Zero pyetje, zero përgjigje: Qysh Kurti nuk foli asgjë për rastin e Deharit në “Debat Plus” e “Rubikon”? - NACIONALE

Zero pyetje, zero përgjigje: Qysh Kurti nuk foli asgjë për rastin e Deharit në “Debat Plus” e “Rubikon”?

3 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Albin Kurti për dy ditë rresht doli dy herë në intervistë. Foli pothuajse për gjithçka, që nga qeverisja e tij dy vjeçare, dialogu me Serbinë, e shëtiti nëpër tema si ajo për personazhin e BBVA Luiz Ejlli e specifikat e zgjedhjeve në Mal të Zi, por shefi i ezkekutivit nuk dënjoi të fliste për një një çështje, e cila ishte qendërore për vite të tëra në diskursin e tij. Ai as nuk foli, por as nuk mori asnjë pyetje rreth rastit Dehari.

Në emisionet “Debat Plus” e “Rubikon”, te gazetarët Ermal Panduri e Adriatik Kelmendi, gazetarwt çuditërisht “agjëruan” në lidhje me këtë teme. Ata nuk ia shtruan pyetjen më shume se një milionëshe: Kush i zhduki mostrat e Astrit Deharit?

Në fakt gazetari Kelemendi e përmendi shkarazi këtë çështje, duke cituar raportin e Departmentit Amerikan të Shtetit, teksa po bënte një pyetje që kishte të bënte me korrupsionin në Qeveri.

Kurti, duke përfituar nga fjalia e fundit e Kelmendit “..disa zyrtarë të korruptuar vazhduan të zinin poste publike”, u përgjigj lehtësisht, “..pra thotë, disa, për dallim me raportet e kaluara që thoshte shumë”. Këtu edhe iku tema e mostrave të zhdukura, e të rastit Dehari në përgjithësi, për të mos u kthyer më në diskutim.

Teksa te intervista me Kelmendin, nuk ishim larg të mësojmë qëndrimin e kryeministrit për rastin Dehari, ndryshe ishte puna te intervista me gazetarin Panduri. Në intervistën në “Debat Plus”, kryeministri përveç se nuk u pyet fare për këtë rast, nuk kishte asnjë moment që jepte ndonjë shkëndijë se gazetari Panduri do të shtronte këtë temë për dikustim.

Nuk dihet pse gazetarët hezituan ta pyesin kryeministrin për këtë çështje, duke e ditur se premtimet për drejtësi në rastin Dehari ishtë edhe të mëdha, edhe të shpeshta. Madje, që nga vdekja e tij në qendrën e paraburgimit në Priren, Kurti e kishte brendësuar kërkesën për drejtësi për Deharin, duke e qëndërzuar si një nga kërkesat e tij më kardinale.

Për më tepër kur dihet se në një konferencë për media, deputeti i VV-së, Haki Abazi e pati alarmuar Prokurorinë, duke kërkuar nga ta që patjetër të merreshin në pyetje Kryeminitri Kurti e ministrja Haxhiu, për këtë rast.

Çfarë thuhet në raportin e DASh-it për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit?

Raporti i publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka përmendur specifikisht zhdukjen e mostrave të aktivistit të VV-së, Astrit Dehari nga Instituti i Mjeksisë Ligjore. Madje në fillim të raportit tregohet gjithashtu, pse ishte arrestuar Dehari.

“Hetimi për vdekjen e aktivistit të Partisë Vetëvendosje në vitin 2016, Astrit Dehari, ka mbetur në vazhdim. Dehari është arrestuar me dyshimin për përfshirje në një sulm në parlament. Autoritetet hetuan nëse Dehari kreu vetëvrasje, ndërsa anëtarët e familjes së tij dhe përfaqësuesit e Partisë Vetëvendosje pretenduan se ai ishte vrarë për shkak të aktivizmit të tij politik”, thuhet në raport.

Më pas flitet për procesin ndaj tij që nuk është zbardhur asnjëherë, dhe për zhdukjen e mostrave nga IML-ja.

