që më 12 nëntor, do ta nxirrte nga dremitja opinionin serb duke i dalë kundër me vendosmëri fushatës linçuese ndaj politikanes serbe nga Kosova.

“...në vend se t’i sigurohet mbrojtje për shkak të kërcënimeve ndaj të cilave është ekspozuar, Shesheli i thotë në frekuencë kombëtare se do të vritet si Oliveri (Ivanoviqi). Për këtë nuk duhet të heshtim... Çka bën policia kur kërcënimet me vdekje bëhen publikisht? Çfarë po bëjmë ne të gjithë si shoqëri nëse heshtim për këtë gjë?”kishte shkruar ai.

Përkrahje Rada Trajkoviqi kishte marrë edhe nga lidershipi politik shqiptar në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte informuar nga ministri i tij Nenad Rashiq për ndalimin e Rada Trajkoviqit në Merdare në një mbledhje të Qeverisë.

“Mua më vjen shumë keq që jemi në situatë të tillë. Do të shoh çfarë mund të bëjmë sot paradite në mënyrë që Trajkoviq të hyjë në Kosovë,”ishte shprehur ai.

Për keqtrajtimet e Trajkoviqit kishte reaguar edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla Schwarz.

Mendimi i thjeshtë i Radas për krizën?

Trajkoviq duket se nuk ka qenë aspak e interesuar që të zmbrapset nga kërcënimet e Serbisë, që shpesh bëheshin madje edhe nga vetë presidenti Aleksandër Vuçiq. Por, aspak e interesuar edhe për të stërkomplikuar situatën me ide të çuditshme politike - të zakonshme për politikën serbe - në një situatë fare të thjeshtë.

Ajo do t’i reagonte Vuçiqit me një ashpërsi të jashtëzakonshme siç ishte edhe rasti në fjalë: “Më kot po përpiqesh të më trembësh Aleksandër Vuçiq. Më kot, analistët e tu në PINK më bëjnë objektiv qitjeje 24 orë në ditë para gjithë kombit. Më kot ju zgjoni edhe ‘të fjeturit’ brenda opozitës në përpjekje për të më diskredituar. Unë jam në anën e drejtë. Serbët në Kosovë duhet të heqin qafe kriminelët,”kishte shkruar ajo.

Por, çka kërkon znj. Trajkoviq politikisht?

Sipas këshilltares së Nenad Rashiqit në ministrinë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë Kurti, zgjidhja për krizën aktuale ishte fare fare e thjeshtë. Duhej të riktheheshin në pozicionet që kishin pasur në Policinë e Kosovës serbët vendas. Sipas saj, nuk do të kishte stabilizim të situatës pa këta policë. Elefanti në dhomë?

“Ka dy prioritete: kthimi në Policinë e Kosovës (i serbëve të dorëhequr) dhe gjetja urgjente e një kompromisi për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe). Alternativa është një konflikt që do të na kushtojë shtrenjtë të gjithëve,”shkroi gjatë ditës së sotme.

Ajo ka denoncuar edhe të barrikaduarit, duke thënë se “barrikadat nuk janë heroizëm apo përgjigje autentike e popullit, por rezultat i politikave të gabuara të Beogradit dhe Prishtinës.”

Qeverisë së Kosovës i është kërkuar vazhdimisht, madje edhe nga partia opozitare LDK, që të tregojë strategjinë për rikthimin e vakumit administrativ në veri të vendit por ata nuk kanë pasur ndonjë përgjigje.

Lajme të ngjashme