“Në gusht, familja e Deharit pohoi se kishte prova se Dehari ishte sulmuar para vdekjes së tij dhe kërkuan zëvendësimin e prokurorit kryesor. Në shtator, një raport i Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë zbuloi se zyrtarët kishin qasje të pahijshme dhe kishin ndarë regjistrimet e kamerave nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, duke shkelur kërkesat për mbrojtjen e të dhënave. Si kundërpërgjigje, në shtator qeveria suspendoi ish-drejtorin e Departamentit për Operacione, Siguri dhe Transport të të Paraburgosurve, ish-drejtorin e Qendrës së Paraburgimit në Prizren dhe kryeinspektorin e Inspektoratit të Drejtësisë. Në dhjetor, ministri i drejtësisë njoftoi se mostrat e gjakut dhe urinës së Deharit ishin zhdukur nga Laboratori i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Më pas, Ministria e Drejtësisë pezulloi katër zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfshirë zëvendësdrejtorin”, përfundon pjesa për rastin Dehari në raportin e DASh.

Kthhen një pjesë e mostrave të Deharit në IML

Gazeta Nacionale dy javë më parë pati mësuar se janë gjetur një pjesë e mostrave të Deharit, të cilat ishin zhdukur në dhjetorin e kaluar.

Një burim brenda Institutit të Mjekëses Ligjore(IML), ka treguar për gazetën se një pjesë e mostrave çuditërisht janë kthyer aty ku kanë qenë më herët.

Janë gjetur disa mostra të Astrit Deharit. Ato janë gjetur në objekt dhe janë kthyer aty ku kanë qenë më herët”, ka thënë burimi

Më tej, burimi ka treguar se për cilat mostrat bëhet fjalë.

Mostrat që janë gjetur janë të lukthit dhe të urinës. Kurse të gjakut mungojnë. Prokuroria sot ka qenë këtu dhe i ka marrë provat e nevojshme”, ka thënë i njëjti burim.

Zhdukja

Mostrat e Astrit Deharit, ish-aktivistit të VV-së, janë zhdukur në dhjetor të vitit kaluar.

Zhdukjen e këtyre mostrave e kishte njoftuar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhi.

Në një konferencë për media, ajo kishte thënë se menjëherë ka njoftuar prokurorinë për rastin.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë rastit, mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, nga laboratori, kam njoftuar ushtruesin e kryeprokurorit Besim Kelmendi. Në rasat e epruveta kanë qenë 15 epruveta me gjakë, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit”, ka thënë Haxhiu.

Ajo kishte treguar se në atë hapësirë qasjen e njerëzve ishte e kufizuar.

“Ky akt është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj, por jam e bindur se ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në tërësi” ka thënë ministrja.

Zhdukja e mostrave kishte nxitur reagime të shumta në vend.

Ministrja e Drejtësisë kishte suspenduar katër zyrtar të IML-së për këtë çështje, ndërsa prokuroria kishte nisur hetimet, duke intervistuar njerëz.

Në muajin e kalua Prokuroria Speciale e Kosovës kishte deklaruar se një numër i konsiderueshëm i personave janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve, për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.

Ndërkaq, për rastin e zhdukjes së provave në çështjen Dehari, ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka intervistuar një numër të konsiderueshëm të personave në cilësi të dëshmitarëve. Po ashtu, ju informojmë se kemi ndërmarr veprime konkrete që do të na ndihmojnë në rrjedhën e procedurës të mëtutjeshme hetimore. Për momentin nuk kemi ende persona të dyshuar në këtë çështje”, kishte thënë zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu.

Zhdukjen e këtyre mostrave edhe më dramatike e kishte bërë deputeti i VV-së, Haki Abazi.

Në një konferencë për medie, ai kishte deklaruar ka video-incizime që dëshmojnë se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Audio-incizimet konfirmojnë diskutimin ndërmjet Saranda Bogujevcit, Mimoza Kusarit e Dejona Mihalit për ngulfatjen e zërit të deputetëve brenda Kuvendit. Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit”, kishte thënë Abazi.

Për këto pretendime, deputeti Abazi ishte intervistuar nga prokuroria.

Lajme të ngjashme